Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Intriga, lojërat e pushtetit e rivalitetet: Si u ngrit Mojtaba Khamenei

Iran - nje grua mban posterin e Khameneit

Lufta njëjavore për udhëheqësin e ardhshëm suprem të Iranit e vuri Gardën Revolucionare përballë të moderuarve. Gjeneralët fituan, por vetëm për shkak të rezistencës së ashpër

Ngritja e Mojtaba Khameneit si udhëheqës i ri suprem i Iranit mund të dukej e drejtpërdrejtë, madje e paracaktuar. Por në fakt, nuk ishte asnjëra prej tyre. 

Ngritja e tij erdhi vetëm pas një beteje të plotë për trashëgimi. Procesi me rreziqe të larta u bë versioni i “Games of Throne” (Loja e Froneve) i Republikës Islamike: Një fron bosh; një këshill klerikësh; dhe dy dinasti – Khamenei dhe Khomeini – duke konkurruar. Figurat politike garonin, komandantët ushtarakë mbronin mbretëritë e tyre dhe ndërhyn një ish-mjeshtër i spiunazhit, i njohur për planifikimin e vrasjeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe në kohët më të mira, detyra për gjetjen e liderit të tretë suprem të Iranit – burri që jo vetëm që do të përfaqësojë Zotin në tokë, por edhe që do të ushtronte autoritet mbi politikat dhe forcat e armatosura – do të ishte sfiduese. Ajatollah Ali Khamenei, në fund të fundit, kishte udhëhequr që prej vitit 1989, nëpër dekada të tëra trazirash.

Por gjatë luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, kur bombat binin nga qielli dhe shpërthimet tronditën tokën, zgjedhja e pasuesit me emërim të përjetshëm ishte test i vërtetë nëse teokracia do të mund të mbijetonte.

Rrëfimi mbi diskutimet e brendshme, lojërat e pushtetit dhe rivalitetet që e shtynë djalin e vetmuar 56-vjeçar të ajatollahut në rolin udhëheqës, bazohet në intervista me pesë zyrtarë të lartë iranianë, dy klerikë, dy iranianë të lidhur me zyrën e liderit suprem dhe tre pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Iraniane me njohuri për procesin e zgjedhjes. Të gjithë kanë folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të dilnin publikisht për diskutimet e brendshme.
Sipas të gjitha gjasave, Khamenei nuk do të ngrihej drejt këtij posti po qe se babai i tij do të vdiste në mënyrë të natyrshme. Ajatollahu Khamenei u kishte dhënë këshilltarëve tre emra si pasues potencialë të postit. I biri nuk ishte në mesin e tyre.

Takimet sekrete

Më 3 mars, Asambleja e Ekspertëve, 88 klerikë të lartë të ngarkuar me Kushtetutë për emërimin e një udhëheqësi suprem, e mbajtën një takim sekret virtual për të nisur procesin që do të përfundonte kur një prej kandidatëve do të merrte shumicën prej dy të tretave. Më herët atë ditë, Izraeli kishte goditur zyrat e Asamblesë në qytetin Qum, ku shumë nga klerikët jetonin dhe jepnin mësime në seminaret shiite, duke vrarë disa nga stafi administrativ. 

Që kur ajatollahu Khamenei u vra më 28 shkurt në sulmet e ditës së parë të luftës, fraksionet rivale politike dhe gjeneralët e Gardës kishin bërë plane se si të ngrinin kandidatët e tyre të preferuar për të siguruar bazat e pushtetit, kanë thënë në intervista zyrtarë të lartë, klerikë e anëtarë të Gardës.
Përkrahësit e vijës së ashpër preferonin të dilnin kundër thirrjeve të brendshme dhe të jashtme për ndryshim regjimi. Ata donin vazhdimësi dhe dyfishim të politikave të brendshme dhe të jashtme të ajatollahut. Fraksioni i moderuar argumentonte për një fytyrë të re, stil të ri qeverisjeje dhe dhënien fund të armiqësive me Shtetet e Bashkuara. 

Khamenei kishte aleatë të pushtetshëm që e mbështesnin: Garda Revolucionare dhe komandanti i sapoemëruar, gjenerali Ahmad Vahidi, gjenerali Mohammad Ali Aziz Jaffari, strateg i Gardës në luftën aktuale, si dhe gjenerali Mohammad Bagher Ghalibaf, kryeparlamentar dhe ish-komandant i Gardës. Hossein Taeb, ish-udhëheqës i njësisë së inteligjencës së Gardës dhe truri i planeve të vrasjeve ndërkufitare, ishte gjithashtu në kampin e tij.

