Botë

Fushata e deportimeve e Trumpit ndikon edhe te mësuesit në SHBA

mesimdhenesit

Mësuesit emigrantë në Shtetet e Bashkuara po përballen me frikën e deportimit dhe humbjes së vendit të punës, si pasojë e politikave të ashpra të emigracionit nën administratën Trump. Ndërsa shkollat vuajnë mungesën e mësuesve, largimi i papritur i edukatorëve po lë pasoja të rënda emocionale dhe arsimore te fëmijët. Prindër, psikologë dhe drejtues shkollash paralajmërojnë se kjo pasiguri po dëmton stabilitetin e klasave dhe shëndetin mendor të nxënësve.

(Al – Jazeera) - Për dy vjetët e fundit ditët e javës për Susannën kanë kaluar mes shfletimit të librave me figura, organizimit të dollapëve të fëmijëve dhe drejtimit të këngëve në klasë.

Por puna e saj si mësuese parashkollore u ndërpre papritur në tetor, kur mësoi se kërkesa për vazhdimin e lejes së punës i ishte refuzuar.

Susanna, e cila përdor një pseudonim në këtë artikull nga frika e pasojave, është një nga afro 10 për qind të mësuesve në Shtetet e Bashkuara që janë emigrantë.

Ndërkohë që SHBA-ja ka kërkuar gjithnjë e më shumë mësues nga jashtë për të plotësuar mungesat në arsim, disa mësues me origjinë të huaj thonë se fushata e deportimeve nën presidentin Donald Trump ka vënë në rrezik jetesën e tyre dhe rrezikon të traumatizojë edhe nxënësit e tyre.

Susanna, një aplikuese për azil që u largua nga dhuna në Guatemalë gati një dekadë më parë, tha se humbja e lejes së punës e detyroi të ndalonte menjëherë së punuari.

Ajo kujton momentin kur u desh t’ua jepte lajmin nxënësve të saj, disa prej të cilëve ishin vetëm tre vjeç. Shumë prej tyre ishin tepër të vegjël për ta kuptuar situatën.

“Brenda një jave humba gjithçka”, i tha Susanna Al Jazeeras në spanjisht.

“Kur u thashë fëmijëve lamtumirë, më pyetën pse, dhe unë u thashë: ‘Mund t’ju them vetëm lamtumirë!’. Disa fëmijë më përqafuan dhe kjo ma theu zemrën’”.

Kërkimi i mësuesve jashtë vendit

Vlerësimet ndryshojnë sa i përket numrit të mësuesve me origjinë të huaj që aktualisht punojnë në SHBA. Por një raport i vitit 2019 nga Universiteti George Mason zbuloi se 857.200 nga 8.1 milionë mësues në vend ishin emigrantë, duke përfshirë nivele nga parashkollori deri në universitet.

Vetëm për vitin shkollor 2023–2024, qeveria amerikane solli 6.716 mësues me kohë të plotë përmes vizave të përkohshme të shkëmbimit, për të mbuluar boshllëqet në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm.

Shumë prej tyre vinin nga Filipinet, si edhe nga vende të tjera si Xhamajka, Spanja dhe Kolumbia.

Megjithatë, pasiguria për emigrantët gjatë mandatit të dytë të Trumpit ka rezultuar shkatërruese për shkollat që mbështeten fort te mësuesit e huaj.

Një rast i tillë është kopshti ku punonte Susanna, CommuniKids, i cili ofron programe arsimore gjuhësore në Uashington, DC.

Bashkëthemeluesi dhe presidenti i tij, Raul Echevarria, vlerëson se emigrantët, si qytetarë amerikanë ashtu edhe joqytetarë me autorizim ligjor pune, përbëjnë rreth 90 për qind të stafit të CommuniKids.

Por Echevarria i tha Al Jazeeras se përpjekjet për të shfuqizuar rrugët ligjore të emigracionit kanë vënë në rrezik punësimin e disa anëtarëve të stafit akademik.

Pesë mësues të tjerë në shkollë e kanë parë të ndikohet e drejta e tyre për të punuar për shkak të ndryshimeve në programin e Statusit të Përkohshëm të Mbrojtjes (TPS).

Të pestit, shpjegon Echevarria, janë me origjinë nga Venezuela. Por në tetor, administrata Trump i dha fund statusit TPS për më shumë se 350.000 shtetas venezuelas, përfshirë edhe mësuesit e CommuniKids.

Autorizimi i tyre për të punuar ligjërisht në SHBA do të skadojë më 2 tetor 2026, sipas faqes së Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së.

“Këta mësues humbën mundësinë për të siguruar jetesën”, tha Echevarria, duke theksuar se shkolla e tij ka nevojë për edukatorë me ekspertizë në gjuhë si spanjishtja, frëngjishtja dhe gjuha mandarine.

“Lidhje të forta”

Për vetë shkollat, humbjet mund të jenë shkatërruese. Çdo shtet në SHBA i ka raportuar qeverisë federale mungesa të mësuesve.

Por, sipas aktivistëve, stresi i lartë dhe paga e ulët në arsim e bëjnë profesionin e mësuesit të vështirë për t’u rekrutuar dhe mbajtur.

