Botë

Dy të vdekur nga sulmet ukrainase në Rusinë jugore

Rusi

Foto: Associated Press

Dy persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një sulm me dron ukrainas në Novorossiysk, një qytet në rajonin jugor të Krasnodarit të Rusisë, të mërkurën, ka thënë Guvernatori Veniamin Kondratyev në një deklaratë.

Dronët goditën qendrën e qytetit "në mes të ditës", ka thënë Kondratyev, duke shtuar se pesë ndërtesa banimi dhe një hotel janë dëmtuar, raporton AP.

Ndërtesa e zyrave të Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) në Novorossiysk është goditur gjithashtu. 

Dy punëtorë janë dërguar në spital me lëndime, ka thënë kompania në një deklaratë.

CPC-ja është një projekt i madh ndërkombëtar për ndërtimin dhe funksionimin e një tubacioni nafte që transporton naftë nga Kazakistani dhe Rusia në terminalin detar në Novorossiysk.