Botë

Çfarë po ndodh me çmimin e arit?

Ari

Foto: Associated Press

Çmimi i arit ka pësuar luhatje të mëdha gjatë ditëve të fundit. 

Javën e kaluar, metali i verdhë ka arritur një vlerë rekorde historike, duke arritur në mbi 5,500 dollarë për ons (1 ons = 28 gram), pas një viti në të cilin vlera e tij është rritur ndjeshëm.

Por të premten, çmimi i arit ka rënë me më shumë se 9%, rënia më e madhe brenda një dite që nga viti 1983, përpara se të shënonte një tjetër rënie të hënën.

Një rimëkëmbje e lehtë të martën bëri që çmimi të rritej sërish, dhe atë me më shumë se 5%. Dhe, pavarësisht rënieve të fundit, çmimi i tij është ende rreth 75% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Çfarë i shkaktoi rëniet e fundit?

Tregjet financiare lëvizin për shumë arsye, por analistët bien dakord se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të nominuar Kevin Warsh si drejtues të bankës qendrore amerikane, Rezervës Federale, ishte faktor kyç në këtë rast.

Warsh shihet nga tregjet si një zgjedhje “shumë e pranueshme”, ka thënë për BBC-në April Larusse nga Insight Investment, në një kohë kur kishte shqetësime për pavarësinë e Rezervës Federale.

Kjo rriti vlerën e dollarit dhe ndihmoi në qetësimin e investitorëve. Megjithatë, ky lehtësim i shqetësimeve nuk ishte i favorshëm për çmimin e arit, i cili shihet si një investim më i sigurt në periudha pasigurie.

Çmimet e arit dhe argjendit janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i vitit teksa disa analistë kishin filluar të mendonin se këto rritje ishin të ekzagjeruara.

E disa besonin se rëniet ishin vetëm një ndërprerje e përkohshme në marshimin e arit drejt niveleve më të larta. Michael Hsueh, analist në Deutsche Bank, thotë se banka pret që metali të arrijë në 6,000 dollarë për ons.

Pse ari ishte në rritje?

Çmimi i arit është rritur gradualisht gjatë viteve të fundit, por vërtet shpërtheu vitin e kaluar, kur shënoi fitimin më të madh vjetor që nga viti 1979.

Metali i çmuar shihet si “strehë e sigurt”, dhe një aset më i qëndrueshëm në kohë pasigurie.

“Kur zotëron ar, ai nuk lidhet me borxhin e dikujt tjetër, siç ndodh me obligacionet, apo me aksionet ku performanca varet nga një kompani”, i ka thënë BBC-së Nicholas Frappell, drejtor global i tregjeve institucionale në ABC Refinery.

“Është një diversifikues shumë i mirë në një botë tepër të pasigurt”, ka shtuar ai. 

Vitin e kaluar, shqetësimi kryesor për investitorët ishin ndryshimet e paparashikueshme në politikat tregtare të SHBA-së, të prezantuara nga administrata Trump. Tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit”, të shpallura nga Trumpi në prill, sollën muaj pasigurie ndërsa vazhdonin negociatat për nivelin përfundimtar të tyre.

Në janar, kërcënimi i Trumpit për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve evropiane që kundërshtonin përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën, kërcënim që më pas u tërhoq, e çoi arin dhe argjendin në rekorde të reja.

Politikat e tij tregtare vazhdojnë të shqetësojnë investitorët, duke mbështetur çmimin e arit, ka thënë Emma Wall, nga Hargreaves Lansdoën.

Tensionet gjeopolitike kanë shtuar gjithashtu vlerën e arit si investim i sigurt, ndërsa arrestimi i presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga SHBA-ja në fillim të janarit ndihmoi në shtyrjen e çmimit të arit më lart.

“Ari po bën atë që di të bëjë më mirë kur bota duket e çrregullt, duke u rritur mes tensioneve tregtare, shpërthimeve gjeopolitike dhe pasigurisë politike në SHBA”, ka thënë Ëall.

Blerjet e bankave qendrore

Një faktor që filloi të shtojë vlerën e arit ishte rritja e blerjeve të arit nga bankat qendrore.

Ky ka qenë një trend i viteve të fundit, pasi rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë u ngrinë pas pushtimit të Ukrainës.

“Investitorët dhe bankat qendrore globale kanë favorizuar arin si valutën e tyre rezervë të zgjedhur, pasi besojnë se ai i mbron nga varësia ndaj politikave të SHBA-së”, ka shpjeguar Wall.

Blerës të tjerë të arit përfshijnë Kinën, e cila besohet të jetë blerësi më i madh i arit.

Edhe investitorët në Perëndim janë tërhequr nga ari, pasi shumë prej tyre kanë investuar në fonde që zotërojnë dhe tregtojnë metalin e çmuar.