Botë

Çka dihet për marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Iran

Tel Aviv

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër nisjes së sulmeve të mëtejshme ndaj Iranit, disa orë pasi ka njoftuar se një armëpushim midis dy palëve ka hyrë në fuqi.

Presidenti amerikan ka përdorur një fjalë të pahijshme teksa kritikonte të dyja palët, pasi secila akuzonte tjetrën për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Katari.

Kjo ka ndodhur pasi Izraeli ka thënë se Irani kishte shkelur marrëveshjen dhe është zotuar të përgjigjej me "sulme të fuqishme".

Irani ka mohuar se ka lëshuar ndonjë raketë drejt Izraelit dhe organi më i lartë i sigurisë i vendit është zotuar të përgjigjet ndaj çdo agresioni të mëtejshëm izraelit.

Kur ka hyrë në fuqi armëpushimi?

Menjëherë pas orës 05:00 të martën, Trumpi ka njoftuar se armëpushimi ka hyrë në fuqi.

"Ju lutem mos e shkelni!”, ka kërkuar ai nga të dyja palët në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

Qeveria izraelite ka thënë se kishte rënë dakord me propozimin e armëpushimit të SHBA-së menjëherë pas orës 06:00 të martën, pasi Irani kishte thënë se do të ndalonte sulmet nëse Izraeli bënte të njëjtën gjë.

Megjithatë, disa orë më vonë, Izraeli akuzoi Iranin për nisjen e sulmeve të mëtejshme në territorin e tij.

Trumpi ka thënë fillimisht se për armëpushimin kishte “pajtim të plotë” në një postim pak as orës 22:00 të hënën, i cili sipas tij do t'i jepte fund asaj që ai e ka quajtur "lufta 12-ditore".

Kjo ka ndodhur pasi Irani ka lëshuar raketa në një bazë amerikane në Katar të hënën, duke e quajtur një hakmarrje për sulmet amerikane kundër lokacioneve të tij bërthamore gjatë fundjavës.

Çfarë ka thënë Trumpi?

Në një postim më vonë të martën në “Truth Social” Trumpi i ka kërkuar Izraelit “të mos i hidhte bombat” mbi Iranin.

Duke folur me gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, Trumpi ka thënë se nuk ishte i kënaqur me Izraelin.

"Pati një raketë që mendoj se u qëllua jashtë detit pas afatit kohor dhe tani Izraeli po largohet. Këta njerëz duhet të qetësohen", ka thënë ai.

Mirëpo, në një shpërthim të zemërimit të tij, presidenti amerikan ka thënë se të dy vendet nuk dinin çfarë po bënin.

E në një postim të mëvonshëm ai ka thënë se "Armëpushimi është në fuqi."

Si kanë reaguar Irani dhe Izraeli?

Dy orë pasi Izraeli ka thënë se ka rënë dakord për armëpushimin, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se kishin identifikuar raketa të lëshuara nga Irani.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka akuzuar Iranin për një "shkelje të plotë" të kushteve, duke shtuar se ai kishte udhëzuar ushtrinë të "vazhdonte aktivitetin intensiv të sulmit ndaj Teheranit për të penguar objektivat e regjimit dhe infrastrukturat terroriste".

Ushtria iraniane e ka mohuar se kishte lëshuar raketa pasi armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

Më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka thënë se "në momentet e fundit para se armëpushimi t'i imponohej armikut", kishte goditur "qendra ushtarake dhe logjistike" në Izrael.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në, ka raportuar se Izraeli kishte nisur një sulm ushtarak "trefazor" në territorin e tij pas armëpushimit.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka thënë më parë se sulmet izraelite do të "përballeshin me një përgjigje vendimtare, të fortë dhe në kohë nga Irani".

A është thyer armëpushimi?

Zyra e kryeministrit izraelit ka akuzuar Iranin për lëshimin e raketave drejt territorit të tij pasi armëpushimi ka hyrë në fuqi të martën, gjë që Irani e ka mohuar. Zyra ka shtuar se ushtria izraelite është përgjigjur duke goditur një "radar pranë Teheranit".

Përpara se të fillonte armëpushimi, Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të rënda.
IDF-ja ka thënë se disa runde sulmesh kanë goditur vendit nga nata e së hënës e deri të martën.

Punonjësit e shpëtimit kanë thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në qytetin Beersheba.

Në atë kohë, media shtetërore iraniane ka raportuar se Irani kishte nisur "një rund të fundit raketash" kundër Izraelit.

Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian ka raportuar se kryeqyteti, Teherani, po përjetonte disa nga përplasjet më të forta të mbrojtjes ajrore që nga shpërthimi i luftës më 13 qershor, teksa banorët i kanë thënë BBC Persian se kishin dëgjuar shpërthime të forta.

IDF-ja ka thënë se ka goditur dhe shkatërruar lëshuesit e raketave në Iranin perëndimor që thanë se ishin "gati për t'u lëshuar në territorin izraelit".

Teherani ka thënë se një shkencëtar tjetër bërthamor është vrarë para se marrëveshja të hynte në fuqi.

Pse e ka sulmuar Izraeli Iranin?

Izraeli ka sulmuar vendet bërthamore dhe ushtarake në Iran të premten, më 13 qershor, duke pretenduar se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore.

Izraeli ka thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të bombardonte Iranin, pasi bisedimet diplomatike që synonin frenimin e programit bërthamor të vendit ngecën.

Ofensiva izraelite është zhvilluar mes shqetësimit ndërkombëtar në rritje se Irani ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar - një komponent kyç në prodhimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, nuk ka konsensus ndërkombëtar se sa afër ishte afruar Irani me ndërtimin e armëve të veta bërthamore.

Në ditët në vijim, Izraeli ka shënjestruar infrastrukturën iraniane për të cilën ka thënë se mund të përdoret për "zhvillimin e armëve bërthamore".

SHBA-ja më vonë i është bashkuar sulmeve, duke hedhur të ashtuquajturat bomba bunkerësh në vendin Fordoë, një strukturë pasurimi bërthamor e ndërtuar thellë nën një mal jashtë Teheranit.

Në një përditësim të martën, një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë së Iranit ka thënë se 610 persona janë vrarë dhe 4,746 janë plagosur në sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, katër persona janë vrarë të martën, duke e çuar numrin e të vdekurve që nga 13 qershori në 28.

Cilat janë aftësitë bërthamore të Iranit?

Irani thotë se po operon një program bërthamor tërësisht paqësor për qëllime civile.

Megjithatë, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së ka paralajmëruar muajin e kaluar se Irani ka pasuruar mbi 400 kg uranium në pastërti 60% - një pastërti pothuajse e nivelit të armëve, që është shumë mbi nivelin e përdorur për qëllime civile.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet SHBA-Izrael të kryera kundër centraleve bërthamore të Iranit e kanë dëmtuar ndjeshëm perspektivën e Teheranit për të ndërtuar një armë bërthamore.

Megjithatë, Hassan Abedini, zëvendësdrejtori politik i transmetuesit shtetëror të Iranit, pretendonte se tri centralet e synuara nga SHBA-ja ishin evakuuar "pak kohë më parë" dhe se Irani "nuk ka pësuar një goditje të madhe sepse materialet ishin nxjerrë tashmë".

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Armëpushimi i Trumpit nuk zgjat as dy orë