Njerëzit në 34 shtete të ndryshme të botës kanë më shumë besim te presidenti Joe Biden, sesa te kundërkandidati i tij për zgjedhjet e 5 nëntorit, ish-presidenti, Donald Trump, edhe pse ekziston një skepticizëm në rritje se demokracia e Shteteve të Bashkuara ofron një model të mirë për ta ndjekur pjesa tjetër e botës, sipas një sondazhi nga Qendra Kërkimore “Pew” të publikuar të martën.
Sondazhi zbuloi se një mesatare prej 43% në vendet e anketuara thonë se i besojnë Bidenit se do të bëjë gjënë e duhur në çështjet botërore, krahasuar me 28% që thanë se i besojnë Trumpit, raporton AP.
Njerëzit kishin një vlerësim më pozitiv për Bidenin sesa Trumpin në 24 vende, ndërsa Trumpi udhëhoqi në Hungari dhe Tunizi.
Besimi më i madh te Biden vjen ndërsa besimi në demokracinë e SHBA-së është pakësuar. Ndonëse një mesatare prej 54% në 34 vendet e anketuara kanë pikëpamje pozitive për SHBA-në, mesatarisht në 4 nga 10 vende të anketuara, anketuesit thanë se demokracia e saj dikur ishte një shembull i mirë për vendet e tjera për t'u ndjekur, por nuk është më.
Një mesatare prej 21% ka thënë se demokracia e SHBA-së mbetet një shembull i mirë për kombet e tjera, ndërsa një mesatare pothuajse identike, 22%, thanë se nuk ka qenë kurrë.
Që nga pranvera e vitit 2021, që shënonte herën e vetme tjetër që “Pew” e bëri këtë pyetje, pjesa e atyre që besojnë se demokracia në SHBA është një shembull i mirë ka rënë në tetë vende, kryesisht në Evropë.
"Njerëzit thjesht nuk e shohin sistemin politik të SHBA-së që funksionon shumë mirë”, ka deklaruar Richard Wike, drejtor i kërkimit të qëndrimeve globale për “Pew”.
Besimi te presidenti aktual për të bërë gjënë e duhur në çështjet botërore ka rënë që nga viti i tij i parë në detyrë, por mbetet shumë më i lartë se ai i rivalit të tij, i cili kishte vlerësime relativisht të ulëta globale gjatë presidencës së tij. Vlerësimet më të ulëta të besimit të Bideni ishin mbi trajtimin e tij të luftës Izrael-Hamas, me një mesatare prej 57% që thanë se nuk kishin besim në të.
Një mesatare prej 39% në vendet e anketuara thanë se ata pajtohen me trajtimin që Bideni ia bëri luftës në Ukrainë, me vlerësimet e tij më të larta në vendet evropiane.
Nga pesë liderët e vlerësuar në sondazh, presidenti francez, Emmanuel Macron pati nivelin më të lartë të besimit, pak përpara Bidenit, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin mori nivelin më të ulët.
Ndërsa besimi te Bideni është zvogëluar në vendet që variojnë nga Afrika e Jugut, Izraeli e deri në Mbretërinë e Bashkuar, ai mbetet prapë më i lartë se besimi në Trumpin. Ish-presidenti mori vlerësimet e tij më të dobëta në Evropë.
Afrika, për të cilën Wike ka thënë se priret të ketë pikëpamje pozitive për presidentët e SHBA-së, paraqiti vlerësimë më të mira për Trumpin.
Hungaria është vendi tjetër ku të rriturit raportojnë besim më të lartë te Trumpi sesa Bideni. Trumpi ka raporte të mira me Hungarinë dhe kryeministrin e saj autokrat, Viktor Orban, por vetëm 37% në
Hungari thonë se kanë besim tek ai, krahasuar me 24% që kanë shprehur besim për Bidenin.
Niveli mesatar i besimit në aftësinë e Trumpit për të bërë gjënë e duhur në çështjet botërore ishte vetëm pak më i lartë në të 34 vendet sesa ishte për presidentin kinez, Xi Jinping.