Botë

Çka u tha e çka nuk u tha nga takimi Trump-Putin

tr pt

Foto: BBC

Takimi historik mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, ishte paraqitur fillimisht si hap vendimtar drejt paqes në Ukrainë.

Por, pa asnjë marrëveshje të armëpushimit dhe me ftesën e momentit të fundit për në Moskë, takimi pothuajse treorësh mes dy liderëve ka nxitur më shumë pyetje sesa përgjigje.

Pesë përfundimet kryesore nga samiti i mbajtur në Alaskë:

Putini u mirëprit sërish në skenën botërore me qilim të kuq

Kur presidenti rus, Vladimir Putin, u rikthye në skenën botërore të premten, qielli mbi Alaskë ishte i mbuluar me re. Në bazën ushtarake “Elmendorf-Richardson”, e priste presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me qilim të kuq të shtrirë në pistën e aeroportit.

Teksa Putini afrohej, Trumpi nisi të duartrokiste. Të dy liderët shtrënguan duart ngrohtësisht dhe buzëqeshën.

Ishte moment i jashtëzakonshëm për Putinin – lider i cili është përjashtuar nga shumica e vendeve perëndimore, qëkur Rusia e pati nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. 

Që prej asaj kohe, udhëtimet ndërkombëtare të shefit të Kremlinit janë kufizuar kryesisht me vendet aleate të Federatës Ruse, siç janë ta zëmë Koreja e Veriut dhe Bjellorusia.

Vetë fakti i mbajtjes së samitit në Alaskë ishte fitore për Putinin. Sidoqoftë, kjo pritje i ka tejkaluar edhe ëndrrat më të guximshme të Kremlinit. Për vetëm gjashtë muaj, Putini ka kaluar prej të qenit i izoluar nga Perëndimi, në të qenit i mirëpritur në tokën amerikane si partner dhe mik.

Si për ta përmbyllur këtë moment, Putini kishte vendosur ta pranojë udhëtimin deri në bazën ajrore me limuzinën e blinduar të Trumpit, në vend që ta shfrytëzonte automjetin e tij presidencial me targa të Moskës.

Teksa automjeti largohej, kamerat e fokusuan Putinin të ulur në sediljen e pasme duke qeshur.

Putini përballet me pyetje që nuk ia bëjnë kurrë

Gjatë 25 vjetëve si president i Rusisë, Vladimir Putini, ka arritur të kontrollojë plotësisht mediat, duke e kufizuar tej mase lirinë e shtypit si dhe duke zëvendësuar informacionin me propagandë. Brenda Rusisë, ai rrallëherë – nëse ndonjëherë – përballet me gazetarë të guximshëm dhe kritik ndaj pushtetit.

Mirëpo, vetëm pak minuta pasi zbriti në Alaskë, një gazetar bërtiti në drejtim të tij, duke e pyetur se “A do të ndalosh së vrari civilë?”. Nëse kjo pyetje ishte shqetësuese për të, ai nuk dha ndonjë koment – përkundrazi, i ngriti supet dhe e shmangu kontaktin me sy.

Gjatë momentit të shkurtër dhe disi kaotik për fotografi, u bërtitën edhe më shumë pyetje, përfshirë njërën në gjuhën ruse, e cila lidhej me gatishmërinë e Putinit për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në kuadër të një samiti trepalësh. Edhe këtë herë, nuk pati ndonjë reagim të dukshëm nga presidenti rus, përveç buzëqeshjes enigmatike.

Çfarë u tha kur bisedimet përfunduan më herët se pritej

Mediat botërore u mblodhën në sallën ku ndodheshin Putini dhe Trumpi, duke pritur se do të mbahej konferenca për shtyp. Por, në vend të saj, të dy liderët dhanë deklarata të shkurtra dhe nuk pranuan asnjë pyetje nga gazetarët.

Në mënyrë të pazakontë, Putini foli i pari. Ai e ka lavdëruar “atmosferën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë” në këto bisedime “fqinjësore”, dhe si rrjedhojë e nisi përmbledhjen e shkurtër të historisë së Alaskës si territor rus.

Ndërsa Putini fliste, Trump qëndronte i heshtur. 

Kaluan disa minuta para se presidenti rus ta përmendte atë që e cilësoi si “situata në Ukrainë” – tema kryesore për mbajtjen e samitit. Pasi që e përmendi arritjen e “marrëveshjes” të padetajuar, ai ka ripërsëritur rëndësinë e eliminimit të “shkaqeve rrënjësore” të konfliktit, para se të etablohet paqja përfundimtare.

