Botë

GJNP-ja i vlerëson si sulm sanksionet e SHBA-së ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të saj

gjnp

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka njoftuar të enjten se i “kundërshton” sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të saj.

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar sanksione të reja për dy gjyqtarë dhe dy prokurorë të GJNP-së, për shkak të përpjekjeve të tyre për të ndëshkuar zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë, ka shkruar BBC.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar GJNP-në si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, tek ka shtuar se “ajo është përdorur si instrument për luftë ligjore” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshëndetur vendimin e SHBA-së. 

GJNP-ja kishte lëshuar fletarrestime për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, nën akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.

Qeveria e Francës i është bashkuar GJNP-së në kundërshtimin e vendimit të SHBA-së, duke shprehur “habi” teksa njëri nga gjyqtarët e saj, Nicolas Guillou, ishte në mesin e të sanksionuarve.

Të tre zyrtarët e tjerë në listën e Departamentit amerikan të Shtetit janë edhe gjyqtarja Kimberley Prost nga Kanadaja, si dhe zëvendës-prokurorët Nazhat Shameem Khan e Fijit dhe Mame Mandiaye Niang prej Senegalit.

GJNP-ja është gjykatë ndërkombëtare me autoritetin për të ngritur çështje të nivelit të lartë lidhur me gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Mes tjerash, zyrtarët e GJNP-së i kanë vlerësuar sanksionet e fundit si “sulm flagrant” mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.