Botë

Izraeli injoron thirrjet për armëpushim

gaza

Foto: Associated Press

Sulmet e vazhdueshme në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 44 palestinezëve, ndërkohë që spitalet e enklavës përballen me kushte të jashtëzakonshme për t’i trajtuar të lënduarit. Shtimi i presionit ndërkombëtar për një armëpushim ka hasur në refuzim nga ana e liderit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka vazhduar ofensivën në Gazë

Sulmet ajrore dhe të shtënat nga ushtarët izraelitë kanë lënë të vdekur të paktën 44 palestinezë në Gazë për 24 orë, kanë bërë të ditur zyrtarët e shëndetësisë në këtë rajon të shtunën. Bombardimet e së shtunës ndodhën në kohën kur po shtohet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për një armëpushim në Gazë, porse lideri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdon ta refuzojë ndalimin e luftës.

Drejtori i spitalit Shifa në qytetin e Gazës, Mohamed Abu Selmyia, ka deklaruar se janë të shqetësuar nga tanket izraelite që janë të vendosura shumë afër spitalit.

“Ekipet mjekësore janë të shqetësuara për afërsinë e tankeve izraelite me spitalin, pasi mund të kufizohet qasja në spital, ku për momentin po trajtohen 159 pacientë. Bombardimi nuk ka pushuar as edhe një moment”, ka deklaruar ai.

Drejtues të spitalit Al-Awda kanë njoftuar se në mesin e viktimave nga sulmet izraelite ishin nëntë persona nga e njëjta familje, të cilët vdiqën në një shtëpi në kampin e refugjatëve të Nuseirat. E pesë persona të tjerë u vranë kur një sulm goditi një tendë që strehonte persona të zhvendosur.

Andee Vaughan, një infermiere nga Seattle, që punon si vullnetare përmes Shoqatës Mjekësore Palestineze, Australiane dhe të Zelandës së Re që nga muaji korrik ka publikuar disa pamje të spitalit Al-Quds të Gazës, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht nga sulmet.

“Institucioni mjekësor është shkatërruar. Pra, për tre muajt e fundit kemi pasur mundësi të kufizuara për të trajtuar dëmtimet, për të ofruar kirurgji. Kohët e fundit arritëm ta rihapim një laborator por tani ky spital po sulmohet. Qëllimi i gjithë kësaj është që të parandalojnë njerëzit të kenë qasje në kujdes mjekësor. Qëllimi i gjithë kësaj është që të parandalojnë njerëzit të largohen”, ka thënë Vaughan.

Forcat izraelite kanë njoftuar se nuk ishin të informuara për ndonjë viktimë nga të shtënat dhe nuk dhanë komente të tjera për sulmet ajrore.

Bombardimet dhe të shtënat ndodhën disa orë pas deklaratave të Netanyahut, i cili u tha liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten se vendi i tij “duhet ta përfundojë punën” kundër Hamasit në Gazë.

Qeveria izraelite ndërmori hapa në mënyrë që të sigurohej që personat që gjenden në Gazë të mund ta dëgjojnë fjalimin e Netanyahut, duke vendosur altoparlantë në kufijtë me këtë territor. Zyra e Netanyahut pretendoi se ushtria izraelite u kishte dërguar në telefona mobilë banorëve të Gazës fjalimin e Netanyahut.

Netanyahu tha se këto masa janë marrë në mënyrë që mesazhi i tij të mund të dëgjohet nga pengjet izraelite që po mbahen në Gazë. Ai madje iu drejtua pengjeve në hebraisht.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Gjatë fjalimit në OKB, Netanyahu përmendi emrat e 20 pengjeve që besohet se ende janë gjallë dhe po mbahen në Gazë.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 65.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor, shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.