Kryeministri nacionalist, Viktor Orban, do të përballet me një sfidë të fortë për herë të parë pas 16 vjetësh, në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë më 12 prill.
Rezultati i tyre mund të ketë pasoja të thella për Europën dhe forcat e saj politike të ekstremit të djathtë.
Përpjekja e Orbanit për rizgjedhje do të ndiqet gjerësisht përtej kufijve të Hungarisë.
Udhëheqësi nacionalist e konsideron presidentin amerikan Donald Trump si një aleat kundër Bashkimit Europian dhe ka ruajtur lidhje të ngushta me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 12 prill, ka njoftuar të martën presidenti Tamas Sulyok në faqen e tij në Facebook.
Orban, 62 vjeç, i cili ka ardhur në pushtet në vitin 2010 me një fitore dërrmuese, e ka shndërruar Hungarinë në një të ashtuquajtur “demokraci joliberale”. Ai është përplasur shpesh me Brukselin për kufizimet ndaj mediave të pavarura, qëndrimin e tij kundër emigracionit dhe cenimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ.
Në këto zgjedhje, ai do të përballet me Peter Magyar, partia e qendrës së djathtë "Tisza" e të cilit ka tronditur skenën politike hungareze që nga hyrja e saj në vitin 2024.
Partia "Fidesz" e Orbanit do të bëjë fushatë me sloganin “Zgjedhja e sigurt”, duke thënë se do ta mbajë Hungarinë jashtë luftës në Ukrainë, si dhe do të ndalojë emigrantët e paligjshëm.
Orban përballet me një garë me kohën për të ringjallur ekonominë e ngadalësuar përpara votimit, pasi rritja e inflacionit pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 ka shkaktuar një krizë të kostos së jetesës.
Ndërkohë, partia e 44-vjeçarit Magyar kryeson ndaj Fidesz-it në shumicën e sondazheve, megjithëse një numër i madh votuesish të pavendosur krijon pasiguri.
Partia "Tisza" kishte mbështetjen e 48% të votuesve të vendosur, ndërsa "Fidesz" kishte 40%, sipas një sondazhi të dhjetorit nga instituti i sondazheve Publicus.
Magyar ka deklaruar se do ta mbajë Hungarinë të ankoruar fort në Bashkimin Europian dhe NATO dhe do të synojë “marrëdhënie pragmatike” me Rusinë.
Ai po ashtu është të zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira të BE-së për të nxitur ekonominë, duke ndërmarrë hapa për të frenuar korrupsionin.