Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi thotë se “vala e madhe” e sulmeve ndaj Iranit s’ka nisur ende

iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se ishte shansi i fundit dhe më i mirë i SHBA-së për ta goditur fort Iranin dhe për t’i eliminuar kërcënimet e tij ndaj Lindjes së Mesme dhe vetë Amerikës. Në një fjalim gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ai ka thënë se Irani ka injoruar paralajmërimet e SHBA-së për të mos zhvilluar armë bërthamore. Ndërkohë, luftimet janë zgjeruar në rajon, duke u përfshirë në to edhe grupi militant në Liban, Hezbollah.

Washington/Lindje e Mesme (AP/BBC) - Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se SHBA-ja vazhdon të kryejë “operacione luftarake në shkallë të gjerë” në Iran, për të eliminuar sipas tij, kërcënimet që paraqet regjimi i Teheranit.

Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, të hënën, ai u shpreh se Irani i injoroi paralajmërimet e SHBA-së dhe “refuzoi t’i ndalonte përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Deklarata e Trumpit u bë teksa konflikti po kthehet në një luftë të gjerë në rajon.

Trumpi shtoi se Irani “nuk mund të vazhdojë t’i armatosë, financojë dhe drejtojë ushtritë terroriste” në të gjithë Lindjen e Mesme dhe se këtij vendi tashmë i janë shkatërruar 10 anije luftarake. 

“Ky ishte shansi ynë i fundit dhe më i mirë për të goditur – atë që po bëjmë tani – dhe për t’i eliminuar kërcënimet e patolerueshme që paraqet ky regjim i sëmurë dhe i lig”, ka deklaruar Trumpi.  
Sipas tij, programi i raketave i Iranit pati për qëllim ta mbrojë zhvillimin e armëve bërthamore.
Presidenti amerikan deklaroi se një regjim iranian i armatosur me armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi do të ishte “kërcënim i papranueshëm” për Lindjen e Mesme, si dhe për vetë popullin amerikan.

E Trump në një intervistë për “CNN” pak para ceremonisë tha se vala më e madhe e operacionit në Iran ende nuk ka ardhur.

“Po i shkatërrojmë shumë”, tha Trump. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë. As nuk kemi filluar ende t’i godasim fortë. Vala më e madhe ende s’ka ndodhur. Vala e madhe vjen shpejt”.

Gjatë së hënës, edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një konferencë për media ku deklaroi se SHBA-ja nuk e ka filluar luftën me Iranin, porse ajo do ta përfundojë atë.

“Për 47 vjet të gjatë, regjimi ekspansionist dhe islamik në Teheran ka zhvilluar një luftë të egër dhe të njëanshme kundër Amerikës. Ata nuk e kanë deklaruar gjithmonë hapur, përveç thirrjeve të tyre të vazhdueshme 'Vdekje Amerikës'. Ata e bënë këtë përmes gjakut të popullit tonë, makinave bomba në Bejrut, sulmeve me raketa ndaj anijeve tona e vrasjeve në ambasadat tona. Ne nuk e filluam këtë luftë, por nën presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë”, ka deklaruar Hegseth. 

Hegseth ka thënë po ashtu se rasti i Iranit nuk është si ai i Irakut, duke u zotuar se nuk do të ketë luftë të pafundme dhe se qëllimi është shkatërrimi i raketave, marinës dhe infrastrukturës tjetër të sigurisë që zotëron Teherani zyrtar.

Përshkallëzohen sulmet

Lufta në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar edhe më tej të hënën, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan Iranin. 

Teherani dhe aleatët e tij kundërpërgjigjën duke goditur Izraelin, shtetet fqinje të Gjirit dhe objektiva jetike për prodhimin global të naftës dhe gazit natyror.

Zona që konsideroheshin të sigurta në Lindjen e Mesme, si Dubai, po vazhdojnë të goditen gjithashtu. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, teksa aleatët e SHBA-së janë zotuar të ndihmojnë në ndalimin e raketave dhe dronëve iranianë.

Irani ka kërcënuar prej kohësh se, nëse sulmohet, do ta tërheqë rajonin në një luftë totale, duke shënjestruar Izraelin, shtetet arabe të Gjirit dhe rrjedhën e naftës bruto, thelbësore për tregjet globale të energjisë. Të gjitha këto u vunë në shënjestër të hënën.

Shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar të hënën se vendi është "përgatitur për një luftë të gjatë".

“Irani, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, është përgatitur për një luftë të gjatë. Ashtu si në 300 vjetët e fundit, Irani nuk e filloi këtë luftë dhe Forcat tona të Armatosura të guximshme nuk janë përfshirë në asnjë sulm përveçse në mbrojtje”, ka deklaruar Larijani.

Qindra viktima në disa vende

Kaosi i konfliktit u bë edhe më i dukshëm kur ushtria amerikane njoftoi se Kuvajti “gabimisht rrëzoi” tre avionë luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle, ndërsa sulmet nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë ishin në zhvillim. Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se të gjashtë pilotët u hodhën me sukses me parashutë dhe ndodhen në gjendje stabile.

