Britania e Madhe ka dërguar personel dhe pajisje ushtarake në Belgjikë për ta ndihmuar atë në forcimin e mbrojtjes ajrore, pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore belge me dronë, që dyshohet se janë kryer nga Rusia.
Shefi i ri i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, tha se homologu i tij belg kishte kërkuar ndihmë më herët gjatë javës, dhe se trupat dhe pajisjet janë tashmë në rrugë drejt Belgjikës.
Të enjten mbrëma, aeroporti kryesor i vendit, Zavantem, u detyrua të mbyllej përkohësisht pasi u vunë re dronë në afërsi të pistës. Dronë të ngjashëm janë vërejtur edhe në zona të tjera, përfshirë një bazë ushtarake.
Sir Richard tha se nuk ka prova të qarta që dronët janë dërguar nga Rusia, por shtoi se “është e besueshme” që urdhrat të kenë ardhur nga Moska.
Ai theksoi se vendimi për të ndihmuar Belgjikën është marrë në koordinim me Sekretarin britanik të Mbrojtjes, John Healey, dhe në bashkëpunim me aleatët e NATO-s.
“Britania do ta ndihmojë Belgjikën duke ofruar pajisjet dhe aftësitë tona teknike, të cilat tashmë po vendosen në terren”, tha Knighton.
Po ashtu, Gjermania njoftoi të premten se do të ofrojë mbështetje me masa kundër-dronësh pas kërkesës zyrtare nga Brukseli.