Botë

Gruaja burgoset pasi vodhi e shiti ditarin e vajzës së Joe Bidenit

Aimee Harris

Një grua nga Florida u dënua të martën me një muaj burgim për vjedhjen dhe shitjen e ditarit të vajzës së presidentit amerikan, Joe Biden, katër vjet më parë.

Aimee Harris u deklarua fajtore dhe pranoi se kishte marrë 20,000 dollarë nga grupi konservator “Project Veritas”, që paguante për gjësende personale të vajzës së Bidenit, Ashley Biden, raportoi Guardian.

“Project Veritas”, themeluar më 2010, e identifikon veten si organizatë lajmesh. Është më e njohur për kamerat e fshehta që kanë vënë në siklet mediat, sindikatat e politikanët demokratë.

Harris kërkoi falje që shiti shkrimet private të Ashley Bidenit.  

Zyra e prokurorit tha se Harris në vitin 2020 kishte vjedhur ditarin e Ashleyt, një kartelë digjitale, libra, rroba, valixhen dhe “çdo gjë që mund të merrte” me shpresën “që të bënte sa më shumë para të mundte”.