Izraeli dhe SHBA-ja kanë bombarduar vendet e lëshimit të raketave iraniane dhe kanë shënjestruar marinën e tij, duke pretenduar se kanë shkatërruar selinë e saj dhe disa anije luftarake. 
Numri i viktimave është rritur në të gjitha anët. Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane ka thënë se operacioni SHBA-Izrael ka vrarë të paktën 555 persona. Në Izrael, ku disa zona u goditën nga raketa iraniane, u vranë 11 persona. Grupi militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani, gjithashtu goditi Izraelin, i cili u kundërpërgjigj me sulme në Liban, duke vrarë më shumë rreth 60 persona. Ndërkohë, gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë, ndërsa u raportuan tre viktima në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga një në Kuvajt dhe Bahrein.

Në qytetin e Kuvajtit, flakë dhe tym u panë brenda kompleksit të Ambasadës së SHBA-së, pak pasi SHBA-ja u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të strehoheshin dhe të qëndronin larg zonës. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo viktima.

Goditja ndaj ekonomisë

Irani po godet shtyllën kryesore të ekonomisë së rajonit.

Me tregjet botërore tashmë të tronditura nga luftimet, QatarEnergy njoftoi se do ta ndalonte prodhimin e gazit natyror të lëngshëm, duke nxjerrë nga tregu një nga furnizuesit kryesorë botërorë. Nuk u dha një afat për rifillimin e prodhimit. Çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën me 40% si reagim.
Ndërkohë, rafineria saudite e naftës në Ras Tanura u vu në shënjestër nga dronë, teksa mbrojtja ajrore rrëzoi ata, sipas agjencisë shtetërore saudite të lajmeve. Rafineria ka kapacitet mbi gjysmë milioni fuçi nafte bruto në ditë.

Një dron goditi gjithashtu një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, duke vrarë një marinar, ndërsa mbetje ranë mbi një rafineri nafte në Kuvajt.

Disa anije janë sulmuar në Ngushticën e Hormuzit, hyrja e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon një e pesta e naftës globale dhe ku Irani ka kërcënuar me sulme.
“Sulmi ndaj rafinerisë Ras Tanura në Arabinë Saudite shënon një përshkallëzim të rëndësishëm, me infrastrukturën energjetike të Gjirit tashmë qartazi në shënjestër të Iranit”, ka thënë Torbjorn Soltvedt, analist në kompaninë e inteligjencës “Verisk Maplecroft”. “Na pret një periudhë e zgjatur pasigurie.”
Rajoni është gjithashtu një qendër e rëndësishme për udhëtimet ajrore, dhe pasagjerë në mbarë botën kanë mbetur të bllokuar pasi kompanitë ajrore me bazë në Gjirin Persik pezulluan fluturimet. Megjithatë, linjat ajrore të distancave të gjata Etihad dhe Emirates rifilluan fluturime të kufizuara të hënën.

Irani ndërkohë pretendon se u shënjestrua një objekt bërthamor i tij.
Reza Najafi, ambasadori i Iranit pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, u ka thënë gazetarëve se sulmet ajrore shënjestruan objektin bërthamor të pasurimit në Natanz të dielën.
“Arsyetimi i tyre se Irani dëshiron të zhvillojë armë bërthamore është thjesht një gënjeshtër e madhe”, ka thënë ai.

Izraeli dhe SHBA-ja nuk kanë pranuar se kanë kryer goditje në këtë objekt, të cilin SHBA-ja e bombardoi gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor. Izraeli ka thënë se po shënjestron “udhëheqjen dhe infrastrukturën bërthamore.”

Irani ka deklaruar se nuk ka pasuruar uranium që nga qershori, megjithëse ka theksuar të drejtën e tij për ta bërë këtë, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor.

Irani paralajmëron se do ta sulmojë këdo që kalon në ngushticën e Hormuzit

2 o. më parë / 2 mar 2026 23:36
Ngushtica e Hormuzit

Një zyrtar iranian thotë se Irani do t'i "vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë" nëpër Ngushticën e Hormuzit, ngushticë nëpër të cilën kalon një e pesta e naftit dhe gazit në botë.

Paralajmërimi vjen nga Ebrahim Jabbari, një këshilltar i Komandantit të Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, duke folur në televizionin shtetëror.

Ai thotë se ngushtica është e mbyllur dhe paralajmëroi anijet se do të përballen me përgjigje serioze nëse vijnë tek kjo ngushticë.

"Ata nuk duhet të vijnë në këtë rajon. Ata me siguri do të përballen me një përgjigje serioze nga ne", ka thënë ai.

Jabbari thotë gjithashtu se amerikanët janë "të etur për naftën e rajonit" dhe se Irani do të "godasë tubacionet e tij në rajon dhe nuk do të lejojë që nafta të eksportohet nga kjo zonë".

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të naftës. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë kalon nëpër ngushticë.

Shkon në gjashtë numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në operacionin në Iran

3 o. më parë / 2 mar 2026 23:28
Blackhawk

Photo: Associated Press

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka njoftuar se në total gjashtë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që kur SHBA-ja e Izraeli nisën operacionin ushtarak në Iran të shtunën. 

