E përditësuar - Izraeli të premten mbrojti domosdoshmërinë ushtarake të ofensivës së tij në Gaza, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pasi Afrika e Jugut u kërkoi gjykatësve që ta urdhëronin atë të ndalonte operacionet në Rafah dhe të tërhiqej plotësisht nga territori palestinez.
Reuters raporton se zyrtari i ministrisë izraelite të Drejtësisë, Gilad Noam e quajti rastin e Afrikës së Jugut, i cili akuzon Izraelin për shkelje të konventës së gjenocidit, "plotësisht të shkëputur nga faktet dhe rrethanat".
Sipas Reuters, përpara prezantimit të Izraelit në GJND, disa dhjetëra protestues pro-izraelitë u mblodhën jashtë, duke shfaqur fotografi të pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor dhe duke kërkuar lirimin e tyre.
Të enjten, ambasadori i Afrikës së Jugut në Holandë, Vusimuzi Madonsela, kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Izraelin që "të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte, ushtrinë izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës".
Ekipi ligjor i Afrikës së Jugut e përcaktoi operacionin ushtarak izraelit si pjesë e një plani gjenocidal që synon të sjellë shkatërrimin e popullit palestinez.
Në vendimet e kaluara, gjykata ka hedhur poshtë kërkesat e Izraelit për të pushuar çështjen dhe e ka urdhëruar atë të parandalojë aktet e gjenocidit kundër palestinezëve, ndërkohë që nuk e ka urdhëruar atë të ndalojë sulmin.
Ndërkaq, të premten Noam i tha GJND-së se po ndodh një "luftë tragjike, por jo gjenocid".
“Kjo luftë, si të gjitha luftërat, është tragjike. Për izraelitët dhe palestinezët, dhe ka shkaktuar një çmim të tmerrshëm njerëzor, por nuk është gjenocid”, ka deklaruar ai.
Izraeli e akuzon Afrikën e Jugut për “deklarata të rreme” në GJND
Izraeli ka akuzuar Afrikën e Jugut për sjellje të “deklaratave të njëanshme dhe të rreme” në gjykatën kryesore të Kombeve të Bashkuara, në përpjekje për të ndaluar fushatën ushtarake në qytetin e Rafahut, në jug të Gazës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka nisur dëgjimet dy-ditore të enjten, pasi Afrika e Jugut thotë se Izraeli po synonte të "fshinte palestinezët nga faqja e dheut", raporton BBC.
Avokatët e Izraelit janë duke paraqitur të premten përgjigjen e shtetit në gjykatë.
Gjykata tashmë po shqyrton një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut në janar përmes së cilës Izraeli akuzohet për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në Gaza.
Izraeli e ka hedhur poshtë pretendimin si të rremë dhe "të shtrembëruar rëndë".
Në aplikimin e tij të fundit, Afrika e Jugut po kërkon gjithashtu të detyrojë Izraelin të lejojë "qasje të papenguar" në Gaza për punonjësit e ndihmës, gazetarët dhe hetuesit.
Izraeli filloi sulmin e tij ndaj Hamasit në Rafah 11 ditë më parë, mes paralajmërimeve nga OKB-ja dhe të tjerët për një rrezik të madh për civilët.
Më shumë se një milion njerëz të zhvendosur ishin strehuar në Rafah dhe më shumë se 630,000 tani janë larguar që nga fillimi i operacionit, thotë OKB-ja.
LEXO EDHE: