Mohamed Hamdan Dagolo, i njohur si Hemedti, është bërë një nga figurat më të fuqishme dhe më të frikshme të Sudanit. Nga fillimet e tij modeste si tregtar deveje në Darfur, ai ngriti një forcë paraushtarake – Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) – që sot kontrollon gjysmën e vendit. Fitoret e fundit të RSF-së dhe brutaliteti i tyre kanë zhytur Sudanin në një luftë të përgjakshme për pushtet, ndërsa bota shikon nga larg
Mohamed Hamdan Dagolo, i njohur si Hemedti, është bërë një figurë shumë e fuqishme në skenën politike të Sudanit. Forcat e tij paraushtarake, të quajtura Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), tani kontrollojnë gjysmën e vendit.
RSF arriti një fitore të madhe kohët e fundit, kur mori nën kontroll qytetin el-Fasher - që ishte baza e fundit e ushtrisë sudaneze dhe aleatëve të saj lokalë në rajonin perëndimor të Darfurit.
Hemedti është i urryer nga kundërshtarët e tij, por i admiruar nga ndjekësit për vendosmërinë, ashpërsinë dhe zotimin për ta rrëzuar një shtet të korruptuar.
Ai vjen nga një familje me prejardhje të thjeshtë. Familja e tij është nga dega Mahariya e komunitetit arab Rizeigat, që merret me rritjen e deveve dhe që jeton në kufirin mes Çadit dhe Darfurit.
Hemedti ka lindur në vitin 1974 ose 1975 - si shumë njerëz nga zonat rurale, data dhe vendlindja e tij nuk janë regjistruar.
Klanin e tij e udhëhiqte xhaxhai Juma Dagolo. Ata u zhvendosën në Darfur në vitet ’70 e ‘80, duke ikur nga lufta dhe duke kërkuar toka më të mira për bagëtitë. Pastaj u lejuan të vendosen aty.
Pasi braktisi shkollën në moshë të re, Hemedti filloi të fitonte para duke bërë tregti me deve. I shiste ato në Libi dhe Egjipt.
Në atë kohë, Darfuri ishte si “perëndimi i egër” i Sudanit - një vend i varfër, pa ligj dhe i harruar nga qeveria e presidentit të atëhershëm, Omar al-Bashir.
Milicia arabe e njohur si “Xhanzhauid”, përfshirë një grup të udhëhequr nga xhaxhai i Hemedtit, Juma Dagolo - sulmonin fshatrat e popullit vendas Fur.
Kjo dhunë solli një kryengritje të madhe në vitin 2003, ku luftëtarët Fur u bashkuan me grupe të tjera si Masalit dhe Zaghawa, duke thënë se ishin lënë pas dore nga elita arabe e vendit.
Si përgjigje, Bashiri zgjeroi shumë forcat e “Xhanzhauidit” për t’i luftuar rebelët. Këto forca u bënë të njohura për djegie, grabitje, përdhunime dhe vrasje masive.
Njësia e Hemedtit ishte pjesë e tyre. Një raport nga paqeruajtësit e Bashkimit Afrikan thotë se ajo njësi sulmoi dhe shkatërroi fshatin Adwa në nëntor 2004, duke vrarë 126 njerëz, përfshirë 36 fëmijë.
Një hetim amerikan nxori përfundimin se “Xhanzhauidët” ishin përgjegjës për gjenocid.
Konflikti në Darfur u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila ngriti akuza kundër katër personave, përfshirë Bashirin, i cili mohoi se kishte kryer gjenocid.
Hemedti atëherë ishte një komandant i ri dhe nuk u përfshi nga prokurorët. Vetëm një prej tyre, Ali Abdel Rahman Kushayb, i njohur si “koloneli i kolonelëve”, u dërgua në gjyq.
Muajin e kaluar, ai u shpall fajtor për 27 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe dënimi i tij do të jepet më 19 nëntor.

Ngritja e Hemedtit
Në vitet që e pasuan kulmin e dhunës më 2004, Hemedti bëri kujdes me lëvizjet e tij dhe arriti të bëhej udhëheqës i një force të fuqishme paraushtarake, një perandorie ekonomike dhe një makinerie politike.
Është një histori oportunizmi dhe sipërmarrjeje. Në një moment, Hemedti u rebelua për pak kohë, duke kërkuar pagesat që s’ishin bërë për ushtarët e tij, ngritje në detyrë dhe një post politik për vëllain e tij. Bashiri i dha shumicën e gjërave që kërkoi, dhe Hemedti u rikthye në radhët e tij.