Të dielën ishte raportuar për tre të vrarë dhe pesë të plagosur rëndë. Por, të hënën është rritur numri i viktimave. 

Në përditësimin e fundit të Centcom është thënë se forcat amerikane kanë nxjerrë mbetet mortore të “dy pjesëtarëve të forcave që më parë ishin zhdukur kur një objekt ishte goditur në sulmet fillestare të Iranit në rajon”. 

Rubio: Qëllimi i SHBA-së është shkatërrimi i raketave balistike iraniane

3 o. më parë / 2 mar 2026 23:14
Marco Rubio

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në një konferencë për media ka thënë se synimi i operacionit të SHBA-së në Iran është shkatërrimi i raketave balistike iraniane. 

“Misioni ynë është shkatërrimi i kapaciteteve të tyre të raketave balistike dhe aftësisë së tyre për t’i prodhuar ato, si dhe kërcënimi që paraqet marina e tyre për transportin global detar. Ky është objektivi. Megjithatë, ne nuk do të na pengonte, nuk do të na thyhej zemra, dhe shpresojmë që populli iranian ta përmbysë këtë qeveri dhe të krijojë një të ardhme të re për atë vend. Do të na pëlqente që kjo të ishte e mundur”, tha Rubio. “Por objektivi i këtij misioni është shkatërrimi i kapaciteteve të tyre të raketave balistike dhe kapaciteteve të tyre detare”.

Ai tha se SHBA-ja e sulmoi Iranin si masë paraprake të shtunën, pasi SHBA-ja e dinte se Izraeli do ta ndërmerrte goditjen. 

“Ne e dinim se do të kishte një veprim izraelit. E dinim se do të shkaktonte një sulm kundër forcave amerikane dhe e dinim se duhet të vepronim paraprakisht para se të nisnin ato sulme pasi do të pësonim më shumë viktima”, tha Rubio. 

Izraeli dhe SHBA-ja në një operacion të koordinuar kanë goditur Iranin të shtunën. U vranë dhjetëra zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin e po ashtu bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe shtetet e Gjirit Persik. 
 

Numri i të vdekurve në Liban rritet në 52, thonë autoritetet

4 o. më parë / 2 mar 2026 21:57
Liban

Njësia e Menaxhimit të Fatkeqësive në Liban sapo ka njoftuar se, pas sulmit izraelit, 52 persona janë vrarë dhe 154 janë plagosur.

Më parë, ministria libaneze e shëndetësisë tha se 31 persona ishin vrarë dhe 149 ishin plagosur.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar gjatë ditës se e kanë vrarë njërin nga liderët e Hezbollahut. Bëhet fjalë për kreun e selisë së Inteligjencës së Hezbollahut, Hussein Makled.

Sipas ushtrisë izraelite, Makled drejtonte strukturat e inteligjencës së grupit militant libanez, ndërsa nuk janë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e sulmit.

SHBA-ja thotë se ka vrarë 49 udhëheqësit më të lartë iranianë e fundosi 11 anije

4 o. më parë / 2 mar 2026 21:40
Teheran

Photo: Associated Press

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, thotë se “49 udhëheqësit më të lartë të regjimit iranian” janë vrarë në operacionin izraelito-amerikan ndaj Iranit. 

Në një postim në rrjete sociale, ajo ka përshkruar operacionin. 

“Vrasja e terroristëve është e mirë për Amerikën. 49 nga udhëheqësit më të lartë të regjimit iranian – përfshirë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei – janë zhdukur nga faqja e Tokës deri më tash në sulmet hapëse të ‘Operacionit Epic Fury’”, tha ajo. 

Ndërkohë Komanda Qndrore Amerikane (Centcom) tha se ka fundosur 11 anije iraniane në Gjirin e Omanit, duke lënë Iranin pa asnjë anije të mbetur në atë zonë. 

“Dy ditë më parë, regjimi iranian kishte 11 anije në Gjirin e Omanit, sot i ka ZERO”, ka njoftuar Centcom. 

E po ashtu Centcom ka treguar faktet për operacionin. 

Ka thënë se më shumë se 1250 objektiva janë goditur në 48 orët e para. 

Ka treguar se janë përfshirë bombardues B-1, aeroplanë luftarakë F-16, transportues aeroplanësh dhe shkatërrues. 
 

Rutte: Nuk ka asnjë plan që NATO të përfshihet në sulmet ndaj Iranit

7 o. më parë / 2 mar 2026 18:42
Mark Rutte

Photo: Associated Press

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi të hënën veprimet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke thënë se ato po degradonin aftësinë e Teheranit për të siguruar kapacitetin bërthamor dhe raketor balistik, por tha se vetë NATO nuk do të përfshihej.

"Është me të vërtetë e rëndësishme ajo që SHBA-të po bëjnë këtu, së bashku me Izraelin, sepse po shkatërrojnë, po degradojnë kapacitetin e Iranit për të siguruar kapacitetin bërthamor, kapacitetin raketor balistik", tha ai për televizionin gjerman ARD në Bruksel.

