Botë

Gjuha e butë e G-20-s ndaj Rusisë

Delegacionet perëndimore e përshëndetën marrëveshjen, me kancelarin gjerman Olaf Scholz që e quajti atë “sukses të diplomacisë indiane”. Ai u ka thënë gazetarëve se ishte domethënëse që në fund Rusia kishte “hequr dorë nga rezistenca e saj” dhe kishte nënshkruar marrëveshjen që përmendte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës

Top njëzet ekonomitë e botës kanë shtuar Unionin Afrikan si anëtare më e re e samitit të përvitshëm të shtunën dhe nikoqirja India arriti të bënte bashkë grupin për vendosjen e nënshkrimeve në deklaratën përfundimtare, por vetëm pasi u zbut gjuha ndaj çështjes së vazhdueshme të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në muajt para samitit të liderëve në New-Delhi, India e kishte të pamundur të arrinte marrëveshjen në fjalëformimin për Ukrainën. Rusia dhe Kina vazhdimisht kundërshtonin gjuhën për të cilën ishin pajtuar në samitin e G-20-s të vitit të kaluar në Bali.

Deklarata përfundimtare, e publikuar një ditë para mbylljes formale të Samitit, shpërfaqte “vuajtjet njerëzore dhe ndikimin negativ të luftës në Ukrainë”, por nuk e përmendte pushtimin nga Rusia.

Deklarata citonte kartën e OKB-së, duke shkruar se “të gjitha shtetet duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës për të kërkuar përvetësim territorial kundër integritetit territorial dhe sovranitetit ose pavarësisë politike të çdo shteti. Përdorimi ose kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është i papranueshëm”.

Për kontrast, deklarata e Balit citonte rezolutën e OKB-së që dënonte “agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës” dhe se “shumica e anëtareve fuqishëm dënojnë luftën në Ukrainë”.

Nazia Hussain, hulumtuese në “Rajaratnam School of International Studies” në Singapor, thotë se deklarata tregonte “zbutje të gjuhës ndaj luftës në Ukrainë”.

“Sidoqoftë, për New-Delhin, të dalë me deklaratë të përbashkët me disa referenca për Ukrainën, ose deklaratë të përbashkët për të gjithë, sidomos me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë, Kinën dhe Rusinë duke forcuar qëndrimin për luftën, është fitore”, shton ajo.

Shumë ishin skeptikë se do të kishte deklaratë përmbyllëse, e cila do të ishte hera e parë që nuk do të publikohej dhe do të ishte goditje për prestigjin e G20-s.

Delegacionet perëndimore e përshëndetën marrëveshjen, me kancelarin gjerman Olaf Scholz që e quajti atë “sukses të diplomacisë indiane”. Ai u ka thënë gazetarëve se ishte domethënëse që në fund Rusia kishte “hequr dorë nga rezistenca e saj” dhe kishte nënshkruar marrëveshjen që përmendte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, duke folur në kushte anonimiteti për të, thotë se BE-ja nuk kishte hequr dorë nga asnjë pozicion i saj dhe fakti që Rusia kishte nënshkruar marrëveshjen ishte i rëndësishëm.

“Opsioni që kemi është tekst ose pa tekst, dhe mendoj se është tekst më i mirë”, thotë ai. “Të paktën nëse nuk zbatohen, ne e dimë edhe një herë se nuk mund të mbështetemi tek ata”.

Reagimi i Rusisë

Negociatorja ruse Svetlana Lukash i përshkroi si shumë të vështira diskutimet për deklaratën përfundimtare mbi pjesën lidhur me Ukrainën, duke shtuar se teksti i rënë dakord kishte “pamje të balancuar” të situatës.

Ajo thotë se Ukraina nuk ishte pika e vetme e mosmarrëveshjes në arritjen e deklaratës dhe akuzoi se fuqitë perëndimore ishin përpjekur të zbatonin idenë se “është konflikti ukrainas që provokon të gjitha krizat në botë tani”.

Në të kundërt, pati mbështetje të gjerë për shtimin e Unionit Afrikan në G20, duke e bërë atë bllokun e dytë rajonal që u bë anëtar i përhershëm pas BE-së dhe duke i shtuar vrull përpjekjes së kryeministrit indian Narendra Modi për t’i dhënë zë më të madh Jugut Global.

Kontinenti ishte në qendër të vëmendjes edhe nga tërmeti në Marok, i cili ndodhi teksa shumica e delegatëve të mbledhur në New-Delhi ishin në gjumë. Modi ofroi ngushëllime dhe mbështetje në fjalën e tij hapëse.