Kjo frazë është sinjal alarmues për Kievin dhe aleatët e tij. Që nga fillimi i luftës, ajo është përdorur si eufemizëm për një sërë kërkesash të rënda dhe maksimaliste nga Putini, të cilat ai i paraqet si pengesa për marrëveshjen e armëpushimit.

E këto kërkesa përfshijnë: (1) Njohjen e sovranitetit rus mbi rajonet ukrainase të Krimesë, Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit; (2) Demilitarizimin e Ukrainës; (3) Neutralitetin e saj; (4) Ndalimin e përfshirjes së forcave të huaja ushtarake; dhe (5) Mbajtjen e zgjedhjeve të reja. 

Në thelb, këto kërkesa përbëjnë kapitullim dhe janë të papranueshme për Kievin zyrtar, por që, edhe pas tre vitesh e gjysmë sa edhe ka zgjatur lufta, mbeten të panegociueshme për Moskën.
Me këtë, u bë e qartë se nuk kishte marrëveshje.

Dhe çfarë nuk u tha

Në mënyrë të jashtëzakonshme – duke marrë parasysh kontekstin dhe arsyen kryesore të samitit – kur erdhi radha e Trumpit për të folur, ai nuk përmendi asnjëherë Ukrainën apo mundësinë e armëpushimit. 

Referenca më e afërt ndaj konfliktit ishte kur Trumpi ka thënë se “pesë, gjashtë, shtatë mijë njerëz në javë” po vriten, duke shtuar madje se homologu i tij dëshiron t’i japë fund kësaj gjakderdhjeje.

Trumpi, që zakonisht flet gjatë dhe bën deklarata të shumta, kësaj radhe dukej se kishte më pak për të thënë se Putini. 

Deklarata e tij ra në sy për shkurtësinë dhe, sidomos, për paqartësinë e saj. “Pati shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord”, ka theksuar Trumpi, tek ka shtuar se ishte bërë “progres i madh” në një takim “jashtëzakonisht produktiv”.

Por ai nuk dha asnjë detaj konkret dhe nuk u duk se ishin ndërmarrë hapa të qartë drejt zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. 

Nuk u shpallën marrëveshje të rëndësishme dhe nuk pati asnjë përmendje të takimit trepalësh me Zelenskyn.

Dhe – për lehtësim të Moskës – nuk u përmendën as “pasojat e rënda”, me të cilat Trumpi e kishte kërcënuar më herët Rusinë e Putinin, në rast se s’do të arrihej armëpushimi.

“Nuk arritëm deri atje”, ka pohur ai.

Pastaj, në frymë optimiste por të paqartë, presidenti amerikan ka shtuar se “kemi ende gjasa shumë të mira për ta arritur”.

Samiti mund të mos ketë sjellë ndonjë përparim konkret drejt paqes në Ukrainë, mirëpo i ka përafruar raportet dikur të ftohta mes Rusisë dhe SHBA-së.

Fotot e dy presidentëve duke shtrënguar duart dhe duke buzëqeshur u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale – po ashtu edhe imazhet e ushtarëve amerikanë të gjunjëzuar teksa shtronin qilimin e kuq para avionit të Putinit.

Para se të mbyllte deklaratën e tij, Putini iu referua njërës prej pikave që Trumpi e përsëritur shpeshherë – se konflikti në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse ai do të kishte qenë në pushtet.

Pavarësisht deklaratave të Trumpit për “progres të madh”, në samitin e Alaskës nuk u zbulua asgjë me peshë reale – megjithatë, të dy liderët lanë të hapur derën për një takim të ardhshëm, këtë herë në tokën ruse.

“Do të shihemi përsëri shumë shpejt”, ka theksuar Trumpi.

Duke përmbyllur konferencën e përbashkët në të cilën nuk bëri premtime, nuk bëri as lëshime dhe nuk pranoi asnjë kompromis, Putini dukej mjaft i qetë sa për të folur në anglisht – diçka e rrallë për të.

“Herën tjetër në Moskë” – ishte komenti në gjuhën angleze i Putinit në fund të konferencës së përbashkët për shtyp. 

“Oh, kjo është interesante”, iu është përgjigjur Trumpi. “Do të më kritikojnë për këtë, por – mund ta shoh si mundësi”.