Botë

Izraeli nis sulme diplomatike me aleatët perëndimorë

Benjamin Netanyahu

Foto: AP

Izraeli ka nisur një seri sulmesh diplomatikë kundër disa aleatëve perëndimorë ndërsa ata përgatiten ta njohin shtetin palestinez muajin e ardhshëm.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka dërguar letra liderëve të Francës dhe Australisë, duke i akuzuar të dy për nxitje të antisemitizmit me vendimet e tyre për ta njohur shtetin e Palestinës. Në letra Netanyahu ka cituar incidente antisemitike dhe kundër Izraelit që kanë ndodhur në muajt e fundit, duke i lidhur ato me pozicionet e qeverive për luftën në Gaza dhe shtetësinë palestineze.

“Thirrja juaj për një shtet palestinez i hedh benzinë këtij zjarri antisemitik”, ka shkruar në letrën drejtuar presidentit francez, Emmanuel Macron, raportoi CNN.

Letra nxiti  një reagim të ashpër nga Presidenca franceze, e cila ka thënë se Macroni mori vesh për letrën e Izraelit përmes mediave para se ta pranonte nga kanalet diplomatike.

Franca “mbron dhe gjithmonë do t’i mbrojë qytetarët e besimit hebre”, thuhej në deklaratën e presidencës. “Këto kohëra kërkojnë seriozitet dhe përgjegjësi, jo konfuzion dhe manipulim”.

Tensionet janë një shenjë e përçarjes në ngritje mes Netanyahut dhe aleatëve të tij perëndimorë – shumë prej të cilëve janë bërë shumë kritikë kundër luftës së Izraelit në Gazë, e cila ka shkatërruar territorin dhe ka çuar në kriza humanitare.

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, javën e kaluar tha se Netanyahu “e ka humbur sensin”, teksa kryeministri danez Mette Frederiksen tha se “Netanyahu është tani një problem në vetvete”.

Netanyahu të martën e quajti kryeministrin australian Anthony Albanese “politikan të dobët”.

Australia dhe Franca janë dy prej vendeve më të fundit që kanë lajmëruar njohjen e shtetit të Palestinës. Kanada dhe Portugalia po ashtu kanë njoftuar për një plan të tillë. Muajin e ardhshëm, ato do t’i bashkohen mbi 140 shteteve të tjera që tashmë e kanë njohur shtetësinë palestineze.

Britania e Madhe e ka kushtëzuar njohjen e Palestinës.