"Nuk ka absolutisht asnjë plan që NATO të përfshihet në këtë ose të jetë pjesë e saj, përveçse aleatët individualë bëjnë çmos për të mundësuar atë që amerikanët po bëjnë së bashku me Izraelin", shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një intervistë për “CNN” gjatë ditës ka thënë se vala më e madhe e operacionit në Iran ende nuk ka ardhur.

“Po i shkatërrojmë shumë. Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë. As nuk kemi filluar ende t’i godasim fortë. Vala më e madhe ende s’ka ndodhur. Vala e madhe vjen shpejt”, ka thënë Trump

Izraeli me përkrahje të SHBA-së nisën ofensivën në Iran të shtunën. Gjatë ofensivës u vranë dhjetëra udhëheqës iranianë, përfshirë edhe liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei. Në kundërpërgjigje Irani ka goditur Izraelin e po ashtu bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Vdiq edhe gruaja e Khameneit, nuk u mbijetoi plagëve nga sulmi i së shtunës

8 o. më parë / 2 mar 2026 17:42
Khamenei

Foto: Getty

Gruaja e udhëheqësit suprem të vrarë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka vdekur të hënën, sipas mediave lokale, pasi pësoi plagë nga bombardimet amerikane dhe izraelite në Teheran, që vranë burrin e saj disa ditë më parë.

Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh kishte qenë në koma pasi ajo dhe burri i saj u shënjestruan në sulmin e së shtunës vonë, ka raportuar të hënën Agjencia e Lajmeve të Studentëve Iranianë.

Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit nga SHBA-ja dhe Izraeli ka krijuar një vakum pushteti në zemër të regjimit.

Irani ka paralajmëruar të dielën se brenda pak ditësh do ta emërojë pasardhësin e Khameneit. 

Trump: Ende s'ka nisur vala e madhe e sulmeve në Iran

9 o. më parë / 2 mar 2026 17:18
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një intervistë për “CNN” ka thënë se vala më e madhe e operacionit në Iran ende nuk ka ardhur. 

“Po i shkatërrojmë shumë”, tha Trump. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë. As nuk kemi filluar ende t’i godasim fortë. Vala më e madhe ende s’ka ndodhur. Vala e madhe vjen shpejt”. 

Trump pritet të flasë së shpejti në një ceremoni të ndarjes së medaljeve të nderit në Shtëpinë e Bardhë. 

Izraeli me përkrahje të SHBA-së nisën ofensivën në Iran të shtunën. Gjatë ofensivës u vranë dhjetëra udhëheqës iranianë, përfshirë edhe liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei. Në kundërpërgjigje Irani ka goditur Izraelin e po ashtu bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. 

I pyetur se sa gjatë lufta mund të zgjasë, Trump tha rreth një muaj. 

“S’dua ta shoh të zgjas shumë. Gjithmonë kam menduar se do të zgjasë deri 4 javë. Jemi duke shkuar pak më shpejt”, tha Trump. 

Për sulmet hakmarrëse ndaj shteteve fqinje arabe si Katari e Emiratet e Bashkuara Arabe, Trump tha se nuk ishte befasi e madhe, 
 

Kjo qeveri nuk beson në ndryshim regjimi nga qiejt, thotë Starmer

9 o. më parë / 2 mar 2026 17:10
Keir Starmer

Photo: Associated Press

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka thënë se SHBA-ja kishte kërkuar leje për të përdorur bazat britanike për të qenë në gjendje të ndalojnë raketat iraniane në burim, kur ato ndodhen në depo magazinimi ose janë gati në raketa.

Kryeministri ka thënë se ka pranuar këtë kërkesë të re "me qëllim që të parandalojë që Irani të lëshojë raketa në të gjithë rajonin" dhe të vrasë civilë.

Megjithatë, ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar nuk po i bashkohet sulmeve ofensive të SHBA-së dhe Izraelit.

Kryeministri ka shtuar se Franca dhe Gjermania janë gjithashtu të përgatitura të lejojnë aktivitetin e SHBA-së në bazat e tyre me qëllim që të shkatërrojnë aftësinë e Iranit për lëshimin e raketave.

Ai ka deklaruar po ashtu se qeveria e tij nuk beson në ndryshim regjimi nga qiejt, duke iu referuar sulmeve ajrore ndaj Iranit. 

Numër i kufizuar fluturimesh rifillon sonte nga Dubai

11 o. më parë / 2 mar 2026 15:34
Dubai

Autoritetet e Aeroportit të Dubait kanë njoftuar për një “rifillim të kufizuar” të fluturimeve nga sonte, me një “numër të vogël fluturimesh” nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, dhe Aeroporti Ndërkombëtar Al Maktoum.

Megjithatë, udhëtarëve u është kërkuar të mos paraqiten në  aeroporte nëse nuk ja në kontaktuar nga kompania e tyre ajrore me një orar të konfirmuar nisjeje.

Kompania ajrore “Emirates” me seli në Dubai, ka bërë të ditur se po u jep përparësi pasagjerëve me rezervime të mëhershme.

