Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Abbas Aragchi, do të zhvillojë një telefonatë të përbashkët me homologët e tij francezë, britanikë dhe gjermanë të premten, për të diskutuar rreth programit bërthamor iranian dhe sanksioneve, ka raportuar Reuters.
Tre fuqitë evropiane kanë kërcënuar se do të aktivizojnë sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit përmes mekanizmit të rikthimit, në rast se Irani nuk i ribashkohet tryezës negociatore për programin e tij bërthamor.
Këto vende, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pretenduar se Irani po e shfrytëzon programin bërthamor për të zhvilluar armë të shkatërrimit në masë, gjë që mohohet kategorikisht nga udhëheqësia iraniane.
Teherani zyrtar i ka pezulluar negociatat me Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin për qëllim frenimin e ambicieve bërthamore të Republikës Islamike, pasi SHBA-ja dhe Izraeli kishin goditur impiantet bërthamore iraniane në muajin qershor.
Që nga ajo kohë, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nuk kanë qenë në gjendje të kenë qasje në bazat bërthamore të Iranit, ndonëse drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, ka deklaruar se inspektimet mbeten thelbësore.