Botë

Ikja nga Turqia

Turqia sivjet shënon 100-vjetorin, por po përballet me ikjen masive të të rinjve, të cilët po kërkojnë jetë më të mirë në Gjermani. Vetëm sivjet më shumë se 2 mijë e 600 mjekë kanë kërkuar dokumentet për të kryer praktikën jashtë vendit

Huseyin Buyukdag thotë se e do Turqinë dhe punën e tij si mësues, por me krizën e thellë ekonomike dhe shtypjes, ka vendosur që bashkë me bashkëshorten të gjejë jetë më të mirë në Gjermani.

Ata janë në mesin e mijëra të rinjve të arsimuar që po bëjnë përpjekje të largohen nga Turqia. Të drejtat dhe liritë janë tkurrur dhe inflacioni është duke u ngritur nën regjimin autoritar të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

“Jam shërbyes civil. Për shembull, nëse flas ose se si flas? Nëse them diçka të gabuar për qeverinë time, mund të largohem nga puna”, ka thënë Buyukdag.

Pasi Erdogani siguroi mandatin e tretë si president në zgjedhjet e muajit maj, gjërat nuk kanë gjasa që të ndryshojnë. Bashkë me bashkëshorten infermiere jetojnë në provincën e Sirnakut. Me punët e tyre sigurojnë vetëm 1 mijë e 750 dollarë në muaj.

“Në Gjermani ose në çdo shtet tjetër perëndimor ju jeni person i vlefshëm. Në Turqi nuk jeni, sepse mund t’ju quajnë tradhtar në çdo kohë”, ka thënë ai.

Turqia, shtet me më shumë se 84 milionë banorë, në vitet e fundit është goditur nga seria e krizave. Inflacioni në muajin e kaluar ka arritur në 61 për qind, ani pse disa ekonomistë besojnë se shifrat e vërteta janë dyfish më shumë sesa shifra e paraqitur zyrtarisht.

Për shumë njerëz, mënyrat për të ikur nga Turqia janë vizat e arsimit për të studiuar ose lejet e punës.

TurkStat, byroja turke e statistikave, ka njoftuar se 139 mijë e 531 shtetas turq janë larguar nga vendi në vitin 2022, krahasuar me 103 mijë në vitin 2021. Personat mes moshave 25 dhe 29-vjeçare janë shumicë në grupin e atyre që kanë braktisur Turqinë.

“Vlerat e këtij shteti të krijuar para 100 vjetësh nuk janë duke vazhduar, paraardhësit tanë kanë luftuar për këtë shtet, ani pse nuk e kishin të njëjtin mendim. Ne nuk jemi kështu. Nuk e ndiejmë veten si një. Jemi të përçarë”, ka thënë Buyukdag

Numrat e dy vjetëve të fundit janë ndjeshëm më shumë nga 77 mijë turqit që janë larguar në vitin 2020.

Ikja e personave të arsimuar dallon nga qindra mijëra emigrantë të jashtëligjshëm dhe atyre që u shpëtojnë luftërave si në Siri dhe Irak, të cilët përdorin Turqinë si rrugë transite drejt Evropës.

Sociologu dhe autori Besim Dellaloglu një pjesë të fajit për eksodin e “shtresave të arsimuara më të larta të shoqërisë” ia lë rënies së normave demokratike në Turqi.

“Shtresat më të larta të arsimuara të shoqërisë priren drejt lëvizjes serioze kah Evropa ose Perëndimi. Është e nevojshme ta studiojmë këtë nga afër, por mendoj se përgjigjja e pyetjes suaj është se ky përcaktim i ‘ikjes së trurit’ nga Turqia është i saktë dhe kam përshtypjen se ky migrim nuk do të ndalet me uljen e polarizimit në Turqi, kushtet minimale demokratike në jetën mesatare publike në Turqi, liberalizimin në jetën e përditshme dhe mundësitë për lehtësim”, ka thënë sociologu.

Sipas Dellaloglut, njerëzit që po largohen janë të fushave mjekësore dhe IT-së.

Në vitin 2022, më shumë se 2 mijë e 600 doktorë kanë aplikuar për dokumentet e nevojshme në Asociacionin e Mjekëve të Turqisë që të mund të bëjnë praktikë jashtë vendit.

Mjekët më së shumti përmendin rrogat e ulëta, kushtet e mjerueshme të punës dhe dhunës nga pacientët si arsye për largimin e tyre nga Turqia.

Pakënaqësia po bëhet edhe më e dukshme teksa Turqia po shënon 100- vjetorin e republikës shekullare të Kemal Ataturkut.

Për pjesën e vet, Erdogani periudhën e ardhshme e ka cilësuar si “Shekull të Turqisë”, duke premtuar se do ta bëjë Turqinë fuqi globale.

Qeveria e tij ka premtuar se do të ndalë ikjen e trurit.

Erdogani ka bërë fushatë për kthimin e turqve të arsimuar, duke ofruar grante dhe pozita për akademikët që punojnë jashtë vendit. Pretendon se 6 mijë prej tyre janë kthyer.