Kabineti i luftës i Izraelit do të mblidhet për herën e tretë brenda tre ditësh të martën, për të diskutuar mbi përgjigjen që duhet ndërmarrë ndaj sulmit të parë të drejtpërdrejtë të Iranit, mes presionit ndërkombëtar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Ndonëse sulmi nuk ka shkaktuar humbje jetësh apo dëme të mëdha, falë mbrojtjes ajrore e kundërmasave të Izraelit dhe aleatëve të tij, shqetësimet se konflikti po përhapet janë rritur.
Irani nisi sulmin si hakmarrje pas sulmit ajror izraelit në Konsullatën e Iranit në Damask më 1 prill.
Së bashku me aleatët evropianë, Washingtoni u përpoq të martën që të ashpërsojë sanksionet ekonomike dhe politike ndaj Iranit në përpjekje për të bindur Izraelin që të përmbahet nga hakmarrja e dhunshme.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz ka njoftuar se ai është “udhëheqës i një sulmi diplomatik”, dhe u ka shkruar 32 vendeve për t’u kërkuar atyre që të vendosin sanksione ndaj Iranit, si dhe të shpallin Gardën Revolucionare Islamike të Iranit një grup terrorist.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen ka theksuar se SHBA-ja do të vendosë sanksione dhe do të bashkëpunojë me aleatët, për të ndërprerë “aktivitetin destabilizues” të Iranit.
Ministrat e jashtëm të BE-së kanë caktuar po ashtu një video takim për të martën, për të diskutuar mbi situatën në Lindjen e Mesme, raporton Reuters.
Vjeshtën e kaluar, Gjermania bëri fushatë me Francën si dhe partnerët e tjerë të BE-së që një regjim ekzistues i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Iranit që synon prodhimin e dronëve, të zgjaste edhe më shumë.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë të martën se disa anëtarë të BE-së veçse kanë premtuar se do të shqyrtojnë përsëri zgjatjen e këtyre sanksioneve, duke njoftuar se ajo do të udhëtojë për në Izrael brenda disa orësh për të diskutuar mbi situatën mes Izraelit dhe Iranit.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka bërë të ditur të hënën se G7-a po punon për një paketë masash kundër Iranit. Italia, e cila ka presidencën e G7-s, theksoi se çdo sanksion i ri do të synonte individët.
Sipas disa analistëve, administrata Biden nuk ka gjasa të kërkojë ashpërsimin e sanksioneve ndaj eksporteve të naftës të Iranit për shkak të shqetësimeve rreth rritjes së çmimeve të naftës dhe zemërimit të blerësit kryesor, Kinës.
Rusia nuk e ka kritikuar publikisht aleatin e saj Iranin, por gjithashtu ka bërë thirrje kundër përshkallëzimit të mëtejshëm.
Sulmi i fundjavës i Iranit shkaktoi dëme modeste në Izrael. 99% e mbi 300 raketave dhe dronëve u rrëzuan nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit dhe me ndihmën e SHBA-së, Britanisë, Francës dhe Jordanisë.