Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Danimarka planifikoi t’i hidhte në erë pistat e aeroportit në Grenlandë nëse SHBA-ja do ta pushtonte, thonë raportet

Danimarka - aeroplan

Foto: Associated Press

Ushtarët danezë, që u dërguan në Grenlandë në janar, ishin të përgatitur t’i hidhnin në erë pistat kryesore të aeroportit për shkak të frikës se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të pushtonte ishullin, thotë transmetuesi publik danez DR.

Duke cituar burime në qeverinë dhe ushtrinë daneze, si dhe midis aleatëve evropianë, DR thotë se u sollën edhe rezerva gjaku për t’i trajtuar të plagosurit në rast të luftimeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gazeta Financial Times tha se dy zyrtarë evropianë, më vonë konfirmuan raportin. Ministria daneze e mbrojtjes i tha BBC-së se “nuk ka koment”.

Një zyrtar i lartë ushtarak danez, duke folur në kushte anonimiteti, i tha BBC-së se “vetëm një numër i kufizuar njerëzish do të kishin qenë në dijeni të operacionit për shkaqe sigurie”.

Si SHBA-ja ashtu edhe Danimarka janë anëtare të NATO-s, dhe çështja e Grenlandës – një territor gjysmë-autonom i Danimarkës – ka përçarë thellë Washingtonin dhe aleatët e tij evropianë.
Trumpi ka thënë vazhdimisht se dëshiron ta aneksojë Grenlandën gjatë mandatit të tij të dytë presidencial. Udhëheqësit e Grenlandës dhe Danimarka i kanë refuzuar vazhdimisht kërkesat e tij për ta marrë ishullin.

Transmetuesi danez DR tha se e bazoi raportin e tij në 12 burime në nivelet më të larta të qeverisë dhe ushtrisë daneze, si dhe burime midis aleatëve të Danimarkës, në Francë dhe Gjermani.
Ata i thanë transmetuesit se Kopenhaga kërkoi mbështetje politike nga Parisi dhe Berlini, si dhe nga vendet nordike, për t’u përballur me Trumpin, duke treguar solidaritet më të fortë evropian dhe duke zhvilluar më shumë aktivitete të përbashkëta ushtarake në Grenlandë.

Por, burimet thonë se situata u përshkallëzua më 3 janar, kur forcat elitare amerikane kapën presidentin venezuelan Nicolas Maduro në një operacion të shpejtë në kryeqytetin Karakas.

Të nesërmen, Trump u tha gazetarëve se do të “merrej me Grenlandën pas rreth dy muajsh” dhe përsëriti se “na duhet Grenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”. 

“Është shumë strategjike”, tha Trump, duke shtuar pa dhënë prova: “Tani për tani Grenlanda është e mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo”.

Një burim i lartë i sigurisë daneze i tha transmetuesit DR se “kur Trump vazhdon të thotë se dëshiron të marrë kontrollin e Grenlandës, dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi në Venezuelë, ne duhej të merrnim seriozisht të gjitha skenarët”.

Ndërkohë, një zyrtar evropian i tha Financial Times: “Pas Venezuelës, ata [amerikanët] menduan se mund të bënin gjithçka. Le ta marrim këtë gjë, dhe këtë vend”.

Menjëherë pas kësaj, një kontingjent i vogël ushtarak me ushtarë danezë, francezë, gjermanë, norvegjezë dhe suedezë u dërgua në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, dhe në Kangerlussuaq, ku ndodhet një aeroport.

Në atë kohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se kontingjenti fillestar do të përforcohej me “mjete tokësore, ajrore dhe detare”.

Transmetuesi danez DR tha se një dislokim pasues përfshinte ushtarë elitë danezë dhe një kontingjent francez të trajnuar për luftë në zona të ftohta dhe malore. Avionë danezë dhe një anije luftarake franceze u dërguan drejt Atlantikut Verior.

Dislokimi u paraqit si pjesë e stërvitjeve ushtarake të udhëhequra nga Danimarka të quajtura Operacioni “Arctic Endurance” – por arsyeja e vërtetë ishte përgatitja për një pushtim të mundshëm nga SHBA-ja, tha DR.

U mor një vendim nga Danimarka që ushtarët e saj do të luftonin nëse SHBA-ja do të pushtonte dhe se ata ishin gjithashtu të përgatitur të hidhnin në erë pistat në Nuuk dhe Kangerlussuaq për të parandaluar uljen e avionëve ushtarakë amerikanë, tha transmetuesi.

“Kostoja për SHBA-ja duhet të rritej. SHBA-ja do të duhej të kryente një akt armiqësor për të marrë Grenlandën”, i tha një burim i mbrojtjes daneze transmetuesit, duke pranuar se trupat nuk do të kishin shumë gjasa të zmbrapsnin një sulm amerikan.

Më 21 janar, Trump – i cili më herët kishte refuzuar të përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën – tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos: “Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë. Gjithçka që kërkon SHBA-ja është një vend që quhet Grenlandë”.

Që atëherë, Trump ka thënë se po kërkon “negociata të menjëhershme” për të gjetur një kompromis dhe për t’i ulur më tej tensionet.