Botë

Çfarë duan Trumpi e Putini nga samiti në Alaska?

Trump putin

Anchorage, 14 gusht (BBC) - Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do të udhëtojnë të premten në Alaskë për samitin historik mes tyre, ndonëse të dyja palët mbajnë qëndrime kontradiktore teksa përgatiten për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Putini e ka përsëritur në vazhdimësi dëshirën e tij për të fituar më shumë territore në Ukrainë, ndërkohë për Trumpin s’është aspak sekret dëshira për t’u kthyer në paqebërës botëror.

Por, të dy liderët mund të ndiejnë gjithashtu mundësi të tjera, si për shembull rehabilitimin diplomatik në skenën botërore nga ana e Putinit.

Sipas BBC-së, është më e vështirë të parashikohen synimet e Trumpit, pasi që ai ka lëshuar deklarata të pavendosura kohëve të fundit në lidhje me homologun e tij rus.

 

Putini synon njohjen ndërkombëtare....dhe më shumë

 

Gjëja e parë që Putini e dëshiron nga ky samit është diçka që tashmë i është dhënë.

Dhe kjo është njohja.

Njohja prej vendit më të fuqishëm në botë, Amerikës, si mënyrë për të treguar se përpjekjet perëndimore për ta izoluar liderin e Kremlinit kanë dështuar.

Fakti që ky takim në nivel të lartë po ndodh është dëshmi e kësaj, ashtu si edhe konferenca e përbashkët për shtyp që zyrtarët rus e kanë njoftuar. Kremlini mund të argumentojë se Rusia është rikthyer në tryezën kryesore të politikës globale.

“Kaq ishte izolimi”, ka ironizuar tabloidi “Moskovsky Komsomolets” më herët këtë javë.

Putini jo vetëm që ka siguruar samitin SHBA-Rusi, por edhe vendndodhjen e përshtatshme për të. Alaska ofron shumë për Kremlinin.

Së pari, siguria. Në pikën më të afërt, toka e Alaskës është vetëm 90 kilometra larg nga Çukotka e Rusisë. Vladimir Putini mund të shkojë atje pa fluturuar mbi hapësirën ajrore të shteteve “armiqësore”.

Së dyti, është shumë larg – shumë larg – nga Ukraina dhe Evropa. Kjo përputhet mirë me vendosmërinë e Kremlinit për ta anashkaluar Kievin dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, dhe për të negociuar drejtpërdrejt me Amerikën.

Ka edhe simbolikë historike. Fakti që Perandoria Ruse ia shiti territorin e Alaskës Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shekullin XIX, po përdoret nga Moska zyrtare për ta justifikuar përpjekjen e saj që t’i ndryshojë kufijtë me forcë edhe në shekullin e XXI.

“Alaska është shembull i qartë se kufijtë shtetërorë mund të ndryshojnë, dhe se territore të mëdha mund të kalojnë në pronësi të tjetrit”, kanë shkruar në tabloidin “Moskovsky Komsomolets”.

Por, Putini kërkon më shumë se njohja ndërkombëtare dhe simbolikat e lartcekura.

Mbi të gjitha kërkon fitore. Ai ka këmbëngulur që Rusia do të mbajë të gjitha territoret që i ka pushtuar në katër rajonet ukrainase (Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson), dhe që Kievi të tërhiqet nga pjesët e atyre rajoneve që ende kontrollohen nga Ukraina.

Për Ukrainën kjo është e papranueshme. “Ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesit”, kishte thënë presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky.

Kremlini e di këtë. Por, nëse siguron mbështetjen e Trumpit për kërkesat e tij territoriale, llogaritja mund të jetë se refuzimi nga Ukraina do të dërgonte në ndërprerjen e çdo ndihme nga Trumpi për Kievin.

Ndërkohë, Rusia dhe SHBA-ja do të vazhdonin përmirësimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik.

Por ekziston edhe skenari tjetër.

