Botë

Gjendet i vdekur në burg “bosi” i kriptomonedhave që u arrestua në Shqipëri

Faruk Fatih Ozer

Faruk Fatih Ozer, themeluesi i këmbimores për kriptomonedha, “Thodex”, është gjetur i vdekur në qeli në një burg të sigurisë së lartë në Turqi.

Sipas mediave turke, Ozer është gjetur i varur me një çarçaf pas derës së banjës në qelinë e tij.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur hetime për rastin, ndërsa trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Në aktakuzën e përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme e Anadollit, thuhej se kompania “Thodex”, e themeluar nga Faruk Fatih Ozer me një kapital prej 12 mijë eurosh, kishte mashtruar përdoruesit përmes veprimeve të paligjshme në platformën e tregtimit të kriptomonedhave.

Faruk Fatih Ozer ishte arrestuar në Shqipëri më 30 gusht 2022, pasi kërkohej në Turqi si person në arrati për mashtrimin e mijëra investitorëve. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Durrës për ekstradim, ai u dërgua në Turqi më 20 prill 2023.

Më 7 shtator 2023, Gjykata e Lartë Penale e Anadollit e dënoi me 11 mijë e 190 vjet burgim për “krijim organizate kriminale”, “mashtrim të kualifikuar” dhe “pastrim të pasurive”.