Botë

Kompanitë shtetërore kineze pezullojnë blerjen e naftës ruse

nafta ruse

Kompanitë shtetërore kineze të naftës kanë pezulluar blerjet e naftës ruse, pas vendosjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Moskë, Rosneft dhe Lukoil, shkruan Reuters duke u referuar në burime të afërta. 

Ky veprim i kompanive kineze është ndërmarrë ndërsa rafineritë në Indi, blerësi më i madh i naftës ruse të transportuar nga deti, janë gati të ulin ndjeshëm importet e tyre të naftës së papërpunuar nga Moska, në përputhje me sanksionet e SHBA-së të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Një veprim i tillë nga dy klientët më të mëdhenj të blerjes së naftës ruse do të ketë ndikim të madh në të ardhurat e Moskës. Dy kompanitë shtetërore kineze të naftës PetroChina dhe Zhenhua Oil do të pezullojnë tregtinë e naftës ruse të paktën në një afat të shkurtër për shkak të shqetësimeve si pasojë e sanksioneve, shtuan burimet.