Botë

Dhoma e Përfaqësuesve voton sot marrëveshjen që çon në fundin e mbylljes së qeverisë

Kapitoli amerikan

Foto: Associated Press

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën marrëveshjen e miratuar paraprakisht në Senat, e cila synon t’i japë fund mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e SHBA-së.

Votimi do të bëhet për një paketë financimi të përkohshëm, e cila do të ndikonte në rinisjen e ndihmës së ndërprerë ushqimore, për të paguar qindra mijëra punonjës federalë dhe për të ringjallur sistemin e bllokuar të kontrollit të trafikut ajror.

Republikanët aktualisht mbajnë një shumicë të ngushtë prej 219-213 në Dhomën e Përfaqësuesve. 

Por mbështetja e presidentit Donald Trump për projektligjin pritet ta mbajë partinë e tij të bashkuar përballë kundërshtimit të fortë nga Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët janë të zemëruar që një bllokim i gjatë i nisur nga kolegët e tyre në Senat, dështoi të siguronte një marrëveshje për të zgjatur subvencionet federale të sigurimeve shëndetësore.

Tetë Demokratë të Senatit të hënën u shkëputën nga udhëheqja e partisë për të miratuar paketën e financimit, e cila do të zgjaste financimin deri më 30 janar.

Nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, paketa e financimit do të duhet të nënshkruhet në ligj nga Trumpi, i cili e shpalli miratimin e Senatit si "një fitore shumë të madhe" të martën.