Kjo ka bërë që disa shtete të kërkojnë punonjës arsimorë jashtë vendit. Në Karolinën e Veriut, për shembull, 1.063 shtetas të huaj punuan me kohë të plotë si mësues të arsimit fillor me viza të përkohshme J-1 gjatë vitit shkollor 2023–2024.

Destinacionet kryesore për këta mësues ishin shtetet jugore: Karolina e Veriut u pasua nga Florida me 996 mësues me viza J-1 dhe Teksasi me 761.

Por Echevarria thotë se disa nga pasojat më të mëdha të fushatës së deportimeve ndihen te vetë nxënësit.

“Nxënësit tanë krijojnë lidhje shumë të forta me mësuesit e tyre dhe papritur, brenda natës, i humbën ata”, tha Echevarría.

“Superfuqia e tyre numër një”, shtoi ai, “është aftësia për të ndier empati dhe për të krijuar lidhje të forta dhe efektive me njerëz nga çdo prejardhje”.

Por kur këto lidhje ndërpriten, pasojat mund të jenë serioze për shëndetin mendor dhe përparimin arsimor, veçanërisht te fëmijët më të vegjël.

Një studim i vitit 2024, i publikuar nga Shoqata Amerikane për Kërkime në Arsim, zbuloi se kur mësuesit largohen në mes të vitit shkollor, zhvillimi gjuhësor i fëmijëve pëson një rënie të matshme.

Me fjalë të tjera, humbja e një mësuesi të njohur, dikujt që njeh rutinën, pikat e forta dhe frikën e tyre - mund të ngadalësojë në heshtje përparimin e një fëmije. Pasojat shtrihen edhe në stabilitetin emocional të fëmijës.

Pasojat për shëndetin mendor

Për prindër si Michelle Howell, fëmija i së cilës ndjek CommuniKids, humbja e mësuesve e ka bërë ambientin e klasës të ndihet i brishtë.

“Mësuesit atje nuk janë thjesht mësues për këta fëmijë të vegjël”, tha Howell për CommuniKids. “Ata janë si familje. I përqafojnë, i mbajnë pranë, bëjnë gjëra që do t’i bënte një prind. Kur këta njerëz zhduken, nuk është e vështirë vetëm për fëmijët. Është e vështirë për të gjithë”.

Howell, e cila është amerikane me origjinë kineze, tha se largimet e papritura ia kujtuan historinë e familjes së saj.

“Lexoja për gjëra të tilla që ndodhnin në Kinë, vendin nga i cili familja ime u largua për të gjetur siguri”, tha ajo.

“Është shumë shqetësuese të dish se ajo nga e cila u larguam dikur është realiteti ynë sot. Njerëzit zhduken”.

Psikologia shkollore Maria C, e cila kërkoi të mbetej anonime për të mbrojtur punën e saj në sistemin publik të arsimit në Teksas, ka vënë re se fëmijët me të cilët punon po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga fushata e deportimeve.

Zhdukja e një personi të dashur ose mentori - siç është një mësues i preferuar, mund ta mbushë trupin e një fëmije me kortizol, hormon që normalisht e mbron trupin në momente rreziku, shpjegoi ajo.

Por kur ky stres bëhet kronik, i njëjti hormon fillon të dëmtojë më shumë sesa të ndihmojë. Ai ndërhyn në kujtesë, përqendrim dhe rregullim emocional.

“Për disa, kjo shfaqet si ankth. Për të tjerët, si depresion ose shpërthime të papritura”, tha Maria.

“Ata janë në gjendje ‘lufto ose ik’ gjatë gjithë ditës”.

Ajo shtoi se mutizmi selektiv, një çrregullim ankthi, është në rritje te fëmijët që ajo ndjek, të moshës nga pesë deri në 12 vjeç.

“Më parë ishte i rrallë, ndoshta një rast për shkollë”, tha ajo. “Tani e shoh vazhdimisht. Është një simptomë e heshtur e frikës”.

Përgatitja për më të keqen

Në CommuniKids, Echevarría shpjegoi se ai dhe stafi kanë përgatitur plane emergjente, në rast se autoritetet e emigracionit shfaqen në ambientet e kopshtit.

Qëllimi, tha ai, është që si punonjësit ashtu edhe nxënësit të ndihen më të sigurt duke ardhur në shkollë.

“I hodhëm këta hapa me shkrim, sepse donim që stafi ynë të dinte se nuk janë vetëm”, tha ai.

“Kemi avokatë në gatishmëri. Bashkëpunojmë me policinë lokale. Por, mbi të gjitha, detyra jonë është t’i mbrojmë fëmijët”.

Si masë shtesë sigurie, mësuesit këshillohen të mbajnë me vete pasaportat ose lejet e punës.

Edhe vetë Echevarria, qytetar amerikan i lindur në Virxhinia, tha se e mban pasaportën gjithmonë me vete. Frika nga deportimi, sipas tij, mbetet gjithmonë e pranishme.

“Jam bilingual dhe me prejardhje hispanike”, tha ai. “Duke parë situatën, dua të jem në gjendje të provoj se jam shtetas nëse dikush ndonjëherë e vë në dyshim”.