Kulturë

Kitaristi Joe Satriani impresionohet nga murali me portretin e tij në Mitrovicën e Veriut

Murali i Joe Satrianit ne Mitrovicen e Veriut

Murali me portretin e Joe Satrianit në Mitrovicën e Veriut, ka marrë vëmendjen edhe të vetë kitaristit me nam. Virtuozi 69-vjeçar ka thënë se është mahnitur nga kjo vepër arti, ka shpërndarë disa imazhe, e murali tashmë ka marrë vëmendje ndërkombëtare.

“WAW! Ndihem shumë i nderuar dhe i përulur nga kjo vepër e mrekullueshme arti! Shumë dashuri dhe falënderime të përzemërta për artistët e ‘Futja Ngjyrë’, Dea Gaxha, Bardhyl Dobroshi dhe Albion Mehmedi, për krijimin e këtij murali mahnitës në Mitrovicën e Veriut, Kosovë. Do të doja të isha atje për ta parë nga afër dhe për t'ju përqafuar të gjithëve. Faleminderit!”, ka shkuar ai të enjten në profilin e tij në “Facebook”.

Organizata joqeveritare “Futja Ngjyrë”, dy ditë më parë përfundoi muralin me portretin e artistit të shquar, njëri prej top-kitaristëve botëror, i shquar për teknikat e tij unike. Arsyeja për ta portretizuar, lidhet me epitetin e Mitrovicës si qytet i rockut.

“Sapo ka përfundu ni mural, kushtu gitaristit legjendar Joe Satriani, njonit prej emnave ma t’mëdhenj t'rock muzikës n'botë. Ky mural nuk është veç ngjyra n’mur, po osht kujtim që ky qytet ka pasë, ka, e gjithmonë ka me pasë – dashninë për muzikën rock. E tash, sa jeni tu e pa muralin, ju rekomandojmë me e ndegju Joe Satrianin e me u kthy n’kohë”, ishte shkruar në profilin e “Futja Ngjyrë” në Facebook.