Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania drejt “brezit pa duhan”, miratohet ligji që ndalon cigaret për të lindurit pas 2008-s

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Një projektligj në Mbretërinë e Bashkuar për të krijuar një "brez pa duhan" duke ndaluar pirjen e duhanit për këdo që ka lindur pas vitit 2008 ka kaluar miratimin e të dy dhomave të Parlamentit. Vetëm nënshkrimi i mbretit ka mbetur që ai të bëhet ligj.

Sipas legjislacionit të ri, të gjithë ata që janë nën 18 vjeç nuk do të lejohen kurrë të blejnë cigare apo produkte të tjera duhani, raportoi “Deutsche Welle”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Projektligji, i njohur si Tobacco and Vapes Bill, kaloi pengesën e fundit në Dhomën e Lordëve, ku u miratuan disa amendamente teknike përpara përfundimit të procesit ligjvënës. 

Ai ishte në proces që nga viti 2024, në fillim të mandatit të qeverisë aktuale.

Gjithashtu, qeveria do të vendosë një sistem të ri regjistrimi për produktet e duhanit dhe ato të avullimit (vaping), me qëllim rritjen e kontrollit mbi tregun.

Masat përfshijnë edhe zgjerimin e ndalimit të pirjes së duhanit në disa hapësira publike të jashtme, si këndet e lojërave për fëmijë, zonat pranë shkollave dhe spitaleve. Po ashtu, shumica e ambienteve të brendshme pa duhan do të bëhen edhe pa vaping. Ndërkohë, pirja e duhanit do të mbetet e lejuar në zona të caktuara jashtë bareve dhe restoranteve.

Një tjetër risi është ndalimi i përdorimit të cigareve elektronike në automjete kur brenda ndodhen persona nën moshën 18 vjeç, në përputhje me rregullat ekzistuese për duhanin. 

Gjatë debatit në Dhomën e Lordëve, përfaqësuesja e qeverisë, Gillian Merron, e cilësoi projektligjin si hap historik për shëndetin publik. 

“Është ndërhyrja më e madhe në shëndetin publik dhe do të shpëtojë jetë”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. Michael Morris, Baron Naseby shprehu shqetësime për ndikimin tek bizneset dhe argumentoi se fokusi duhet të jetë më shumë tek edukimi kundër pirjes së duhanit.