Botë

Identifikohet viktima 31 vjet pasi u vra në Belgjikë

Një britanike është identifikuar 31 vjet pasi ishte vrarë në Belgjikë. Zbulimi i identitetit të saj u bë pas fushatës së nisur nga Interpoli, raporton BBC.

Familja e Rita Roberts vërejti tatuazhin e saj dallues në një shkrim të BBC-së, siç është thënë nga Interpoli.

Kontaktin e fundit me Ritan familja e kishte pasur nëpërmjet një letre në maj të vitit 1992. Trupi i saj ishte gjetur në muajin në vijim.

Familja e saj ka thënë se lajmi ishte “shokues dhe zemërthyes”.

“Motra jonë e dashur e pasionuese na u mor mizorisht”, thuhet në një deklaratë të familjes që u publikua nga Interpoli. “Ndërsa lajmi ka qenë mjaft i vështirë, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që kemi zbuluar se çfarë i ndodhi Ritës”.

Një person i bukur

Rita Roberts është një nga 22 gratë e vrara në Evropë, identiteti i të cilave kishte mbetur i pazbuluar dhe Interpoli kishte nisur një fushatë në fillim të quajtur operacioni “Më Identifiko”.

Kjo fushatë shënoi herën e parë që Interpoli doli publikisht me një listë të ashtuquajtur të njoftimeve të zeza, duke kërkuar informata për trupat e paidentifikuar.

Njoftime të tilla normalisht qarkullojnë vetëm brenda rrjetit të Interpolit të forcave policore në mbarë botën.

Shumica e viktimave ishin të moshave nga 15 deri 30 vjet. Lista e plotë – që gjendet në faqe të Interpolit – përfshin detaje rreth grave, si fotografi të gjësendeve të mundshme identifikuese, në disa raste, rikonstruktim të fytyrës dhe, po ashtu, ka informacione rreth rasteve.

Rita Roberts kishte udhëtuar nga Cardiffi për në qytetin belg Antwerp në shkurt të vitit 1992. Trupi i saj u gjet në një lumë katër muaj më vonë, pasi ajo ishte vrarë dhunshëm.

Familja e saj thotë se ajo kishte adhuruar udhëtimin.

“Ajo kishte aftësinë të ndriçonte një dhomë dhe kudo që shkonte ishte jeta dhe shpirti i një ndeje. Shpresojmë që kudo që është tash, të jetë në paqe”.

Kreu i shërbimeve policore në Interpol, Stephen Kavanagh, tha se një anëtar i familjes e identifikoi pasi kishte parë tatuazhin – një lule e zezë me gjethe të gjelbra dhe shkrimin “R’Nick” – në një artikull të botuar në BBC në maj të këtij viti.

“Një anëtar i familjes së Ritës pa apelin përmes BBC-së dhe e kuptoi se ka mundësi që të jetë ajo”, ka thënë Kavanagh.

Pasi njohu tatuazhin, familja u takua me hetuesit në Belgjikë dhe zyrtarisht e identifikuan atë.

“Ka një kontradiktë të tmerrshme këtu – jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të punojmë me vendet anëtare, ne jemi krenarë që kemi qenë në gjendje të identifikojmë këtë grua, Ritan, por jemi gjithashtu të shkatërruar për familjen, pasi e ka humbur një anëtare në rrethana brutale”, ka thënë Kavanagh.

Autoritetet belge tash po i bëjnë thirrje publikut të dalë me çfarëdo informate që mund të kenë rreth Rita Robertsit apo rreth rrethanave të vrasjes së saj.

Informatat e shumta

Që nga nisja në maj e operacionit “Më identifiko”, Interpoli thotë se ka marrë rreth 1250 informata në lidhje me 22 gratë, trupat e të cilave janë zbuluar në Holandë, Belgjikë apo Gjermani.

Informacionet përfshijnë emrat e mundshëm të viktimave dhe potencialisht të dhëna të mundshme rreth veshjeve apo bizhuterive që ato kishin mbajtur.

Kavanagh ka thënë se policia ende po i ndjek pistat për 21 rastet e tjera dhe shpreson që identifikimi i Rita Robertsit të jetë “vetëm fillimi”.

Fushata ishte iniciuar nga policia holandeze, që po përpiqej të identifikonte një grua, trupi i së cilës u zbulua në vitin 1999 në një kosh me rrota që po lundronte në një lumë në periferi të Amsterdamit.

Një rast tjetër është trupi i një gruaje që u gjet i mbuluar me një qilim në një klub lundrimi në Gjermani në vitin 2002.

“Secila prej këtyre grave u vra në mënyrë brutale. Ne kemi një mundësi tash që të përpiqemi t’i identifikojmë ato dhe t’i mbyllim rastet”, ka thënë Kavanagh.