Më vonë, kur njësi të tjera të “Xhanzhauidëve” u rebeluan, Hemedti udhëhoqi forcat qeveritare që i mundën ata. Gjatë kësaj kohe, ai mori nën kontroll minierën më të madhe të arit në Darfur, në një vend të quajtur Jebel Amir.
Shpejt, kompania familjare e Hemedtit, Al-Gunaid u bë eksportuesja më e madhe e arit në Sudan.
Në vitin 2013, Hemedti kërkoi dhe mori statusin zyrtar si drejtues i një grupi të ri paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), që i raportonin drejtpërdrejt Bashirit.
“Xhanzhauidët” u përfshinë në RSF dhe morën uniforma, makina e armë të reja - si dhe oficerë nga ushtria e rregullt për t’i ndihmuar në modernizim.
RSF-ja fitoi një betejë të rëndësishme kundër rebelëve të Darfurit, por nuk pati shumë sukses në luftimet në Malet Nuba, afër Sudanit të Jugut. Më pas, mori një kontratë për ta ruajtur kufirin me Libinë.
Zyrtarisht, ata duhej të ndalonin kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga Afrika drejt Mesdheut, por komandantët e Hemedtit u përfshinë në zhvatje dhe, sipas disa raporteve, edhe në trafikim njerëzish.
Në vitin 2015, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kërkuan nga ushtria sudaneze të dërgonte trupa për të luftuar kundër rebelëve Huthi në Jemen.
Këto trupa u komanduan nga një gjeneral që kishte luftuar në Darfur, Abdel Fattah al-Burhan, i cili sot është udhëheqësi i ushtrisë që po lufton kundër RSF-së.
Hemedti pa një mundësi dhe bëri një marrëveshje të veçantë me Arabinë Saudite dhe Emiratet për të dërguar mercenarë të RSF-së.
Lidhja me Abu Dhabin rezultoi shumë e rëndësishme. Ajo shënoi fillimin e një marrëdhënieje të ngushtë me presidentin e Emirateve, Mohamed bin Zayed.
Të rinj sudanezë dhe gjithnjë e më shumë edhe nga vende fqinje, shkonin në qendrat e rekrutimit të RSF-së për të marrë pagesa deri në 6.000 dollarë në momentin e nënshkrimit.
Hemedti krijoi një partneritet me grupin mercenar rus Wagner, duke marrë trajnime në këmbim të marrëveshjeve tregtare, përfshirë ato të arit. Ai vizitoi Moskën për të zyrtarizuar marrëveshjen dhe ndodhej atje ditën kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. Pas shpërthimit të luftës në Sudan, ai mohoi që RSF-ja merrte ndihmë nga Wagneri.
Edhe pse njësitë kryesore të luftimit të RSF-së u bënë gjithnjë e më profesionale, grupi përfshinte edhe milici etnike të vjetra dhe të parregullta.
Kur regjimi u përball me protesta popullore gjithnjë e më të mëdha, Bashiri urdhëroi njësitë e Hemedtit të shkonin në kryeqytet, Kartum.
Duke bërë një lojë fjalësh me emrin e tij, presidenti e quajti himayti, që do të thotë “mbrojtësi im”, sepse i shihte forcat RSF si një kundërpeshë ndaj oficerëve të ushtrisë ose shërbimeve të sigurisë që mund të organizonin një grusht shteti.
Por, kjo doli të ishte një gabim i madh. Në prill të vitit 2019, një kamp i madh protestuesish civilë rrethoi selinë e ushtrisë, duke kërkuar demokraci.
Bashiri urdhëroi ushtrinë të hapte zjarr ndaj protestuesve. Por gjeneralët më të lartë - mes tyre edhe Hemedti, u takuan dhe vendosën ta rrëzonin Bashirin nga pushteti. Lëvizja për demokraci festoi.
Për një kohë të shkurtër, Hemedti u paraqit si fytyra e re e së ardhmes së Sudanit. Ishte i ri, i komunikueshëm, takohej me grupe të ndryshme shoqërore dhe mundohej të dukej si sfidues i klasës së vjetër politike. Por kjo zgjati vetëm disa javë.
Kur ai dhe kreu tjetër i këshillit ushtarak, Burhan, filluan të vononin kalimin e pushtetit te civilët, protestuesit e shtuan presionin. Hemedti u përgjigj me dhunë. RSF-ja vrau qindra njerëz, përdhunoi gra dhe hodhi burra në lumin Nil me tulla të lidhura në këmbë, sipas raportit të organizatës Human Rights Watch (HRW).
Hemedti mohoi që RSF të kishte kryer mizori.