Ndërkohë, Gjermania do të dërgojë avionë për të evakuuar turistët e mbetur në Lindjen e Mesme, ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, sipas agjencisë Reuters. Ata do të evakuohen nga Rijadi në Arabinë Saudite dhe nga Muskati në Oman.

Më herët gjatë ditës, sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, tha se qeveria po punon “jashtëzakonisht fort” për të ndihmuar qytetarët të kthehen në shtëpi. Sipas saj, rreth 100 mijë shtetas britanikë kanë regjistruar praninë e tyre pranë zyrës së jashtme britanike.

Irani është i përgatitur për luftë të gjatë, thotë shefi i sigurisë iraniane

11 o. më parë / 2 mar 2026 14:45
Ali Larijani

Photo: Associated Press

Shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar të hënën se vendi është "përgatitur për një luftë të gjatë", pasi bombardimet amerikane dhe izraelite gjatë fundjavës shkaktuan një valë dhune rajonale.

"Irani, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, është përgatitur për një luftë të gjatë", ka thënë Larijani në një postim në X. "Ashtu si në 300 vjetët e fundit, Irani nuk e filloi këtë luftë dhe Forcat tona të Armatosura të guximshme nuk janë përfshirë në asnjë sulm përveçse në mbrojtje”.

"Ne do ta mbrojmë me forcë veten dhe qytetërimin tonë 6,000-vjeçar pavarësisht kostove dhe do t'i bëjmë armiqtë të pendohen për llogaritjen e tyre të gabuar", ka shtuar kreu i sigurisë.

Fushata ushtarake amerikano-izraelite ka lënë të vdekur udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të shtunën, duke shkaktuar sulme hakmarrëse nga Teherani në bazat ajrore amerikane në rajon dhe duke shkaktuar sulme të mëtejshme në vende të tjera përreth.

Qindra njerëz janë vrarë - përfshirë të paktën 555 njerëz vetëm në Iran, sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe.

Pentagoni për sulmet ndaj Iranit: Ky nuk është Iraku, s’do të ketë luftë të pafundme

12 o. më parë / 2 mar 2026 14:21
Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë të hënën se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit nuk kanë për qëllim të sjellin "ndryshim regjimi", ndërsa e ka pranuar se lidershipi në vend ka ndryshuar.

"Kjo nuk është një luftë e ashtuquajtur për ndryshim regjimi, por regjimi me siguri ndryshoi dhe bota është më mirë për shkak të kësaj", ka thënë Hegseth.

Pavarësisht deklaratës së Hegseth, presidenti Donald Trump ka nxitur ndryshimin e regjimit.

Në komentet e tij të para pas sulmeve, ai iu drejtua drejtpërdrejt popullit iranian duke thënë: "Amerika po ju mbështet me forcë të madhe dhe forcë shkatërruese. Tani është koha për të marrë kontrollin e fatit tuaj dhe për të çliruar të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që është afër jush”. 

Sekretari gjithashtu ka argumentuar të hënën se SHBA-ja nuk e ka filluar luftën, duke pretenduar se Irani ka kryer sulme për dekada në një "luftë të njëanshme kundër Amerikës".

"Ne nuk e filluam këtë luftë, por nën presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë", ka shtuar Hegseth.

Hegseth, ka thënë po ashtu se operacionet ushtarake kundër Iranit nuk do të çonin në një "luftë të pafundme" dhe se qëllimi ishte shkatërrimi i raketave, Marinës dhe infrastrukturës tjetër të sigurisë së Teheranit.

“Ky nuk është Iraku”, ka thënë Hegseth nga Pentagoni. “Kjo nuk është e pafund...Brezi ynë e di më mirë, dhe kështu e di edhe ky president. Ai i quajti 20 vjetët e fundit të luftërave për ndërtimin e kombit budallallëqe, dhe ka të drejtë".

“Kjo është e kundërta”, ka shtuar ai. “Ky operacion është një mision i qartë, shkatërrues dhe vendimtar: Shkatërroni kërcënimin me raketa, shkatërroni Marinën, pa armë bërthamore".

Regjimet si Irani s’mund të kenë armë bërthamore, thotë shefi i Pentagonit

12 o. më parë / 2 mar 2026 14:15
Pete Hegseth

Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur vijën "pas 47 vitesh armiqësie iraniane".

Në një konferencë për media, bashkë me shefin e shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, Hegseth ka thënë se kushdo që vret ose kërcënon amerikanët do të ndiqet nga SHBA-ja "pa kërkuar falje dhe pa hezitim".

Hegseth ka shtuar se është e logjikshme që regjimet si Irani nuk duhet të kenë armë bërthamore, dhe Trumpi ka "guximin" e nevojshëm për ta zbatuar këtë.

Ushtria izraelite thotë se e ka vrarë një nga liderët e Hezbollahut

12 o. më parë / 2 mar 2026 14:06
izrael

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar se kanë vrarë një nga liderët e Hezbollahut.

Bëhet fjalë për kreun e selisë së Inteligjencës së Hezbollahut.

“Në një goditje precize në Bejrut mbrëmë (e diel), është eliminuar terroristi Hussein Makled, i cili shërbente si kreu i selisë së inteligjencës së Hezbollahut,” thuhet në deklaratë.

