Botë

Fati i pengjeve po përndjek Izraelin

Ndonëse kjo është më e madhja ndër vite, Izraeli ka përjetuar shumë kriza pengjesh. Gjatë viteve 1980, shteti tregoi se ishte gati të paguajë çmime të larta për qytetarët me shkëmbime të të burgosurve me grupet e armatosura palestineze dhe libaneze. Sheikh Ahmad Yassin, i cili më vonë themeloi Hamasin, ishte liruar në një shkëmbim të burgosurish

Fytyrat e tyre të buzëqeshura duken nga anët e rrokaqiejve, muret mes restoranteve dhe bareve të Tel-Avivit dhe në një ekran gjigant në hyrjen e një qendre tregtare.

Më shumë se 240 pengje u rrëmbyen nën kërcënimin e armëve më 7 tetor nga shtëpitë e tyre ose nga vendet e punës pranë Rripit të Gazës nga bazat ushtarake dhe nga një festival muzikor.

Në mesin e pengjeve janë 30 fëmijë, më i vogli ishte vetëm nëntë muaj. Por qëkur militantët e Hamasit i larguan ata në drejtim Gazës, fati i shumicës mbetet i panjohur.

Për izraelitët që ende po vuajnë nga masakra e 7 tetorit, pengjet janë traumë që po vazhdon.

“Kjo është fotoja e fundit që kemi nga halla ime. Ajo u mor me motoçikletë nga dy terroristë”, thotë Eyal Nouri, duke më treguar fotografinë e Amina Moshe, 72-vjeçare, e larguar nga Nir Oz, kibucin ku ajo jetoi për 50 vjet.

“Asnjë fëmijë, asnjë foshnjë, asnjë grua e moshuar nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë konflikti. Është diçka kundër njerëzimit që të rrëmbesh fëmijë”.

Ndonëse kjo është më e madhja ndër vite, Izraeli ka përjetuar shumë kriza pengjesh.

Gjatë viteve 1980, shteti tregoi se ishte gati të paguajë çmime të larta për qytetarët me shkëmbime të të burgosurve me grupet e armatosura palestineze dhe libaneze. Sheikh Ahmad Yassin, i cili më vonë themeloi Hamasin, ishte liruar në një shkëmbim të burgosurish.

Edhe kufomat e ushtarëve izraelitë u shkëmbyen me qëllim që të varroseshin me ceremoni fetare.

Pastaj në vitin 2006, Hamasi rrëmbeu ushtarin 19-vjeçar, Gilad Shalit, në një bastisje ndërkufitare. Babai i tij, Noam, e udhëhoqi fushatën e dhimbshme 5-vjeçare për ta kthyer në shtëpi, duke theksuar “kontratën e pashkruar” midis shtetit dhe rekrutëve të tij.

Benjamin Netanyahu, kryeministër atëherë dhe tani - e nënshkroi shkëmbimin më të madh të të burgosurve për kthimin e një ushtari. Më shumë se 1 mijë të burgosur u liruan, duke përfshirë Yahya Sinwar, i cili shkoi për ta udhëhequr Hamasin në Gaza, dhe dukshëm i dirigjoi sulmet e 7 tetorit.

Një figurë kyç e përfshirë në marrëveshjen Shalit sheh dallim mes rrethanave të atëhershme dhe të tanishme, të cilat ai mendon që do ta parandalojnë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Ne kishim 5 vjet e katër muaj që të ndërtonim besimin me Gilad Shalit. [Tani], kemi pak ditë. E ardhmja e pengjeve do të vendoset në ditët në vijim”, thotë Gershon Baskin, aktivist izraelit i paqes, i cili udhëhoqi bisedat e fshehta mes kanaleve me Hamasin.

Komplikimi kryesor këtë herë, thotë ai, është shkalla e mizorive. “Çfarë bëri Hamasi, ata shkelën vijën, ku është e palogjikshme që ata të jenë në pushtet në Gaza pasi lufta të ketë mbaruar”, thotë Baskins.

“Kështu që është pak kontradiktore të përpiqesh të negociosh me njerëzit që ti ke për qëllim t’i vrasësh”, shton ai.

Në fillim, Katari ndërmjetësoi lirimin e një nëne dhe vajze amerikano-izraelite dhe Egjipti ndihmoi që t’i lirojë dy pengje, gra të moshuara izraelite. Sidoqoftë, deri tani asnjë marrëveshje nuk është arritur për lirimin e pengjeve.

Këtë javë, krahu ushtarak i Hamasit ka deklaruar se ishte gati të lironte deri në 70 gra dhe fëmijë të mbajtur në Gaza në këmbim të armëpushimit pesëditor.

Duke folur për rrjetin amerikan, NBC të dielën, Netanyahu ngriti mundësinë e marrëveshjes. Presidenti Joe Biden që atëherë ka njoftuar se është angazhuar në diskutime të përditshme që të sigurojë lirimin e pengjeve dhe beson se kjo do të ndodhë.

Sidoqoftë, publikisht, Izraeli ka refuzuar armëpushimin, duke thënë se Hamasi do ta përdorte për t’u rigrupuar. Ka thënë se mund të pranojë pauza humanitare më të shkurtra.

Sondazhet tregojnë se pozita është e përkrahur nga shumë izraelitë. Në sondazhin e fundit nga Instituti i Demokracisë në Izrael, përgjigjja më e zakonshme- nga 38% e të anketuarve- ishte se Izraeli duhet të negociojë marrëveshjen për pengjet, por të vazhdojë të luftojë. Në përgjithësi, 70% e të anketuarve nuk mendonin që lufta duhet ndalur.

“Në rikthim të pengjeve ata janë gati t’i japin të burgosurit palestinezë. Por pikëpamja e famshme është të thuash: ‘mos ndalo luftën’”, thotë profesori Tamar Hartman, i cili e organizoi sondazhin.

“Është për shkak se çmimi për të ndalur luftën tani mund të jetë më i madh sa i përket jetës së njerëzve, nëse ndalojmë synimet e luftës nuk do të arrihen”.

Një grup i vogël këmbëngulës i të anketuarve - rreth një e pesta - refuzojnë çdo marrëveshje me Hamasin. Shumë izraelitë theksojnë se si në të kaluarën, të burgosurit - si Yahya Sinwar- të cilët tashmë kishin gjak në duart e tyre u liruan dhe vazhduan të komplotonin sulme të mëtejshme vdekjeprurëse.

Me shanset kundër tyre, familjet dhe përkrahësit e pengjeve kanë gjetur mënyra kreative për të rritur presionin publik.

Një instalacion i madh arti që mbush sheshin HaBima në Tel-Aviv, përmbante disa shtretër bosh për çdo të rritur, fëmijë dhe çift të zhdukur në Gaza.

Çdo të premte, të afërmit mblidhen në atë që tani njihet si Këndi i Pengjeve jashtë Muzeut të Arteve. Ata e vendosin një tavolinë gjigante me hapësira për secilin person që është marrë peng.

Të martën, një turmë e madhe filloi një marsh 63-kilometrash nga Tel-Avivi deri te zyra e kryeministrit në Jerusalem, që të shtyjë qeverinë të veprojë.

Pas çdo dite që kalon, frika rritet për pengjet. Hamasi thotë se dhjetëra vetëm se janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite.

Përvoja e mëparshme i ka mësuar izraelitët që marrëveshjet mund të bëhen, por tani intensiteti i luftës së vazhdueshme sjell nivel tjetër të urgjencës.

Përktheu: Bleona Ameti