Ish-kryeministri i Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, është akuzuar për “korrupsion të rëndë” për lidhjet e tij me të akuzuarin për krime seksuale me të mitura Jeffrey Epstein, ka thënë policia norvegjeze, transmeton “BBC”.
Akuza është ngritur pasi Këshilli i Evropës i hoqi imunitetin Jaglandit, të cilin ai e gëzonte për shkak të rolit të tij të mëparshëm diplomatik. Jagland mohon përgjegjësinë penale dhe është i gatshëm të bashkëpunojë, ka thënë avokati i tij.
Emailet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se Jagland planifikoi vizita individuale dhe familjare në shtëpitë e Epsteinit në Paris, New York dhe Palm Beach, edhe pasi Epstein kishte marrë një dënim për krim seksual me të mitur, në vitin 2008. Epstein mori 18 muaj burgim.
Tri nga pronat e Jaglandit u kontrolluan nga njësiti norvegjez “Okokrim” dhe ai pritet të merret në pyetje.
Jagland pos që shërbeu si kryeministër nga viti 1996 deri më 1997, ishte dikur edhe kryesues i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe kishte kaluar një dekadë si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës.
Jagland kishte imunitet diplomatik nga koha si drejtues i Këshillit. “Okokrim” kërkoi t’i hiqej imuniteti pasi nisi një hetim ndaj tij më parë këtë muaj për “korrupsion të rëndë” të bërë mes viteve 2011 dhe 2018.
Të ashtuquajturat dosje Epstein duket se tregojnë që financieri kishte mbuluar shpenzimet e udhëtimit për në pronat e tij të Jaglandit dhe familjes së tij.
Jagland kishte planifikuar të udhëtonte në ishullin privat të Epsteinit në vitin 2014, por përfundimisht u anulua pasi Epstein u sëmurë.
Jagland po ashtu akuzohet se kërkoi ndihmën e Epsteinit për të marrë kredi bankare, por nuk është e qartë nëse kjo u materializua.
Vendi nordik ka parë disa figura publike të përfshira në skandalin në zgjerim, përfshirë princeshën e kurorës Mette-Marit, diplomatet Mona Juul dhe Terje Rod-Larsen, dhe drejtorin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ishte i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës.
Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisjes së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”.
“Kur dihet se Afganistani prodhon 75 për qind të opiumit në botë dhe se pjesa më e madhe e tij kalon përmes Kosovës, ka arsye serioze për të dhënë alarmin”, kishte shtuar ai.
Në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar një hetim më të thellë lidhur me akuzat se kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i përfshirë, ndër të tjera, edhe në trafikim të paligjshëm të organeve. Duke u mbështetur në raportin e përgatitur nga Dick Marty, ai kishte deklaruar se këto akuza nuk mund të mbesnin pa përgjigje.
“I kam lexuar akuzat për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Raporti përmban shumë akuza serioze dhe kam frikë nga pasojat që mund të sjellë”, kishte thënë Jagland.
Epstein në korrik të vitit 2019 ishte akuzuar nën akuza për trafikim seksual të të miturve dhe organizim të një rrjeti abuzimi seksual me vajza të mitura.
Ai u deklarua i pafajshëm, por u gjet i vdekur në gusht të vitit 2019 në qelinë e tij. Vdekje e tij u shpall zyrtarisht vetëvrasje.