Sipas ushtrisë izraelite, Makled drejtonte strukturat e inteligjencës së grupit militant libanez, ndërsa nuk janë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat e sulmit.

Katari ndalon prodhimin e gazit natyror të lëngshëm pas sulmeve

12 o. më parë / 2 mar 2026 13:59
Katar, iran

Photo: Associated Press

Kompania shtetërore e energjisë e Katarit, QatarEnergy, ka bërë të ditur se ka ndaluar prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) pas sulmeve iraniane në disa nga objektet e saj.

Ajo thotë se objektet e sulmuara ishin Ras Laffan, një bazë përpunimi gazi në tokë, dhe Mesaieed, një tjetër vend kyç për prodhimin e gazit natyror të Katarit.

Shteti i Gjirit është një nga prodhuesit kryesorë të gazit natyror të lëngshëm në botë, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Rusinë.

SHBA-ja humb edhe një ushtar nga sulmet iraniane

12 o. më parë / 2 mar 2026 13:55
SHBA

Photo: Associated Press

Një anëtar i katërt i shërbimit amerikan, i cili ishte plagosur gjatë sulmeve fillestare të Iranit, "i është dorëzuar plagëve të marra", ka bërë të ditur të hënën Komanda Qendrore e SHBA-së.

Sulme të dukshme iraniane janë raportuar në të gjithë rajonin. 

SHBA-ja nuk ka dhënë detaje se ku ka ndodhur sulmi në të cilin kishte mbetur i plagosur anëtari amerikan i shërbimit, i cili ka vdekur së fundmi.  

Tre anëtarë të tjerë janë raportuar të vdekur të dielën. 

Krejt çka dihet deri më tani për luftimet mes SHBA-së e Izraelit dhe Iranit

13 o. më parë / 2 mar 2026 12:48
Iran

Photo: Associated Press

Lufta në Lindjen e Mesme u zgjerua në disa fronte të hënën, me sulme nga Irani dhe milicitë e mbështetura nga Irani që goditën Izraelin dhe shtetet arabe. Një zyrtar i lartë iranian sinjalizoi se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane ka thënë se të paktën 555 persona janë vrarë deri tani në Republikën Islamike.

Sulmet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të zhvillohen në Iran, ndërsa forcat izraelite kanë goditur objektiva në jug të Libanit, ku të paktën 31 persona janë vrarë, në një luftë që filloi me vrasjen e udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Një sulm në Iran të hënën duket se e nxori jashtë transmetimit televizionin shtetëror iranian.

Pasojat e luftimeve janë ndjerë në mbarë botën, me fluturime të anuluara, protesta vdekjeprurëse dhe pezullim të transportit detar dhe tregjeve të aksioneve. Reagimet kanë variuar nga gëzimi deri te dënimi. Sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit, të cilat nisën të shtunën, kanë nxitur frikën për një luftë më të gjerë dhe dëme në ekonominë botërore.

Ndërsa sulmet izraelite shënjestronin Teheranin, Irani lëshoi dronë dhe raketa drejt Izraelit dhe objekteve përreth Gjirit. Tre aleatë të ngushtë të SHBA-së — Britania, Franca dhe Gjermania, kanë thënë se janë të gatshëm të mbrojnë interesat e tyre në rajon.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në një video të publikuar të dielën se operacioni në Iran — “një nga ofensivat ushtarake më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë”, do të vazhdojë deri sa “të gjitha objektivat tona” të arrihen.

Këshilli i përkohshëm qeverisës i Iranit pritet të emërojë një udhëheqës të ri Suprem. Teokracia iraniane ka hasur vështirësi për shkak të rritjes së pakënaqësisë pas protestave mbarëkombëtare për ekonominë, të cilat u shndërruan në protesta kundër qeverisë.

Izraeli ka thënë se kishte punuar me Shtetet e Bashkuara për muaj të tërë për të planifikuar sulmet.

Ushtria amerikane ka thënë se objektivat në Iran përfshinin objekte komanduese të Gardës Revolucionare, kapacitete të mbrojtjes ajrore, vende lëshimi raketash dhe dronësh, si dhe baza ajrore ushtarake.

Një nga sulmet e para goditi pranë zyrave të Khameneit 86-vjeçar, i cili kishte sunduar që nga viti 1989 dhe mbante pushtetin suprem. Media shtetërore iraniane raportoi vdekjen e Khameneit, pa dhënë detaje. Izraeli ka thënë e kishte vrarë gjithashtu dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë iranianë.

Administrata Trump pretendon se Irani kishte rindërtuar programin e tij bërthamor, për të cilin Teherani ka këmbëngulur se është për qëllime paqësore.

Dëshmitarët kanë thënë se një sulm të hënën në lagjen Niavaran në veri të Teheranit goditi një nga transmetuesit e përdorur për televizionin shtetëror iranian. Që atëherë, sinjalet satelitore kanë rënë. Irani nuk ka dhënë detaje mbi humbjet materiale.

Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane ka thënë se, përveç të paktën 555 të vdekurve, 131 qytete janë sulmuar deri tani në luftë.

