Botë

Izraeli shpëton katër pengje, Hamasi thotë se u vranë mbi 210 palestinezë

Sulmi ne Gaze

Katër nga pengjet izraelite që ishin marrë nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar janë shpëtuar në një operacion të kryer nga ushtria izraelite. Raportohet se pengjet janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë kohës së operacionit në Gazë është kryer edhe një sulm izraelit në të cilin, sipas njoftimit nga Hamasi, mbetën të vrarë më shumë se 210 persona porse nuk dihet nëse sulmi ishte pjesë e operacionit të shpëtimit të pengjeve.

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka shpëtuar katër pengje të mbajtura që nga tetori pas një bastisjeje në Rripin qendror të Gazës.

Ndërsa nga Hamasi kanë thënë se më shumë se 210 persona janë vrarë nga një sulm izraelit në të njëjtën zonë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse shpëtimi i pengjeve dhe sulmi vdekjeprurës izraelit ishin pjesë e të njëjtit operacion, por të dyja ndodhën në al-Nuseirat, zonë shpesh e goditur në luftën tetëmujore midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas Hamasit, në sulmin e Izraelit janë plagosur edhe 400 persona të tjerë. Ky grup ka thënë se sulmi ka ndodhur në dhe përreth kampit të refugjatëve në Nuseirat. Deri tash, mediat ndërkombëtare nuk i kanë konsideruar të mirëqena të dhënat e Hamasit. Të dhëna më kredibile konsiderohen ato të Ministrisë së Shëndetësisë, që deri në pasditen e së shtunës ka thënë se janë 90 të vrarë. Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi ka njoftuar se dhjetëra persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë dhe plagosur në operacion. 
Stafi në spitalin Al-Aksa raportohet se po përpiqet t’i trajtojë viktimat.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka bërë thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për atë që e ka quajtur “masakrën e përgjaktë që kanë bërë forcat e Izraelit”. 

Ndërkaq, Forca e Mbrojtjes së Izraelit ka njoftuar se të shpëtuarit janë Noa Argamani, 25 vjeç, Almog Meir Jan, 21 vjeç, Andri Kozlov, 27 vjeç dhe Shlomi Ziv, 40 vjeç.

Pengjet e liruara  janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në Qendrën Mjekësore “Sheba” Tel-HaShomer për ekzaminime të mëtejshme mjekësore, ka njoftuar ushtria izraelite. 

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari ka njoftuar se një ushtar i njësisë elitare izraelite u plagos rëndë gjatë operacionit.

“Një operacion i guximshëm në mes të ditës, gjatë të cilit luftëtarët Shin Bet dhe Yam bastisën dy ndërtesa të ndryshme në të njëjtën kohë në zemër të Rripit të Gazës shpëtuan katër të rrëmbyerit që mbaheshin nga terroristët e Hamasit. Luftëtarët vepruan me profesionalizëm dhe guxim. Në mesin e tyre është një luftëtar i cili u plagos rëndë në aksion. Ai tani ka mbërritur në spital dhe i urojmë shërim të plotë dhe lutemi për të. Ky mision ishte një rrezik shumë i madh operacional. Misioni ishte i suksesshëm në shpëtimin e katër të rrëmbyerve të gjallë dhe kthimin e tyre në Izrael”, ka theksuar Hagari. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se forcat izraelite kanë vepruar me trimëri dhe kreativitet për t’i kthyer pengjet e mbajtura nga Hamasi. “Ne nuk do të dorëzohemi deri ta përfundojmë misionin dhe t’i kthejmë në shtëpi të gjitha pengjet, të gjallët e të vrarët”, ka thënë ai.
Operacioni është cilësuar më i suksesshmi në aspektin e shpëtimit të pengjeve dhe “lehtëson” presionin në rritje ndaj Netanyahut për të arritur marrëveshjen e armëpushimit dhe për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve.

Pas operacionit, ministri në kabinetin e luftës, Benny Gantz, ka shtyrë një njoftim që pritej ta publikonte të shtunën e që pritej të ishte njoftimi për dorëheqje nga Qeveria e Izraelit.

Shpëtimi i rrallë i pengjeve u krye në një operacion të përbashkët i kryer nga ushtria, 
Agjencia e Sigurisë së Izraelit dhe Policia e Izraelit. 

Presidenti amerikan Joe Biden ka mirëpritur shpëtimin e pengjeve. Në një konferencë të përbashkët me presidentin francez në Paris, Bideni ka thënë se nuk do të ndalen së punuari deri të gjitha pengjet te kthehen në shtëpi.  Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka mirëpritur njoftimin e Izraelit. Macron ka theksuar se ai mbështet propozimet e SHBA-së  për një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Biden u prit nga Macron me një vizitë shtetërore këtë fundjavë në Paris. Dy aleatët synojnë të tregojnë partneritetin e tyre në çështjet e sigurisë globale dhe të kalojnë tensionet tregtare të kaluara. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, po ashtu ka reaguar duke thënë se lirimi i pengjeve është “shenjë e rëndësishme e shpresës”. “Katër pengjet janë të lira tani. Hamasi duhet t’i lirojë të gjitha pengjet. Kjo luftë duhet të përfundojë”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se “është i lehtësuar për lirimin e katër pengjeve”. Në një postim në X (ish-Twitter), Guterres u ka dërguar mesazh dy prej familjeve të pengjeve të shpëtuara. Ai ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve dhe t’i jepet fund luftimeve.

Ndërkohë, ndihma humanitare që hyn në Gazë nga deti përmes një porti të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rifillojë në ditët në vijim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë filluar sigurimin e zonës bregdetare në Gazë. Porti do të lejojë dërgimin e vazhdueshëm të ndihmave humanitare për njerëzit e Gazës në ditët në vijim, ka bërë të ditur ushtria izraelite.

Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se e kishte rindërtuar një pjesë të strukturës pasi kishte disa probleme dy javë pasi filloi të funksiononte. 

Ndihma ka për qëllim të lehtësojë një katastrofë humanitare në Gazë, e cila është shpalosur në tetë muajt qëkur Izraeli filloi një ofensivë në përgjigje të sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi që vranë 1200 njerëz në Izrael. Që nga ajo ditë, nga ofensiva e Izraelit, sipas autoriteteve palestineze, janë vrarë rreth 37 mijë persona – shumicë prej tyre gra e fëmijë – dhe rreth 84 mijë janë lënduar.