Ekonomia e Rusisë është nën presion. Deficiti buxhetor po rritet, të ardhurat nga eksportet e naftës dhe gazit po bien.

Nëse problemet ekonomike po e shtyjnë Putinin të përfundojë luftën, Kremlini mund të jetë i gatshëm për kompromis.

Për momentin, nuk ka asnjë sinjal për këtë – me zyrtarët rusë që vazhdojnë të këmbëngulin se Rusia e ka iniciativën në fushën e betejës.

Trumpi kërkon mundësinë për të aluduar se ka përparim drejt paqes

Trumpi pati premtuar me bujë të madhe gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 se përfundimi i luftës në Ukrainë do të ishte i lehtë dhe se ai do ta zgjidhte atë për “24 orë”.

Ky premtim ka qëndruar pezull mbi përpjekjet e presidentit amerikan për ta zgjidhur konfliktin, teksa ai ka manovruar midis zhgënjimit me ukrainasit dhe rusët që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti.

Ai e ka qortuar Zelenskyn gjatë takimit dramatik në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, duke e pezulluar përkohësisht ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me vendin e shkatërruar nga lufta.

Në muajt e fundit, ai ka qenë më kritik ndaj kokëfortësisë së Putinit dhe gatishmërisë së tij për të goditur infrastrukturën civile, duke vendosur disa afate për sanksione të reja ndaj rusëve dhe vendeve të tjera që bëjnë biznes me ta.

E premtja e kaluar ishte afati më i fundit, dhe ashtu si me të gjithë të mëparshmit, Trumpi hoqi dorë.

Tani ai po e pret presidentin rus në tokën amerikane dhe po flet për “këmbim territoresh”, që Ukraina druhet se mund të nënkuptojë koncesione territoriale në këmbim të paqes.

Prandaj, çdo diskutim për atë që Trumpi dëshiron nga bisedimet e së premtes me Putinin, ngatërrohet nga deklaratat dhe veprimet e paqarta të presidentit.

Këtë javë, Trumpi ka bërë përpjekje të qëllimshme për të ulur pritshmëritë rreth takimit – ndoshta pranim i heshtur i mundësive të kufizuara për ndonjë përparim të madh, duke qenë se vetëm njëra palë në luftë është e pranishme.

Të hënën, ai ka thënë se samiti do të ishte takim “për të kuptuar situatën”. Ai ka sugjeruar se do ta kuptonte nëse mund të arrinte marrëveshje me liderin rus “ndoshta në dy minutat e para”.

“Mund të largohem dhe t’i them ‘fat të mbarë’, dhe ky do të jetë fundi”, ka shtuar ai. “Mund të them se kjo nuk do të zgjidhet”.

Të martën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e ka përforcuar këtë mesazh, duke e kualifikuar samitin vetëm si “seancë dëgjimi”.

Me Trumpin, është mirë të presësh të papriturën. Të mërkurën, Zelensky dhe udhëheqësit evropianë diskutuan me të, si përpjekje për të siguruar që ai të mos arrijë marrëveshje me Putinin pa praninë e Ukrainës.

Megjithatë, gjëja e vetme që ka qenë e qartë pothuajse gjatë gjithë vitit është se Trumpi do ta mirëpresë mundësinë për të qenë njeriu që i jep fund luftës.

Në fjalimin e tij inaugurues, ai pati thënë se dëshironte që trashëgimia e tij më krenare të ishte ajo e “paqebërësit”. Nuk është sekret që ai ka aspirata për njohje ndërkombëtare – veçanërisht për Çmimin Nobel për Paqen.

Trumpi nuk është person që humbet në detaje. Por, nëse gjatë bisedimeve në Anchorage i jepet mundësia të pretendojë se ka bërë përparim drejt paqes, ai do ta shfrytëzojë.

Putini, gjithmonë negociator i mençur, mund të kërkojë një mënyrë që Trumpi ta bëjë pikërisht këtë – natyrisht, sipas kushteve të Rusisë.