Irani godet Izraelin dhe bazat amerikane në hakmarrje

Një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane, Ali Larijani, ka thënë të hënën në rrjetet sociale se “Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara.”

Irani ka lëshuar raketa dhe dronë hakmarrës që shënjestronin Izraelin dhe vendet arabe të Gjirit që strehojnë forca amerikane. Tre ushtarakë amerikanë janë vrarë, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.

Disa avionë luftarakë amerikanë janë rrëzuar gabimisht të hënën në Kuvajt, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes së vendit, teksa të gjithë pilotët kanë arritur të hidhen me parashutë në mënyrë të sigurt. Ushtria amerikane ka bërë të ditur më vonë të hënën se rrëzimi ka ndodhur gabimisht nga mbrojtja e Kuvajtit dhe se Kuvajti e kishte pranuar gabimin.

Ndërkohë, Mbretëria ishullore e Bahreinit ka thënë se një person u vra nga copëza predhash të një rakete të penguar.

Bahreini, që strehon Flotën e 5-të të Marinës amerikane, ka thënë se ka penguar 61 raketa dhe 34 dronë sulmues të lëshuar kundër tij. Disa goditje arritën të depërtonin, duke goditur ndërtesa dhe bazën detare.

Njëmbëdhjetë persona janë vrarë në Izrael, ndërsa shpërthime të forta të shkaktuara nga goditjet ose ndalimi i raketave janë dëgjuar në Tel Aviv. Shërbimet izraelite të shpëtimit kanë thënë se nëntë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur nga një sulm që ka goditur një sinagogë në qytetin qendror Beit Shemesh.

Ministri i Jashtëm iranian ka sugjeruar se njësitë ushtarake të vendit po veprojnë në mënyrë të pavarur nga kontrolli qendror i qeverisë, pasi u pyet për sulmet ndaj vendeve arabe të Gjirit që në të kaluarën kanë shërbyer si ndërmjetës për Teheranin.

Një milici shiite irakiane ka marrë përgjegjësinë për një sulm me dron të hënën që shënjestronte trupat amerikane në aeroportin e Bagdadit.

Zjarr dhe tym dolën nga kompleksi i Ambasadës së SHBA-së në Kuvajt pas një sulmi iranian ndaj vendit të vogël të Lindjes së Mesme të hënën. Video e siguruar nga Associated Press tregonte tymin ndërsa dëgjohej alarmi.

Rafineria saudite e naftës në Ras Tanura u vu në shënjestër të hënën nga dronë, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes së mbretërisë, teksa autoritetet kanë njoftuar se kanë rrëzuar mjetet ajrore hyrëse.

Izraeli godet Libanin, urdhëron njerëzit të largohen nga fshatrat

Shefi i Shtabit të Izraelit ka thënë se ushtria ka nisur një fushatë ofensive në Liban që mund të përfshijë “shumë ditë të zgjatura luftimesh.” Hezbollahu ka lëshuar disa raketa dhe dronë drejt Izraelit gjatë natës të së dielës, dhe Izraeli është përgjigjur duke goditur dhjetëra objektiva në Bejrut dhe në jug të Libanit. Izraeli gjithashtu ka rekomanduar që banorët e 53 fshatrave në jug të Libanit të evakuohen, duke shkaktuar bllokime masive trafiku.

Izraeli po mban “të gjitha opsionet mbi tavolinë” për një operacion të mundshëm tokësor në Liban, sipas zëdhënësit ushtarak izraelit, gjeneral brigade Effie Defrin.

Sulmet ajrore izraelite në Liban pas sulmit të Hezbollahut kanë vrarë të paktën 31 persona, ka thënë të hënën ministria e Shëndetësisë e Libanit. Ajo ka shtuar se 149 persona janë plagosur dhe rreth dy të tretat e të vrarëve ishin në jug të Libanit.

Lufta jehon në mbarë botën

Të paktën 22 persona janë vrarë në përleshje me policinë në veri të Pakistanit dhe në qytetin port jugor të Karaçit, pasi qindra protestues sulmuan Konsullatën e SHBA-së atje, kanë thënë autoritetet.

Kompanitë e transportit detar pezulluan lëvizjen e anijeve përmes Kanalit të Suezit. Sulmet mund të tronditin tregjet globale, veçanërisht nëse Irani e bën të pasigurt Ngushticën e Hormuzit për trafikun tregtar. Një e pesta e naftës së tregtuar në botë kalon përmes kësaj ngushtice.

Udhëtimi ajror në rajon është ndërprerë, me qindra mijëra udhëtarë të bllokuar ose të devijuar drejt aeroporteve të tjera pasi Izraeli, Katari, Siria, Irani, Iraku, Kuvajti dhe Bahreini mbyllën hapësirat e tyre ajrore.

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se do të mbyllin bursat kryesore të vendit në fillim të javës së tregtimit.

