Botë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së zgjedh pesë anëtarë të rinj për mandate dyvjeçare

OKB

Foto: Associated Press

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka zgjedhur të martën Bahreinin, Kolumbinë, Republikën Demokratike të Kongos, Letoninë dhe Liberinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mandate dyvjeçare, duke filluar nga 1 janari 2026.

Këshilli i Sigurimit është i vetmi organ i OKB-së që mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme, siç janë vendosja e sanksioneve dhe autorizimi i përdorimit të forcës. Ai ka pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

10 anëtarët e mbetur zgjidhen, teksa pesë anëtarë të rinj bashkohen çdo vit. Bahreini, Kolumbia, RDK-ja, Letonia dhe Liberia,  do të zëvendësojnë Algjerinë, Sierra Leonen, Korenë e Jugut, Guajanën dhe Slloveninë.

Për të siguruar përfaqësimin gjeografik, vendet u ndahen grupeve rajonale. Por edhe nëse kandidatët kandidojnë pa kundërshtarë në grupin e tyre, ata ende duhet të fitojnë mbështetjen e më shumë se dy të tretave të Asamblesë së Përgjithshme.

Bahreini mori 186 vota, RDK-ja 183 vota, Liberia 181 vota, Kolumbia 180 vota dhe Letonia 178 vota.

Asambleja e Përgjithshme të hënën ka zgjedhur ish-ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock si presidente të organit me 193 anëtarë për sesionin e saj të 80-të, i cili fillon në shtator.