Botë

Dronët për të cilët Gjermania do të shpenzojë mbi 250 mln euro s’kanë dhënë rezultat në Ukrainë

Droni HX-2

Gjermania po përgatitet të shpenzojë qindra miliona euro për një sistem të ri dronësh të armatosur, pikërisht në një moment kur të dhënat nga fusha e betejës në Ukrainë vënë seriozisht në dyshim efektivitetin e tyre, shkruan Politico.

Blerja e planifikuar prej 267.7 milionë eurosh për dronët HX-2 është pjesë e përpjekjeve të Berlinit për modernizimin e ushtrisë dhe shndërrimin e Bundeswehrit në një forcë të aftë për luftë. Projekti është pjesë e një programi shumë-miliardësh, i bërë urgjent nga kërcënimi rus dhe tërheqja graduale e SHBA-së nga roli tradicional i sigurisë në Evropë.

Megjithatë, të dhënat nga Ukraina hapin mundësinë që forcimi i fundit i kapaciteteve ushtarake gjermane të përfundojë në një skenar tashmë të njohur për Bundeswehrin: investime të mëdha në pajisje të reja që nuk përmbushin pritshmëritë në terren. Politico ka kujtuar dështimet e mëparshme, kur aeroplanët luftarakë mbeteshin në tokë, helikopterë ishin jashtë funksionit dhe ushtarët detyroheshin të mbështeteshin në mjete bazike, si komunikimi i sigurt me radio apo furnizimi me municion.

Gjermania planifikon të blejë 4,350 dronë HX-2, së bashku me simulatorë, pajisje trajnimi dhe aksesorë teknikë.

“HX-2 është testuar me sukses në operacione luftarake në vijën e parë në Ukrainë dhe performanca e sistemit është dokumentuar”, thuhet në faqen e kompanisë Helsing, duke shtuar se sistemi është miratuar për përdorim në fushëbetejë dhe është përfshirë në sistemin qendror të prokurimit ushtarak të Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, kompania bën thirrje për testime të gjera edhe jashtë Ukrainës. Sipas Helsing, gjatë testimeve në Gjermani e Britani të Madhe, HX-2 ka arritur një shkallë goditjeje afër ose të barabartë me 100 për qind, për çka pretendohet se ekzistojnë raporte të shkruara testimi.

Por, bazuar në misionet e vlerësuara në Ukrainë, shkalla e suksesit të HX-2 ka qenë vetëm 36 për qind, që do të thotë se droni ka arritur objektivin në vetëm pesë nga 14 përdorime. Humbjet, sipas të dhënave, kanë ardhur kryesisht si pasojë e problemeve që lidhen me vetë sistemin.

Nuk është e qartë nga dokumentet nëse dronët që Gjermania planifikon të blejë janë identikë me ata të përdorur në Ukrainë apo nëse bëhet fjalë për variante më të avancuara.

Parlamenti gjerman duhet të miratojë të gjitha kontratat ushtarake që tejkalojnë vlerën prej 25 milionë eurosh. Vendimi pritet të merret deri në fund të shkurtit.