Bisedat e aleatëve për dërgimin e forcave paqeruajtëse evropiane për të mbrojtur Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, kanë shkaktuar reagime negative në Gjermani, një vend ende i prekur nga e kaluara e tij militariste naziste.
Kancelari Friedrich Merz, ka sinjalizuar hapjen ndaj pjesëmarrjes gjermane në një mision të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë, duke theksuar se një vendim i tillë do të kërkonte koordinim me partnerët evropianë dhe koalicionin e tij.
Ai gjithashtu ka vënë në dukje se çdo vendosje trupash ka të ngjarë të kërkojë votat e Bundestagut, një sfidë për një kancelar, i cili arriti t’i marrë votat e nevojshmë për t’u emëruar vetëm në përpjekjen e dytë.
Rusia është ashpër kundër vendosjes së çdo trupe nga aleanca e NATO-s dhe nuk është aspak e qartë se si mund të funksionojë një forcë e tillë.
Alice Weidel, kreu i Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë në rritje, ka akuzuar konservatorët e Merzit për nxitje të luftës, duke e kritikuar atë si "të rrezikshme dhe të papërgjegjshme".
Edhe ministri i Jashtëm i Merz, Johann Wadephul, paralajmëroi se dërgimi i trupave në Ukrainë "ndoshta do të na mbingarkonte".
Në Gjermani ka shqetësime në lidhje me vendosjen e trupave, duke pasur parasysh të kaluarën e saj naziste dhe vendosjet më të fundit në Afganistan dhe Mali, të cilat u konsideruan si dështime.
Gjithashtu, ka një reagim negativ kundër shpenzimit të miliarda eurove për ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ekonomia e vetë Gjermanisë po përballet me vështirësi.
Ndërkohë, politikëbërësit janë nervozë për mbingarkesën e ushtrisë së Gjermanisë, e cila është lënë pas dore prej kohësh, dhe për t'u zhytur në një përballje të drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore.
"Diçka e tillë është padyshim jashtëzakonisht e diskutueshme në Gjermani", ka thënë Marcel Dirsus, bashkëpunëtor jo-rezident në Institutin për Politikat e Sigurisë në Universitetin e Kiel, duke shtuar se qeveria duhet të veprojë me shumë kujdes.
"Nuk ka kuptim të shpenzosh kapital politik për diçka që mund të mos ndodhë në të vërtetë", ka thënë ai.
Merzi pasi ka fituar zgjedhjet këtë vit, është zotuar t'i bëjë forcat e armatosura konvencionale të Gjermanisë më të fuqishmet në Evropë, të mbështetura nga qindra miliarda euro në huamarrje të reja.
Jens Spahn, kreu parlamentar i partisë Unioni Kristian Demokrat (CDU) të Merzit, u shkroi ligjvënësve duke i nxitur ata të përmbahen nga spekulimet publike rreth kësaj çështjeje, sipas një letre të zbuluar në mediat gjermane.
Popullariteti i Merzit ka rënë që kur ka fituar zgjedhjet dhe AfD-ja, e cila ka mbajtur qëndrime miqësore me Rusinë dhe kundërshton ndihmën me armë për Ukrainën, po kryeson sondazhet kombëtare të opinionit përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm.
AfD-ja ka postuar një imazh të improvizuar në X të Merzit me fjalët: "Merz dëshiron t'JU dërgojë JU në Ukrainë? Ne jo!"
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer kanë folur të dy në favor të vendosjes së trupave në një zgjidhje pas luftës, por gjermanët janë më të kujdesshëm ndaj idesë.
Sipas një sondazhi të Forsa të porositur nga RTL/ntv, 49% e gjermanëve do të mbështesnin Gjermaninë që të dërgonte ushtarët e saj në një forcë paqeruajtëse evropiane, por 45% e kundërshtojnë atë - krahasuar me shumica shumë më të forta që ishin në favor në Britani dhe Francë.
Skepticizmi është veçanërisht i fortë në Gjermaninë lindore, ku tre shtete mbajnë zgjedhje vitin e ardhshëm.