Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar të premten kundër ushtrimit të presionit ndaj Ukrainës që të heqë dorë nga territoret e saj në të mirë të Rusisë, si pjesë e marrëveshjes së ardhshme të paqes.
Tek ka folur në intervistën e saj të parë në Britaninë e Madhe që prej kohës kur liderët e BE-së iu bashkuan bisedimeve për paqen në Shtëpinë e Bardhë, Kallas ka thënë për programin “Today” të BBC-së se lëshimet territoriale ndaj Rusisë ishin një “kurth në të cilin Putini dëshiron që ne të biem”.
Rajoni i Donbasit në Ukrainën lindore ka qenë prej kohësh synim i Rusisë, gjersa agresioni ushtarak ka detyruar 1.5 milionë ukrainas që të zhvendosen gjatë dekadës së fundit.
Ukraina ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme që ta dorëzojë rajonin e Donbasit në këmbim të paqes, megjithëse presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar nevojën për “shkëmbime territoriale”.
Kallas – e cila është pjesë e “listës së të kërkuarve” nga Kremlini – ka folur gjithashtu për nevojën e garancive të sigurisë që janë “të besueshme dhe të forta” për Ukrainën.
Mes tjerash, ajo ka pranuar se për momentin nuk kishte shumë “hapa konkretë” për krijimin e një force parandaluese në këtë fazë të negociatave.
“Garancia më e mirë e sigurisë është një ushtri e fortë ukrainase”, ka thënë ajo, tek ka theksuar se këto garanci “nuk duhet të mbesin vetëm në letër”.
Kallasi ka shtuar se ishte në dorën e shteteve anëtare të “koalicionit të të vullnetshmëve” për të përcaktuar saktësisht se në çfarë mënyre do të mund të kontribuonin, dhe se ende nuk ishte e qartë se në çfarë kapaciteti do të vepronin ato forca.
Liderët nga vendet kyçe të BE-së, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Finlandën, u bashkuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në bisedimet e zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë në fillim të javës, pak kohë pasi Trumpi e priti presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin historik të Alaskës.