Është themeluar të enjten në Davos të Zvicrës Bordi i Paqes i formuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Pjesëmarrja në Bord është nënshkruar nga 19 shtete, teksa kanë munguar aleatët kryesorë perëndimorë të SHBA-së. Trumpi pas nënshkrimit ka thënë se dëshiron që "Bordi i Paqes" i tij të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, edhe pse kritikoi OKB-në për dështimin në përmbushjen e potencialit të saj.
Çka është Bordi i Paqes?
Trumpi fillimisht e hodhi idenë e Bordit të Paqes si pjesë të fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në shtator.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e mbështeti planin në nëntor – duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar – me një mandat që bordi të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës.
Por Trump kishte plane afatgjata. Drafti i statutit, i siguruar nga CNN, e përshkruan Bordin e Paqes si një “organizatë ndërkombëtare” që promovon stabilitetin, paqen dhe qeverisjen “në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Trump do të shërbejë si kryetar pa afat i bordit, duke mundur ta mbajë postin edhe përtej mandatit të tij të dytë si president, sipas statutit.
“Bordi i Paqes” do të qëndrojë mbi një “Bord Ekzekutiv themelues” që përfshin dhëndrin e Trump, Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Ëitkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Kush e ka pranuar?
Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahreini, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Argjentina dhe Paraguai e kanë pranuar ftesën e Trumpit. Po ashtu edhe shtetet e Azisë Qendrore Kazakistani dhe Uzbekistani, si dhe vendet e Azisë Juglindore Indonezia dhe Vietnami.
Edhe Benjamin Netanyahu i Izraelit është pjesë e bordit, megjithëse ai ka shprehur zemërim për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe nga Katari në bordin ekzekutiv për Gazën dhe përballet me një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që i jep SHBA-së qasje ekskluzive për zhvillimin e një korridori kritik tranziti në rajon, kanë rënë gjithashtu dakord.
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, shpesh i përshkruar si diktatori i fundit i Evropës dhe një aleat kyç i liderit rus Vladimir Putin, është regjistruar gjithashtu.
“Kam disa njerëz kontroversë në të”, i ka thënë Trumpi CNN-it, duke iu referuar pretendimit të tij se Putini ka rënë dakord të bashkohet. Lideri rus ende nuk e ka konfirmuar vendimin e tij, megjithëse ka përmendur përdorimin e aseteve ruse të ngrira në SHBA për të paguar tarifën prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm. Përfshirja e mundshme e Putinit ka ngritur shqetësime se si një vend që po zhvillon në mënyrë aktive një luftë mund të përfshihet në një përpjekje për të siguruar paqen.
Mark Carney i Kanadasë, i cili ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për shkatërrimin e rendit global “të bazuar në rregulla” dhe vendosjen e tarifave ndëshkuese, synon të bashkohet me kushte, duke thënë se detajet, përfshirë ato financiare, ende nuk janë përcaktuar.
Kush e ka refuzuar?
Disa vende nuk janë angazhuar ende, ndërsa të tjera i kanë refuzuar ftesat.
Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar pjesërisht për shkak të pikëpyetjeve mbi mënyrën se si Bordi i Paqes do të funksiononte në bashkëpunim me OKB-në.
Kina konfirmoi se ishte ftuar, por nuk ka thënë nëse do të bashkohet. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ka thënë të mërkurën se Kina “do të mbetet e përkushtuar fuqimisht në mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në qendër”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është e vështirë të shihet të qenit “së bashku me Rusinë në ndonjë këshill”, duke shtuar se “problemi është se Rusia është armiku ynë dhe Bjellorusia është aleati i saj”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë se mund të ketë çështje kushtetuese me anëtarësimin dhe se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Ndërsa ministrja e Jashtme irlandeze, Helen McEntee, ka thënë se do ta shqyrtojë ftesën “me kujdes”.
Cilat janë shqetësimet?
Bordi i Paqes i Trumpit ka qenë i zhytur në polemika.
Diplomatë, zyrtarë dhe liderë botërorë kanë shprehur shqetësime serioze lidhur me mandatin e zgjeruar të bordit, kryesimin pa afat nga Trumpi dhe dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohet punës së OKB-së.
Shtetet anëtare do të shërbejnë për mandate trevjeçare, pas të cilave duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm. Fondet e mbledhura do të shkojnë për rindërtimin e Gazës, sipas një zyrtari amerikan, por kjo lëvizje është kritikuar si e ndjeshme ndaj korrupsionit.
