Botë

I rrahur tre vjet në burgjet ruse – asnjëherë me aktakuzë

Dmytro Khyliu

Pas tre vjetësh e gjysmë të kaluar nëpër burgjet ruse, gazetari ukrainas, Dmytro Khyliu, është kthyer më në fund në shtëpi. Ai u lirua në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve, ku përfshirja e tetë civilëve u vlerësua si hap i pazakontë nga Rusia. Rrëfimi i tij shpalos dhunën sistematike dhe pasigurinë e vazhdueshme gjatë mbajtjes pa aktakuzë. Ndërkohë, qindra familje të tjera ukrainase ende nuk dinë asgjë për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur

Që nga lirimi prej një burgu rus, Dmytro Khyliu rrallë e ka ndalur telefonin.

Gazetari ukrainas ishte ndaluar nga forcat ruse në ditën e parë të pushtimit në shkallë të plotë. Tre vjet e gjysmë më vonë, ai është liruar si pjesë e këmbimit të të burgosurve. E lirimi i një prej tetë civilëve ishte lëvizje befasuese.

Përderisa Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer të burgosur ushtarakë më herët gjatë luftës, është shumë e rrallë që Rusia të lirojë civilë ukrainas.

Dmytro po përpiqet t’i rikuperojë të gjitha ato që i munguan në këtë periudhë. Ai po përballet me telefonata të familjeve të të gjithë ukrainasve që i takoi në robëri: ua ka mësuar përmendësh të gjithë emrat e detajet jetësore.

Ai e di madje se për disa prej këtyre familjeve, thirrja e tij mund të jetë konfirmimi i parë që të afërmit e tyre janë gjallë.

Mirëseardhja në shtëpi

Ka pasur shumë festë muajin e shkuar kur Dmytro ishte rikthyer në shtëpi nga Rusia, si pjesë e grupit me 146 ukrainas.

Turma me flamuj verdhë e kaltër po i priste, duke brohoritur para autobusëve që bartnin burrat e liruar.

Shumica ishin ushtarë të zbehtë, të dobësuar për vite të tëra prapa grilave. 

Zyrtarët nuk kanë treguar se si kanë arritur t’i përfshijnë tetë civilë ukrainas në të njëjtin shkëmbim, vetëm se kanë thënë se kanë kthyer “njerëz për të cilët Rusia ishte interesuar”. 

Një burim ka thënë se në shkëmbim janë përfshirë banorë të rajonit Kursk në Rusi, e që ishin evakuuar kur forcat ukrainase nisën inkursionin më 2024. Statusi i grupit është i paqartë.

Duke dalë nga autobusi, thirrja e parë telefonike e Dmytros ishte që t’i tregonte nënës së tij se ishte liruar. Prindërit e tij janë të moshuar dhe jo mirë me shëndet, dhe frika më e madhe e tij ka qenë që nuk do të arrijë t’i shohë më.

“Më e rënda ishte të mos e dish se kur do të lejohet të kthehesh. Ju mund të liroheni nesër apo të jeni i burgosur për 10 vjet. Askush s’e di sa gjatë do të zgjasë”, ka thënë ai.

Mizoria e vazhdueshme

Dmytro ka folur për BBC-në pas lirimit nga spitali i Kievit, ku u desh të rikuperohej.

Detajet që ai ka ndarë nga periudha gjatë burgosjes janë të frikshme.

“Na kapën dhe na tërhoqën zvarrë deri në burg dhe gjatë rrugës na rrahën me shkopinj gome, duke na bërtitur “Sa njerëz keni vrarë?”, ka treguar ai, duke përshkruar transferimin drejt burgut në Rusi.

Ai ishte mbajtur në objekte të ndryshme dhe rrëfimi i tij përputhet me të shumë të tjerëve që janë dëgjuar viteve të fundit. 

“Nganjëherë e lëshonin qenin rojë nga zinxhirët që ai të mund të na kafshonte. Mizoria ishte shumë shokuese dhe ishte e vazhdueshme”, ka thënë ai.

Në një rast ka treguar se ishte kafshuar dhe ishte gjakosur. “Kam qenë aq me stres, saqë dhimbjen nisa ta ndieja tek 20 minuta më vonë”.

E ndaj gazetarit nuk pati asnjëherë aktakuzë për asnjë krim.

Fizikisht viti i parë në burg ishte më i rëndi për të. “Po vuanim urie. Na jepej shumë pak bukë e për kohë më të gjatë”, ka kujtuar ai. Në vetëm pak muaj, kishte humbur më shumë se 20 kilogramë. E ushtarët me të cilët ai po mbahej nëpër qendrat ruse po trajtoheshin shumë më keq.

“Ata i thërrisnin për t’i marrë në pyetje, dhe i rrihnin e torturonin me elektroshok”, ka kujtuar Dmytro.
Ai ka treguar se vazhdimisht i ka dëgjuar piskamat e tyre e më pas ua shihte mavijosjet.

Frika e prindërve

Shtëpia e gazetarit është botë tjetër prej asaj që ai e ka përjetuar. Në fshatin e bukur të Kozarovychit, pak jashtë Kievit, vërehet më shumë paqe, pavarësisht sulmeve ajrore. Kopshtet janë plot me shpendë, shkurre e pemë.

Por muri i pasmë i shtëpisë së Dmytros ka ende copa të shkëputura nga goditjet dhe oborri sapo është riparuar, pasi trupat ruse aty kishin parkuar një tank.

Më 2022, tamam në fillin e luftës në shkallë të plotë, kur rusët po avanconin drejt Kievit, kishin arritur ta pushtonin fshatin.

