Botë

Hamasi thotë se e pranon një propozim për armëpushim dhe lirim të pengjeve

hamas

Zyrtarët e grupit militant Hamas kanë thënë se e kanë pranuar një propozim për armëpushim në Gazë, që do të përfshinte edhe lirimin e gjysmës së 20 pengjeve izraelite të gjalla që po mbahen ende. Sipas këtij grupi, kjo do të ishte zgjidhja me disa faza për fundin e luftës që deri tash besohet se u ka marrë jetën më shumë se 62 mijë palestinezëve në 22 muaj.

Propozimi doli nga negociatat që u mbajtën së fundmi në Kajro mes Hamasit dhe zyrtarëve ndërmjetës prej Katarit dhe Egjiptit. “Dakordimit” i parapriu edhe protesta më e madhe ndonjëherë në Izrael, me thirrjen për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kritikuar protestën që ishte kundër mënyrës se si ai po i qaset Gazës dhe dështimit të tij për të siguruar lirimin e pengjeve të gjalla.

Propozimi i fundit me të cilin Hamasi thotë se është pajtuar është pezullimi i operimeve ushtarake për 60 ditë si rrugë drejt gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare, sipas burimeve egjiptiane.

Gjatë kësaj kohe, të burgosurit palestinezë duhet të lirohen në këmbim të gjysmës së pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.

Egjipti së fundmi ka marrë rol më udhëheqës në bisedime, sidomos në kohën kur Izraeli ka kërcënuar me nisjen e një ofensive të gjerë ushtarake për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës duke shtuar rrezikun për zhvendosjen e rreth një milion palestinezëve.

Propozimi pritej t’i prezantohej Izraelit të hënën, edhe pse Netanyahu ka thënë se Izraeli më nuk është i interesuar në marrëveshje të pjesshme, por vetëm për lirimin e të gjitha pengjeve përnjëherësh, çarmatimit dhe demilitarizimit të Gazës.