Kundërshtarët e Khameneit u shfaqën nga kënde të papritura. Ali Larijani, shef i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe gjatë procesit të zgjedhjes udhëheqës de-facto i Iranit (më 17 mars, u konfirmua vrasja e tij nga Izraeli) u kishte thënë disa pjesëtarëve të Asamblesë së Ekspertëve se besonte që shtetit i duhet një lider më i moderuar dhe më unifikues. Ai e konsideronte Khamenein si figurë përçarëse. Presidenti Masoud Pezeshkian, udhëheqës më i moderuar, dhe disa zyrtarë të lartë e klerikë ishin bashkë me kritikët, sipas zyrtarëve të lartë, klerikëve e anëtarëve të Gardës që kanë folur.
Kampi më i moderuar po shtynte përpara dy kandidatura potenciale: ish-presidentin Hassan Rouhani, disi i lënë mënjanë, por centrist që kishte udhëhequr negociatat që çuan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me SHBA-në dhe Hassan Komeinin, nipin e themeluesit të teokracisë, ajatollah Ruhollah Khomeini. Hassan Khomeini është i lidhur me partitë politike reformiste. Të moderuarit gjithashtu propozuan Alireza Aarafi, studiues dhe jurist, si zgjidhje kompromisi. Ai ishte kandidat me kredenciale të forta fetare, por pa ndikim në politikë apo rrethe ushtarake, dhe dukej si figurë e lehtëmenaxhueshme.  

Teksa Asambleja debatonte dhe diskutonte për kandidaturat kryesore, sipas zyrtarëve, zemërimi kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nxiti vendosmërinë për të mbajtur në pushtet njerëz kundërshtues dhe kjo minoi përpjekjet e të moderuarve. Teksa zhvilloheshin diskutimet, pjesëtarët e Asamblesë gjithnjë e më pak patën interesim në një lider për të shpëtuar nga gjendja aktuale e krizës. Ata më shumë synonin hakmarrjen për vdekjen e liderit të tyre, sipas zyrtarëve të lartë.

“Po i vlerësonim shtatë kritere për zgjedhjen e një kandidati”, pati thënë ajatollah Mahmoud Rajabi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Asamblesë, në një intervistë për televizionin shtetëror. “Disa kishin vizion shumë të fortë shoqëror e politik, një tjetër kishte më shumë kredenciale fetare, një tjetër për menaxhim të mirë e një tjetër në njohuri”.

Pas rundit të parë të votimit më 3 mars, Mojtaba Khamenei e mori shumicën e nevojshme prej 2/3 të votave, duke sinjalizuar se gjeneralët e Gardës kishin siguruar fitoren. Asambleja e Ekspertëve më pas i njoftoi zyrtarët qeveritarë, që alarmuan median shtetërore të bëhej gati për të njoftuar pasuesin e Khameneit me thirrjen e lutjes së agimit të 4 marsit. 
Por ky ishte veç fillimi.

Lojërat e pushtetit 

Larijani pati anuluar njoftimin për zbulimin e liderit të ri, duke thënë se do të ishte rrezik për jetën e tij, pasi presidenti Trump dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, patën kërcënuar se do ta eliminonin. Ai kishte sugjeruar që të pritej deri në fund të luftës.

Më 6 mars, Izraeli e zbatoi kërcënimin duke hedhur bomba shpërthyese mbi kompleksin e udhëheqësit suprem në qendër të Teheranit, duke e kthyer në grumbull rrënojash. Por Khamenei nuk ishte aty.

Parandalimi i njoftimit ia dha mundësinë kampit të moderuar që të bëjë një përpjekje të fundit për të shtuar presionin mbi Asamblenë e Ekspertëve për të rikonsideruar zgjedhjen. Por për të detyruar zgjedhje të reja duhen arsye solide.

Larijani, njeri i afërt i Khameneit të vjetër, tha se vota virtuale për Khamenein e ri ishte e pavlefshme, sepse Kushtetuta u kërkon anëtarëve të Asamblesë të votonin fizikisht. Më pas Asambleja u informua se Khamenei, që po rikuperohej nga plagët e marra nga sulmet e ditës së parë, as nuk e donte pushtetin. Për çështje të sigurisë, komunikimi direkt me Khamenein nuk ishte i mundshëm.
Por të tjerë kanë thënë se refuzimi i tij ka qenë thjesht formalitet.

“Kur i thanë Mojtabas se është zgjedhur, ai u përgjigj ‘nuk dua ta pranoj, zgjidheni dikë tjetër”, ka thënë Abdolreza Davari, politikan i afërt me Khamenein, në një intervistë telefonike nga Teherani. “Është njëfarë zakoni shiit i refuzimit me mirësjellje midis klerikëve, ata thonë ‘nuk jam i vënë pas pushtetit’, por më pas e pranojnë postin”.

