Botë

Izraeli po kryen krime ndaj fëmijëve e jo luftëtarëve, thotë lideri suprem i Iranit

Ayatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të shtunën se Izraeli po kryen "krime të paturpshme" kundër fëmijëve, jo luftëtarëve.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi një sulm ajror izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut, vrau të paktën 31 njerëz, duke përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra, sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë, raporton Reuters.

Sulmi i së premtes, i cili sipas një burimi kishte në shënjestër një ndërtesë pranë një çerdheje, ishte më vdekjeprurësja në një vit konflikti midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Ai pasoi dy ditë sulmesh në të cilat shpërthyen pajxherët dhe radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut. Libani fajësoi për sulmet Izraelin, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e tij.

Khamenei ka deklaruar se Izraeli nuk po i fsheh as format e tij të ndryshme të "krimeve të paturpshme" në Gaza, Bregun Perëndimor, Liban dhe Siri.

“Nuk po lufton luftëtarët por njerëzit e zakonshëm", i tha Khamenei një grupi të dërguarish nga vendet myslimane në Teheran në fjalimet e transmetuara në TV shtetëror.

"Në pamundësi për të lënduar luftëtarët e vërtetë në Palestinë, ata po e shfryjnë zemërimin e tyre keqdashës mbi fëmijët e vegjël, mbi pacientët e spitaleve dhe mbi shkollat e mbushura me fëmijë të vegjël”, është shprehur ai.