Komentet e Trumpit se bordi “mund” të zëvendësojë OKB-në kanë shtuar shqetësimet se ai mund të shndërrohet në një mjet për të zëvendësuar institucionin e krijuar 80 vjet më parë për të ruajtur paqen globale. Statuti i bordit përmend “institucione që shumë shpesh kanë dështuar”, pa e përmendur me emër OKB-në, një organizatë që Trumpi e ka kritikuar vazhdimisht.
Zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, i ka thënë CNN-it se Bordi i Paqes i Trumpit nuk do ta zëvendësojë organizatën e tij.
Themelohet Bordi i Paqes, Trumpi zotohet të punojë bashkë me OKB-në
Është themeluar të enjten në Davos të Zvicrës Bordi i Paqes i formuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Bordi është nënshkruar nga dhjetëra shtete, teksa kanë munguar aleatët kryesorë perëndimor të SHBA-së.
Trumpi ka thënë pas nënshkrimit se dëshiron që "Bordi i Paqes" i tij të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, edhe pse kritikoi OKB-në për dështimin në përmbushjen e potencialit të saj.
"Sapo ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam të bëjmë, dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara", ka thënë ai në Davos.
"Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Nuk e kanë përdorur, por kanë një potencial të jashtëzakonshëm”, ka shtuar ai.
Trumpi kishte sugjeruar më parë se "Bordi i Paqes", të cilin ai e ka formuar kryesisht për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës, "mund" përfundimisht të zëvendësojë OKB-në. Por të enjten ai tha se donte që të dyja të punonin në kombinim, duke pretenduar se kjo mund të rezultonte në "diçka shumë, shumë unike për botën".
Megjithatë, ai foli ashpër për performancën aktuale të OKB-së, duke pretenduar se ajo kishte luajtur pak rol në ndërmjetësimin e konflikteve që Trumpi i numëron midis të ashtuquajturave luftëra që ai beson se i ka përfunduar.
"Për tetë luftërat që i kam përfunduar, nuk kam folur kurrë me Kombet e Bashkuara, asnjërën prej tyre", tha Trump. "Ata u përpoqën, mendoj, dhe disa prej tyre, por nuk u përpoqën mjaftueshëm."
Asnjë aleat nga Evropa Perëndimore në ceremoninë e Bordit të Paqes të Trumpit
Ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes” nga presidenti Donald Trump ka paraqitur përfaqësues nga më pak se 20 vende, dhe asnjë nga aleatët tradicionalë të Evropës Perëndimore të SHBA-së.
Kombet e përfaqësuara në Davos anojnë shumë nga Lindja e Mesme dhe Amerika e Jugut, me udhëheqës nga Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentina dhe Paraguai midis atyre që morën pjesë.
“Jemi vërtet të nderuar nga prania juaj sot”, ka thënë Trumpi, duke iu referuar atyre si “në shumicën e rasteve udhëheqës shumë të popullarizuar, në disa raste jo aq të popullarizuar”.
Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve është dukshëm më i ulët se 35, siç deklaroi një zyrtar i lartë i administratës për gazetarët në fillim të kësaj jave.
Dhe nuk përfshinte asnjë komb të Evropës Perëndimore, disa prej të cilëve kanë ngritur shqetësime mbi idenë e një bordi të dedikuar për paqen që mund të përfshijë kundërshtarë si Rusia aktualisht në luftë me një nga aleatët e tyre.
Britania s’do t’i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit shkaku i Putinit
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të liderit rus, Vladimir Putin.
Cooper i ka thënë BBC-së se Mbretëria e Bashkuar ishte ftuar të bëhej pjesë e bordit, por se “nuk do të jetë një nga nënshkruesit sot” në ceremoninë e planifikuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të enjten.
Sekretarja e Jashtme e ka përshkruar bordin si një “traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera” sesa fokusi fillestar i nismës për t’i dhënë fund luftës Izrael - Hamas në Gazë.
Statuti i propozuar nga Shtëpia e Bardhë nuk e përmend territorin palestinez dhe duket se është projektuar për të zëvendësuar disa funksione të Kombeve të Bashkuara.
Vende si Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Izraeli kanë deklaruar se do të bëhen anëtare të bordit, ndërsa në Davos, presidenti Trump ka thën se Putini e kishte pranuar ftesën për t’iu bashkuar nismës.
Megjithatë, presidenti Putin nuk e ka konfirmuar këtë dhe më herët ka deklaruar se vendi i tij është ende duke e shqyrtuar ftesën.