Anëtarët e kampit më të moderuar më pas i kishin thënë Asamblesë se kishin zbuluar një direktivë të re dhe të rëndësishme nga ajatollahu Khamenei dhe kërkuan takim personal me bordin udhëheqës të Asamblesë, kanë bërë të ditur zyrtarët e lartë dhe klerikët.

Në takim, dy nga këshilltarët më të afërt të Khameneit, një top-këshilltar ushtarak dhe tjetri, Asghar Hejazi, shef i stafit, dëshmuan që Khamenei u kishte thënë se nuk donte që djali i tij apo ndonjë anëtar i familjes ta pasonte në post.

Ata kishin thënë se lideri i deritashëm e kishte kundërshtuar trashëgiminë familjare në post, sepse, sipas tij, kjo do ta shkelte thelbin e revolucionit islamik të vitit 1979, që rrëzoi sundimin monark. Pastaj, ata paraqitën një testament të shkruar me të njëjtin mesazh të përgjithshëm dhe i kërkuan Kuvendit të anulonte votimin fillestar. 

Përpjekja e minutës së fundit për të anuluar vendimin shokoi klerikët e pranishëm, sipas zyrtarëve që kanë folur. Ata kishin kërkuar më shumë kohë për t’u konsultuar me anëtarësinë më të gjerë. Po ashtu deklaratat alarmuan gjeneralët e Gardës që shtynë përpara kandidaturën e Khameneit, dhe kjo i vuri në kundërofensivë.

Në një fjalim të postuar si video, ajatollahu Ali Moalemi, një prej pjesëtarëve të Asamblesë, kishte kundërshtuar përpjekjet e të moderuarve duke i cilësuar si të ngjashme me grusht shtet.

“Ka pasur përpjekje për të ndryshuar mendjen e pjesëtarëve të Asamblesë dhe të na tërhiqnin në një drejtim të ri”, ka thënë ajatollah Moalemi. “Ka pasur duar nga jashtë Asamblesë me qëllimin që të infiltroheshin dhe të na ndikonin neve”.

Gjeneralët

Më 7 mars, presidenti Pezeshkian njoftoi se Irani do të ndalë sulmet mbi shtetet arabe në Gjirin Persik dhe u kërkoi falje. Ai ka thënë se vendimi për të depërshkallëzuar raportet me fqinj arabë është marrë nga këshilli i tranzicionit, i përbërë prej tre anëtarësh (ku edhe ai ishte anëtar). Ky këshill kishte rolin e përmbushjes së hapësirës së lënë deri në zgjedhjen e një lideri të ri suprem.

Gjeneralët e Gardës Revolucionare që udhëhiqnin luftën dhe mbështetnin Khamenein ishin të indinjuar, sipas zyrtarëve të lartë iranianë dhe tre pjesëtarëve të Gardës. Gjeneral Vahidi, komandant i përgjithshëm i Gardës dhe gjeneral Aziz Jaffari shtynë Asamblenë e Ekspertëve të mblidhej menjëherë për votën përfundimtare dhe që ta shpallë Khamenein si lider të ri. 

Taebi, ish-shefi i spiunazhit të Gardës, ftoi të 88 anëtarët e Asamblesë dhe u kërkoi të votonin për Khamenein. Ai u kishte thënë se votimi për të birin e ajatollahut ishte obligim moral, fetar e ideologjik, sipas zyrtarëve iranianë dhe dy klerikëve.

Asambleja u mblodh sërish më 8 mars, po ashtu virtualisht, dhe debatoi për çështjet e ngritura nga të moderuarit. Disa thanë se duhet të respektoheshin dëshirat e ajatollahut Khamenei dhe ta linin mënjanë të birin e tij. Të tjerët argumentuan se Kushtetuta nuk u kërkon të marrin vendime bazuar në vullnetin e pararendësit dhe se ata kanë autoritetin për të vendosur si të pavarur. Të gjithë u pajtuan se protokollet e kohërave të luftërave ua mundësonin votimin virtual.

Secili klerik e shkroi një emër në një copë letre, e palosi brenda një zarfi dhe e mbylli me ngjitës. Korrierët më pas i çonin me dorë letrat e votimit në një komision përgjegjës për numërimin dhe validimin e votave.

Khamenei i mori 59 nga 88 votat, shumicën prej 2/3, por ende larg votës unanime. Pak para mesnatës, media shtetërore njoftoi se Irani ka udhëheqës të ri suprem. Deklaratat e urimit dhe të premtimit të besnikërisë nisën të vërshonin, madje edhe nga njerëz që ishin përpjekur kundër ngritjes së tij.

Dhe, të paktën publikisht, struktura iraniane mbylli punët dhe u rendit prapa liderit të ri suprem, që ende nuk është parë në publik.