Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Krejt çka dihet deri më tani për luftimet mes SHBA-së e Izraelit dhe Iranit

Iran

Foto: Associated Press

Lufta në Lindjen e Mesme u zgjerua në disa fronte të hënën, me sulme nga Irani dhe milicitë e mbështetura nga Irani që goditën Izraelin dhe shtetet arabe. Një zyrtar i lartë iranian sinjalizoi se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane ka thënë se të paktën 555 persona janë vrarë deri tani në Republikën Islamike.

Sulmet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të zhvillohen në Iran, ndërsa forcat izraelite kanë goditur objektiva në jug të Libanit, ku të paktën 31 persona janë vrarë, në një luftë që filloi me vrasjen e udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Një sulm në Iran të hënën duket se e nxori jashtë transmetimit televizionin shtetëror iranian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pasojat e luftimeve janë ndjerë në mbarë botën, me fluturime të anuluara, protesta vdekjeprurëse dhe pezullim të transportit detar dhe tregjeve të aksioneve. Reagimet kanë variuar nga gëzimi deri te dënimi. Sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, të cilat nisën të shtunën, kanë nxitur frikën për një luftë më të gjerë dhe dëme në ekonominë botërore.

Ndërsa sulmet izraelite shënjestronin Teheranin, Irani lëshoi dronë dhe raketa drejt Izraelit dhe objekteve përreth Gjirit. Tre aleatë të ngushtë të SHBA-së — Britania, Franca dhe Gjermania, kanë thënë se janë të gatshëm të mbrojnë interesat e tyre në rajon.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në një video të publikuar të dielën se operacioni në Iran — “një nga ofensivat ushtarake më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë”, do të vazhdojë deri sa “të gjitha objektivat tona” të arrihen.

Këshilli i përkohshëm qeverisës i Iranit pritet të emërojë një udhëheqës të ri Suprem. Teokracia iraniane ka hasur vështirësi për shkak të rritjes së pakënaqësisë pas protestave mbarëkombëtare për ekonominë, të cilat u shndërruan në protesta kundër qeverisë.

Izraeli ka thënë se kishte punuar me Shtetet e Bashkuara për muaj të tërë për të planifikuar sulmet.

Ushtria amerikane ka thënë se objektivat në Iran përfshinin objekte komanduese të Gardës Revolucionare, kapacitete të mbrojtjes ajrore, vende lëshimi raketash dhe dronësh, si dhe baza ajrore ushtarake.

Një nga sulmet e para goditi pranë zyrave të Khameneit 86-vjeçar, i cili kishte sunduar që nga viti 1989 dhe mbante pushtetin suprem. Media shtetërore iraniane raportoi vdekjen e Khameneit, pa dhënë detaje. Izraeli ka thënë e kishte vrarë gjithashtu dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë iranianë.

Administrata Trump pretendon se Irani kishte rindërtuar programin e tij bërthamor, për të cilin Teherani ka këmbëngulur se është për qëllime paqësore.

Dëshmitarët kanë thënë se një sulm të hënën në lagjen Niavaran në veri të Teheranit goditi një nga transmetuesit e përdorur për televizionin shtetëror iranian. Që atëherë, sinjalet satelitore kanë rënë. Irani nuk ka dhënë detaje mbi humbjet materiale.

Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane ka thënë se, përveç të paktën 555 të vdekurve, 131 qytete janë sulmuar deri tani në luftë.

Irani godet Izraelin dhe bazat amerikane në hakmarrje

Një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane, Ali Larijani, ka thënë të hënën në rrjetet sociale se “Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara.”

Irani ka lëshuar raketa dhe dronë hakmarrës që shënjestronin Izraelin dhe vendet arabe të Gjirit që strehojnë forca amerikane. Tre ushtarakë amerikanë janë vrarë, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.

Disa avionë luftarakë amerikanë janë rrëzuar gabimisht të hënën në Kuvajt, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes së vendit, teksa të gjithë pilotët kanë arritur të hidhen me parashutë në mënyrë të sigurt. Ushtria amerikane ka bërë të ditur më vonë të hënën se rrëzimi ka ndodhur gabimisht nga mbrojtja e Kuvajtit dhe se Kuvajti e kishte pranuar gabimin.