Pak ditë më pas, derisa Dmytro dhe babai i tij, Vasyli, po përpiqeshin të shihnin dëmet që i ishin bërë shtëpisë së tyre, ata u arrestuan.

Trupat ruse i detyruan të dy të shtriheshin, i lidhën dhe ua mbyllën sytë, e i marshuan drejt qendrave të mbajtjes. Dyshja e dinë se po mbaheshin në një bodrum jo fort larg, aty ku rusët kishin krijuar një bazë të tyre.

Të dyve u ishte ndërruar lokacioni në disa raste, e numri i civilëve të ndaluar vazhdimisht rritej.

Vasyli u lirua, por për shumë muaj ai frikësohej për më të keqen për djalin e tij.

“Nuk e dija se ku ishte dërguar dhe kisha frikë”, ka thënë pensionisti. “Ka pasur të shtëna gjatë natës. Një burrë ishte nxjerrë jashtë dhe më pas pati të shtëna. Ai nuk u kthye. Ende nuk e di fatin e askujt që ishte aty”.

Më pas ai dhe gruaja e tij kishin pranuar një letër nga një burg rus.

“Jam gjallë. Jam mirë. Gjithçka është në rregull”, u kishte shkruar Dmytro shkurt, në gjuhën ukrainase. Këto fjali ishin të vetmet që prindërit kishin marrë nga djali i tyre gjatë kohës së burgimit.

Të zhdukurit

Familjet e tjera ukrainase nuk kanë marrë asnjë lajm.

Në të gjithë Ukrainën, zyrtarët kanë thënë se janë më shumë se 16 mijë civilë që janë të zhdukur. Deri tash, fare pak prej tyre janë lokalizuar nëpër burgjet ruse.

Moska nuk i publikon listat, sepse ndalimi i civilëve pa ndonjë bazë është i jashtëligjshëm. Por kjo po i bën edhe më të komplikuara rrugët e kthimit.

Vetëm nga zona rreth fshatit të Dmytros janë 43 burra që ende po mbahen nga rusët.

Aty është edhe Volodymyr Loburets, i cili ishte ndaluar në të njëjtën kohë me Dmytron, po mbahej në bodrumin e njëjtë e më pas ishte dërguar në Rusi. Tani ai ka një nip që nuk e ka takuar kurrë dhe familjen së cilës i mungon.

“Është e vështirë. Është shumë e vështirë. Ne qeshim, po, nganjëherë dhe falë Zotit, kam një nip të ri”, ka thënë gruaja e Volodymyrit, Vera, me Yaroslavin e vogël pranë vetes. “Por unë kisha një burrë dhe tani nuk e kam”.

“Qeveria ka thënë se nuk do të shkëmbejë të afërmit tanë për ushtarët rusë, prandaj jemi të gjithë duke pritur në vitin e katërt që po mbaron deri kur të ketë ndonjë mënyrë për të na i kthyer”, ka shtuar ajo. 

Vera është thellësisht e nervozuar. Por po ashtu edhe avokati i popullit në Ukrainë.

Dmytro Lubinets e ka përshkruar përballjen me Rusinë si të luash shah: iu përmbahesh të gjitha rregullave, e kundërshtari yt ngrihet në këmbë, i vë dorëzat e boksit dhe të grushton.

Problemi është se Ukraina nuk mund të rikthejë goditjen. Ajo nuk ka grup të burgosurish civilë rusë, sepse është kundër rregullave të luftës sipas Konventës së Gjenevës. Dërgimi i ushtarëve rusë në këmbim të civilëve ukrainas do të ishte një katastrofë.

“Qysh të nesërmen, Rusia do t’i merrte pengje mijëra civilë në zonat e pushtuara, vetëm për t’i shkëmbyer me ushtarët e saj”, ka thënë avokati i popullit. “Prandaj Rusia është duke marrë civilët tanë dhe nuk ka mekanizëm ligjor për t’i kthyer”.

Një herë madje ka pasur shkëmbim që përfshinte shtetas ukrainas të ndalur dhe të dënuar në Ukrainë për bashkëpunim me armikun: një grup që thuhet të jenë vullnetarë – u shkëmbye me civilë ukrainas që mbaheshin në Rusi.

Nuk është e qartë nëse kjo është përsëritur ndonjëherë tjetër.

Pasojat afatgjate

Për familjen e Dmytros, pritja e gjatë dhe e dhimbshme tani ka marrë fund. Ai do t’iu bashkohet në shtëpinë e tyre në fshat sapo të lirohet nga spitali.

E ëma e tij, Halyna, tallet duke thënë se e ka bërë gati një listë të gjatë të detyrave që duhet t’i kryejë djali i saj. Bëhet fjalë për dëmet që i kanë shkaktuar rusët.

Në fakt, ajo s’arrin as t’ia përmendë emrin pa qarë.

“Nuk mund t’i kontrolloj emocionet”, ka thënë ajo me lot. “Kur Dima thirri, ai më tha të jem e qetë. Se ai po kthehej në Ukrainë dhe se unë s’duhet të qaja më. Por ne nuk e kemi parë djalin tonë qe tre vjet e gjysmë”.

E Dmytro po e merr me të qetë rikthimin. Duhet t’u përshtatet disa ndryshimeve.

“E dija se lufta po vazhdonte, por jo se po e bombardonin edhe Kievin me dronë. Kjo ishte e papritur dhe më ka mërzitur”, ka thënë ai. “Pemët janë të njëjta, ndërtesat po ashtu. Por bëhet fjalë për shtet ndryshe. Është një realitet krejt ndryshe”.