Botë

Hajdutët shqiptarë dënohen në Britani për grabitje, në shënjestër edhe shtëpia e ish-yllit të Aston Villas

Hajdutët shqiptarë dënohen në Britani për grabitje, në shënjestër edhe shtëpia e ish-yllit të Aston Villas

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 56 muaj burgim secili, pasi u shpallën fajtorë për një seri grabitjesh në Britani, ku në shënjestër kishin vënë shtatë prona, përfshirë edhe shtëpinë e një futbollisti të njohur, shkruan “Sky News”.

Sipas Gjykatës, Denis Puka (28 vjeç) dhe Erisjan Laska (29 vjeç), së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar, kishin organizuar një skemë të mirëplanifikuar grabitjesh, duke përdorur maska, mjete pune dhe radio komunikimi. Ata kishin marrë me qira një banesë përmes Airbnb në Warrington, të cilën e përdornin si bazë operimi.

Grabitjet u kryen në qershor të vitit të kaluar në zona të ndryshme të Cheshireit, duke lëvizur me një veturë me targa të rreme.

Mes pronave të shënjestruara ishte edhe shtëpia e futbollistit Scott Hogan, ish-lojtar i Aston Villas, Brentfordit dhe Birmingham Cityt, i cili aktualisht luan për MK Dons. Gjatë tentativës për grabitje, në shtëpi ndodheshin bashkëshortja e tij shtatzënë dhe vajza e mitur. Edhe pse nuk u vodh asgjë, Hogan deklaroi se ngjarja i kishte shkaktuar stres dhe pasiguri të madhe familjes së tij.

Në raste të tjera, të pandehurit hynë në disa banesa pa arritur të vjedhin, ndërsa grabitja e vetme e suksesshme ndodhi në një vilë në Northwich, ku pronarët ishin me pushime. Aty u vodhën ora luksoze të markave Breitling dhe Rolex, me vlerë rreth 9 mijë paund.

Të dy u arrestuan më vonë, pasi policia gjeti veturën e përdorur në grabitje, brenda së cilës u sekuestruan telefona, veshje, mjete për thyerje dhe targa të rreme.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Steven Everett e cilësoi rastin si një “komplot të sofistikuar dhe të mirëorganizuar”, duke theksuar se veprimet e tyre kishin shkaktuar pasoja të rënda për viktimat.