Ndërkohë, Mbretëria ishullore e Bahreinit ka thënë se një person u vra nga copëza predhash të një rakete të penguar.

Bahreini, që strehon Flotën e 5-të të Marinës amerikane, ka thënë se ka penguar 61 raketa dhe 34 dronë sulmues të lëshuar kundër tij. Disa goditje arritën të depërtonin, duke goditur ndërtesa dhe bazën detare.

Njëmbëdhjetë persona janë vrarë në Izrael, ndërsa shpërthime të forta të shkaktuara nga goditjet ose ndalimi i raketave janë dëgjuar në Tel Aviv. Shërbimet izraelite të shpëtimit kanë thënë se nëntë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur nga një sulm që ka goditur një sinagogë në qytetin qendror Beit Shemesh.

Ministri i Jashtëm iranian ka sugjeruar se njësitë ushtarake të vendit po veprojnë në mënyrë të pavarur nga kontrolli qendror i qeverisë, pasi u pyet për sulmet ndaj vendeve arabe të Gjirit që në të kaluarën kanë shërbyer si ndërmjetës për Teheranin.

Një milici shiite irakiane ka marrë përgjegjësinë për një sulm me dron të hënën që shënjestronte trupat amerikane në aeroportin e Bagdadit.

Zjarr dhe tym dolën nga kompleksi i Ambasadës së SHBA-së në Kuvajt pas një sulmi iranian ndaj vendit të vogël të Lindjes së Mesme të hënën. Video e siguruar nga Associated Press tregonte tymin ndërsa dëgjohej alarmi.

Rafineria saudite e naftës në Ras Tanura u vu në shënjestër të hënën nga dronë, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes së mbretërisë, teksa autoritetet kanë njoftuar se kanë rrëzuar mjetet ajrore hyrëse.

Izraeli godet Libanin, urdhëron njerëzit të largohen nga fshatrat

Shefi i Shtabit të Izraelit ka thënë se ushtria ka nisur një fushatë ofensive në Liban që mund të përfshijë “shumë ditë të zgjatura luftimesh.” Hezbollahu ka lëshuar disa raketa dhe dronë drejt Izraelit gjatë natës të së dielës, dhe Izraeli është përgjigjur duke goditur dhjetëra objektiva në Bejrut dhe në jug të Libanit. Izraeli gjithashtu ka rekomanduar që banorët e 53 fshatrave në jug të Libanit të evakuohen, duke shkaktuar bllokime masive trafiku.

Izraeli po mban “të gjitha opsionet mbi tavolinë” për një operacion të mundshëm tokësor në Liban, sipas zëdhënësit ushtarak izraelit, gjeneral brigade Effie Defrin.

Sulmet ajrore izraelite në Liban pas sulmit të Hezbollahut kanë vrarë të paktën 31 persona, ka thënë të hënën ministria e Shëndetësisë e Libanit. Ajo ka shtuar se 149 persona janë plagosur dhe rreth dy të tretat e të vrarëve ishin në jug të Libanit.

Lufta jehon në mbarë botën

Të paktën 22 persona janë vrarë në përleshje me policinë në veri të Pakistanit dhe në qytetin port jugor të Karaçit, pasi qindra protestues sulmuan Konsullatën e SHBA-së atje, kanë thënë autoritetet.

Kompanitë e transportit detar pezulluan lëvizjen e anijeve përmes Kanalit të Suezit. Sulmet mund të tronditin tregjet globale, veçanërisht nëse Irani e bën të pasigurt Ngushticën e Hormuzit për trafikun tregtar. Një e pesta e naftës së tregtuar në botë kalon përmes kësaj ngushtice.

Udhëtimi ajror në rajon është ndërprerë, me qindra mijëra udhëtarë të bllokuar ose të devijuar drejt aeroporteve të tjera pasi Izraeli, Katari, Siria, Irani, Iraku, Kuvajti dhe Bahreini mbyllën hapësirat e tyre ajrore.

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se do të mbyllin bursat kryesore të vendit në fillim të javës së tregtimit.

Lexo përditësimet tjera
iran

Irani godet ambasadën amerikane në Kuvajt, Izraeli dhe SHBA-ja intensifikojnë sulmet

Irani dhe milicitë e mbështetura prej tij kanë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe,...