Botë

Gjyqi i Le Penit përfundon sot por kandidatura e saj presidenciale mbetet në rrezik

Marine Le Pen

Marine Le Pen

Foto: Associated Press

Gjyqi i apelit i Marine Le Pen lidhur me pretendimet se ajo kishte keqpërdorur fondet e Parlamentit Evropian përfundon të mërkurën, teksa mbetet në pikëpyetje se a do të mundet liderja e së djathtës ekstreme franceze të kandidojë për presidente vitin e ardhshëm.

Le Pen, 57 vjeç, po kundërshton një vendim të marsit 2025 që e shpalli atë dhe mbi 20 anëtarë të tjerë të partisë së saj “Tubimi Kombëtar” fajtorë për keqpërdorim të fondeve të Parlamentit Evropian në punësimin e asistentëve gjatë viteve 2004–2016, si dhe e ndaloi të mbajë poste të zgjedhura për pesë vjet.

Ajo mohon akuzat se ishte në qendër të një skeme mashtruese që synonte përvetësimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

Vendimi i apelit do të shpallet në një datë të mëvonshme, me gjasë para verës.

Ambiciet presidenciale të Le Penit mund të varen nga ky rast.

Le Pen konsiderohej gjerësisht si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar presidentin centrist Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit 2027, derisa një gjykatë në Paris e ndaloi të mbajë poste publike për shkak të akuzave për keqpërdorim të parave publike.

Ajo ka qenë dy herë kandidate në balotazh kundër Macronit në vitet 2017 dhe 2022, ndërsa partia e saj “Tubimi Kombëtar” ka dalë në krye të sondazheve në vitet e fundit.

Gjyqi i apelit përbën një mundësi të dytë për të fituar pafajësinë, e cila do t’i hapte rrugën garës presidenciale.

Nëse shpallet sërish fajtore, Le Pen mund të dënohet me ndalim për të mbajtur poste publike. Nëse ndodh kjo, ajo ka deklaruar se do të kandidonte në vend të saj kryetari i partisë së saj, Jordan Bardella.

Popullariteti i Bardellas është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por disa vëzhgues kanë theksuar mungesën e tij relative të përvojës, veçanërisht në çështjet ndërkombëtare dhe ekonomike, si një dobësi të mundshme për një kandidaturë presidenciale.

Le Penit i janë bashkuar në apel edhe 10 zyrtarë të tjerë që u dënuan vitin e kaluar, si dhe vetë partia.

Ata kërkojnë rrëzimin e dënimeve për keqpërdorimin e fondeve të destinuara për asistentët e Parlamentit Evropian gjatë viteve 2004–2016, kur Le Pen ishte deputete e Parlamentit Evropian.

Prokurorët thonë se ajo punësoi disa persona si asistentë parlamentarë të BE-së, por i bëri ata të punonin për partinë e saj. Hetimi tregoi se disa prej tyre nuk kishin asnjë kontakt me deputetë të

Parlamentit Evropian, ndërsa njëri prej tyre vepronte si truprojë e Le Penit, në kundërshtim me rregullat parlamentare.

Në mars 2025, një gjykatë në Paris vendosi se Le Penit ishte në qendër të një “sistemi mashtrues” që partia e saj përdori për të përvetësuar 2.9 milionë euro (3.4 milionë dollarë) fonde të Parlamentit Evropian. Ajo u dënua me pesë vjet ndalim për të mbajtur poste publike, dy vjet arrest shtëpie dhe dy vjet të tjera dënim me kusht.

Le Pen e cilësoi çështjen si një “skandal demokratik”, ndërsa aktivistët kundër korrupsionit argumentuan se dënimi i saj është provë se askush nuk është mbi ligjin.