Botë

Izraeli, shteti i parë që e njeh Somalilandin si shtet të pavarur e sovran

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Izraeli është bërë shteti i parë që e njeh zyrtarisht republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran, duke bërë lëvizje dramatike për njohjen e parë pas 34 vjetësh nga ndarja prej Somalisë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se Izraeli do të kërkojë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në disa fusha. Netanyahu ka thënë se deklarata “është në frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit, të nënshkruara me nismën e presidentit Trump”. Kjo marrëveshje është për normalizim të raporteve të Izraelit kryesisht me shtetet arabe.

Njohja është moment historik për Somalilandin, i cili shpalli pavarësinë e tij nga Somalia në vitin 1991, por deri më tani nuk ishte njohur nga asnjë shtet anëtar i OKB-së. Somalilandi kontrollon skajin veriperëndimor të Somalisë, ku vepron si shtet de facto, dhe kufizohet nga Xhibuti në veriperëndim dhe Etiopia në perëndim dhe jug.

Lëvizja e Izraelit u dënua nga Egjipti dhe Turqia. “Kjo iniciativë nga Izraeli, e cila përputhet me politikën e tij ekspansioniste dhe përpjekjet e tij për të bërë gjithçka për të parandaluar njohjen e një shteti palestinez, përbën ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Somalisë”, u tha në deklaratë.

Analistët izraelitë kanë thënë se njohja e shtetit të shkëputur mund të jetë në interesin strategjik të Izraelit, duke pasur parasysh afërsinë e Somalilandit me Jemenin, ku Izraeli ka kryer sulme ajrore të gjera kundër rebelëve Houthi gjatë dy viteve të fundit.

Sipas Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare, organizatë izraelite, territori i Somalilandit mund të shërbejë si bazë për misione të shumëfishta.

Somalilandi ka një popullsi prej pak më shumë se 6.2 milionë banorësh.