Nën presionin e katër vendeve që po përpiqeshin të sillnin paqe e demokraci në Sudan - SHBA, Britania, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - gjeneralët dhe civilët ranë dakord për një kompromis të përgatitur nga ndërmjetës afrikanë.
Për dy vjet ekzistoi një bashkëjetesë e brishtë midis një këshilli sovran të dominuar nga ushtria dhe një qeverie civile.
Por kur një komision qeveritar po përgatiste raportin për kompanitë që zotëronin ushtria, shërbimet e sigurisë dhe RSF-ja - raport që do të zbulonte mënyrën si Hemedti po zgjeronte shpejt perandorinë e tij ekonomike, Burhan dhe Hemedti përzunë civilët dhe morën pushtetin.
Por më pas ata u përplasën me njëri-tjetrin. Burhani kërkoi që RSF të futej nën komandën e ushtrisë.
Hemedti refuzoi. Disa ditë para afatit në prill 2023 për ta zgjidhur çështjen, njësitë e RSF-së rrethuan selinë e ushtrisë dhe përpiqeshin të merrnin bazat kryesore dhe pallatin kombëtar në Kartum.
Grushti i shtetit dështoi. Në vend të kësaj, Kartumi u kthye në një zonë lufte, ku ushtria dhe RSF-ja luftuan rrugë në rrugë.
Dhuna shpërtheu edhe në Darfur, ku njësitë e RSF-së nisën një fushatë të egër kundër popullsisë Masalit.
OKB-ja vlerëson se deri në 15.000 civilë u vranë, dhe SHBA-ja e përshkroi këtë si gjenocid. RSF mohoi akuzat.

Ëndrra për sundim
Komandantët e RSF-së publikuan video ku luftëtarët e tyre torturonin dhe vrisnin njerëz, duke i treguar hapur mizoritë dhe ndjenjën e pandëshkueshmërisë.
RSF dhe milicitë e lidhura me të shkatërruan qytete, tregje, universitete dhe spitale në mbarë Sudanin.
Sasi të mëdha mallrash të grabitura shiten në tregje që njerëzit i quajnë “tregjet Dagolo”, të cilat shtrihen deri në Çad e vende të tjera fqinje. RSF mohon se luftëtarët e saj janë përfshirë në plaçkitje.
I bllokuar në pallatin kombëtar, nën sulme artilerie dhe bombardime ajrore, Hemedti u plagos rëndë në javët e para të konfliktit dhe u zhduk nga publiku.
Kur u shfaq pas disa muajsh, nuk tregoi as pendesë për mizoritë dhe as ndonjë shenjë se do ta ndalonte luftën.RSF ka marrë armë moderne, përfshirë dronë të sofistikuar, që i ka përdorur për të goditur qytetin Port Sudan - ku ndodhet Qeveria e Burhanit dhe që luajtën rol kyç në sulmin ndaj el-Fasherit.
Hetime nga media si New York Times kanë dokumentuar se këto armë transportohen përmes një piste ajrore dhe baze furnizimi të ndërtuar nga Emiratet brenda territorit të Çadit. Emiratet mohojnë se po armatosin RSF-në.
Me këto armë, RSF është futur në një ngërç strategjik me ish-aleatin e vet, ushtrinë sudaneze.
Hemedti tani po përpiqet të krijojë një koalicion politik, që përfshin disa grupe civile dhe lëvizje të armatosura, madje edhe ish-armiqtë e tij nga Malet Nuba.
Ai ka formuar një “Qeveri të Paqes dhe Unitetit Paralel”, ku ka marrë vetë postin e kryetarit.
Me marrjen e qytetit el-Fasher, RSF tani kontrollon pothuajse gjithë territorin e banuar në perëndim të lumit Nil.
Pas raporteve në rritje për vrasje masive dhe dënimeve ndërkombëtare, Hemedti shpalli një hetim për “shkeljet” që, sipas tij, mund të jenë kryer nga ushtarët e tij gjatë marrjes së qytetit.
Sudanezët mendojnë se Hemedti e sheh veten ose si president të një shteti të ndarë, ose ende ëndërron të sundojë gjithë Sudanin.
Është gjithashtu e mundur që ai kërkon të bëhet një “mjeshtër” i fuqishëm politik – në krye të një grupi që kontrollon biznese, një ushtri mercenare dhe një parti politike. Në këtë mënyrë, edhe nëse nuk pranohet si fytyra publike e Sudanit, ai prapë mund të tërheqë fijet pas skenës.
Dhe ndërsa trupat e tij masakrojnë civilë në el-Fasher, Hemedti është i bindur se gëzon pandëshkueshmëri - në një botë që, sipas tij, nuk kujdeset shumë.