Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) ka njoftuar të shtunën se dy punonjës amerikanë të ndihmës janë plagosur, por pa rrezik për jetën, “në një sulm të qëllimshëm në një vend shpërndarjeje ushqimi në Gaza”.
GHF-ja, një organizatë me mbështetje nga SHBA-ja dhe Izraeli, deklaroi se të plagosurit po marrin trajtim mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme.
“Sipas informacioneve paraprake, sulmi ndodhi kur dy persona hodhën dy granata drejt amerikanëve, në përfundim të një shpërndarjeje të suksesshme ushqimesh, ku mijëra banorë të Gazës morën ndihma ushqimore në mënyrë të sigurt”, thuhet në deklaratë.
Përveç punonjësve të ndihmës, GHF-ja punëson edhe kontraktorë privatë amerikanë me përvojë ushtarake për të pasur më shumë siguri në pikat e shpërndarjes, raporton Reuters.
Nuk është ende e qartë se kush qëndron pas sulmit. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për rastin.
Ndërkohë, autoritetet në Gaza raportuan se dhjetëra palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite në 24 orët e fundit, përfshirë edhe pranë pikave të ndihmës ushqimore.
Ministria e Brendshme e kontrolluar nga Hamasi në Gaza pati paralajmëruar të enjten banorët që të mos bashkëpunojnë me GHF-në, duke thënë se incidentet e rrezikshme afër vendeve të shpërndarjes rrezikojnë jetën e njerëzve të uritur.
GHF-ja pretendon se ka shpërndarë mbi 52 milionë shujta për palestinezët brenda pesë javëve, ndërkohë që, sipas tyre, ndihmat e organizatave të tjera janë grabitur pothuajse të gjitha.
Që nga data 19 maj, kur Izraeli hoqi një bllokadë 11-javore të ndihmave për Gazën, OKB-ja ka raportuar se mbi 400 palestinezë janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ndihma. Një zyrtar i lartë i OKB-së tha javën e kaluar se shumica janë vrarë pranë pikave të shpërndarjes të GHF-së.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 70 persona janë vrarë nga ushtria izraelite në 24 orët e fundit, përfshirë 23 pranë pikave të ndihmave. Nuk u dha informacion i saktë për vendndodhjen apo mënyrën se si ndodhën vrasjet.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit kundër Hamasit, pas sulmit të befasishëm të këtij grupi më 7 tetor 2023, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se mbi 57.000 palestinezë janë vrarë.
Në atë sulm fillestar, militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael dhe morën 251 pengje. Aktualisht, 50 pengje ndodhen ende në Gaza, dhe besohet se 20 prej tyre janë gjallë.