“I gjithë komuniteti botëror është me Marokun në këtë kohë të vështirë dhe ne jemi të gatshëm t'i ofrojmë të gjithë ndihmën e mundshme”, ka thënë ai.

Ai i porositi udhëheqësit se duhet të gjejnë “zgjidhje konkrete” për sfidat e përhapura që, sipas tij, rrjedhin nga “ngritjet dhe uljet në ekonominë globale, ndarja e veriut dhe jugut, hendeku midis lindjes dhe perëndimit” dhe çështje të tjera si terrorizmi, siguria kibernetike, shëndeti dhe siguria e ujit.

India me emër të ri

Modi iu drejtua delegatëve nga pas tabelës që e rendiste vendin e tij jo si Indi, por si “Bharat”, emër i lashtë sanskrit i mbrojtur nga mbështetësit e tij nacionalistë hindu.

India në samit synonte që fokusi të ishte në adresimin e nevojave të botës në zhvillim – ani pse ishte e pamundur të shkëputeshin shumë çështje si siguria ushqimore dhe energjetike e deri te lufta në Ukrainë.

Samiti është mbajtur vetëm disa ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin kishte njoftuar se marrëveshja historike e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia që lejonte Ukrainën të eksportonte drithë përmes Detit të Zi nuk do të rifunksionalizohet derisa vendet perëndimore të përmbushin kërkesat e tij për eksportet bujqësore të Rusisë.

G20 kërkoi rifillimin e dërgesave të grurit, ushqimeve dhe plehrave nga Rusia dhe Ukraina, duke thënë se ishte e nevojshme të ushqeheshin njerëzit në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës në zhvillim.

Rusia ka sulmuar portet ukrainase dhe G20 në deklaratën e saj përfundimtare bëri thirrje gjithashtu për t’iu dhënë fund sulmeve ndaj infrastrukturës që lidhet me eksportet e grurit dhe shprehu “shqetësim të thellë” për efektin e konflikteve te civilët.

G20 përfshin Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Italinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Spanja mban ulësen e përhershme të të ftuarës.

Mungesa e Putinit

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, vendosën të mos merrnin pjesë sivjet, duke u siguruar që të mos ketë biseda të ashpra ballë për ballë me homologët e tyre amerikanë dhe evropianë.

Pjesëmarrësit që mbërritën në kryeqytetin indian u përshëndetën nga rrugët e pastruara nga trafiku dhe u dekoruan me lule të freskëta dhe posterë në dukje të pafundme me slogane dhe fytyrën e Modit. Siguria ishte shumë e rreptë, me shumicën e gazetarëve dhe publikut të mbajtur larg nga vendi i samitit.

Qindra të mërguar tibetianë mbajtën protestë larg vendit të samitit për ta dënuar pjesëmarrjen kineze në ngjarje dhe për t'i nxitur udhëheqësit të diskutojnë marrëdhëniet kinezo-tibetiane.

Agjenda e G20-s paraqiste çështje kritike për vendet në zhvillim, duke përfshirë karburantet alternative si hidrogjeni, efikasiteti i burimeve, siguria ushqimore dhe zhvillimi i një kuadri të përbashkët për infrastrukturën publike digjitale.

“Human Rights Watch” u kërkoi udhëheqësve të G20-s të mos lejojnë që përçarja ndërkombëtare mbi Ukrainën t'i shpërqendrojë ata në samit nga çështjet e tjera.

Përveç kësaj, Meenakshi Ganguly, zëvendësdrejtor i divizionit të organizatës për Azinë, ka thënë se anëtarët nuk duhet larguar nga diskutimi i hapur i sfidave si diskriminimi gjinor, racizmi dhe barriera të tjera të rrënjosura për barazinë, duke përfshirë Indinë nikoqire, ku të drejtat civile dhe politike janë përkeqësuar ndjeshëm nën qeverisjen e Modit.

Të premten në mbrëmje, përpara se takimi të fillonte zyrtarisht, Modi u takua me presidentin e SHBA-së Joe Biden. Ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë, Kurt Campbell, ka thënë para gazetarëve se kishte “ngrohtësi dhe besim të pamohueshëm midis dy liderëve”.

Teksa rivalja rajonale e Indisë, Kina është bërë gjithnjë e më e sigurt në rajonin e Azisë-Paqësorit, SHBA-të kanë kërkuar të forcojnë lidhjet me Indinë dhe shtetet e tjera.

SHBA-ja, India, BE-ja dhe të tjerat shtete shpalosën plane ambicioze të shtunën për të ndërtuar korridorin hekurudhor dhe detar që lidh Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën që synon të forcojë rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin politik.

“Kjo është punë vërtet e madhe”, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.