Tre avionë amerikanë u rrëzuan gabimisht nga mbrojtja e Kuvajtit

13 o. më parë / 2 mar 2026 12:40
Avionet

Ushtria amerikane ka njoftuar të hënën se tre avionë luftarakë amerikanë, janë rrëzuar në Kuvajt, “për shkak të një incidenti të zjarrit miqësor”

Mbrojtja ajrore e Kuvajtit ka qëlluar aksidentalisht avionët luftarakë F-15E Strike Eagle të dielën vonë sipas kohës Lindore, thuhet më tej në deklaratë.

"Gjatë luftimeve aktive - që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë, avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit", ka thënë në një deklaratë Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

"Të gjashtë ekuipazhet e avionit u hodhën në mënyrë të sigurt, janë rikuperuar në mënyrë të sigurt dhe janë në gjendje të qëndrueshme. Kuvajti e ka pranuar këtë incident dhe ne jemi mirënjohës për përpjekjet e forcave mbrojtëse të Kuvajtit dhe mbështetjen e tyre në këtë operacion të vazhdueshëm”, thuhet më tej në deklaratë.

Shkaku i incidentit është nën hetim, sipas CENTCOM. Avionët po fluturonin në mbështetje të operacionit ushtarak kundër Iranit. 

Irani godet rafinerinë më të madhe të naftës në Arabinë Saudite

14 o. më parë / 2 mar 2026 12:27
Nafta

Dronët iranianë kanë goditur rafinerinë Ras Tanura të Arabisë Saudite të hënën në mëngjes, ndërsa Kuvajti raportoi sulme të ndërprera, në ditën e tretë të sulmeve hakmarrëse të Iranit ndaj vendeve në rajon.

Sulmi ndaj rafinerisë së naftës Ras Tanura e Arabisë Saudite ka shkaktuar zjarr në kompleks, kanë thënë autoritetet.

Më vonë të hënën, operacionet e rafinerisë së naftës u ndaluan përkohësisht si masë paraprake.

"Disa njësi operative në rafineri u mbyllën si masë paraprake, pa asnjë ndikim në furnizimin me produkte nafte në tregjet lokale", ka thënë një burim zyrtar në ministri në një deklaratë të publikuar nga Agjencia Saudite e Shtypit.

Videot online nga vendi tregojnë tym të zi të trashë që ngrihet pas sulmit.  

Ras Tanura, pranë Dammam, ka një kapacitet prej mbi gjysmë milioni fuçi naftë të papërpunuar në ditë.

VIDEO: 

Izraeli thotë se ka vrarë disa zyrtarë të Inteligjencës iraniane

14 o. më parë / 2 mar 2026 12:12
Ushtria izraelite

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se kanë vrarë Sayed Yahya Hamidi, zëvendësministrin e Inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit.

Jalal Pour Hossein, kreu i divizionit të spiunazhit në ministrinë e Inteligjencës, është vrarë gjithashtu, së bashku me "zyrtarë të tjerë të regjimit", thuhet në deklaratë.

Nuk jepen detaje se si, kur ose ku u vranë.

Gjithashtu është bërë e ditur se selia e ministrisë së Inteligjencës së Iranit në Teheran është goditur "pak kohë më parë".

Rriten çmimet globale të naftës dhe gazit pas sulmeve iraniane në Lindjen e Mesme

14 o. më parë / 2 mar 2026 11:35
ngushtica e hormuzit

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm teksa Irani vazhdon sulmet në Lindjen e Mesme, në përgjigje të ofensivës së vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Nafta Brent, u rrit për 10 për qind, duke arritur në mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Çmimet e gazit natyror u rritën deri në 25 për qind.

Irani paralajmëroi anijet që të mos kalojnë nëpër këtë korridor strategjik detar në jug të vendit, përmes të cilit transportohet rreth 20 për qind e naftës dhe gazit. Sipas analistëve, transporti ndërkombëtar detar në hyrje të Ngushticës së Hormuzit pothuajse ka ndalur, duke shtuar shqetësimet për furnizimin global me energji.

Qendra britanike UK Maritime Trade Operations bëri të ditur se dy anije janë goditur, ndërsa një predhë ka shpërthyer shumë afër një tjetre.

Pas rritjes fillestare, nafta e përpunuar Brent shkoi në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA shënoi rritje prej rreth 7.6%, apo 72.20 dollarë.

Ndërkohë, ari që konsiderohet aset i sigurt në kohë pasigurie u rrit me 2.3%, duke arritur në 5,395.99 dollarë për ons.

 

Rrëzohen në Kuvajt disa avionë ushtarakë amerikanë

15 o. më parë / 2 mar 2026 11:27
Kuvajt

Disa avionë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar në Kuvajt herët të hënën, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar dhe janë në gjendje të qëndrueshme, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit, ndërsa konflikti u zgjerua në të gjithë Lindjen e Mesme.

Në një incident të veçantë, tymi u pa duke u ngritur nga afërsia e kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në qytetin e Kuvajtit, teksa kamionë zjarrfikës dhe ambulanca ishin në zonë, ka thënë një dëshmitar për Reuters.

Kuvajti kapi dronë armiqësorë herët të hënën, dita e tretë radhazi e sulmeve hakmarrëse iraniane ndaj shteteve fqinje të Gjirit, në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike.

Deklarata e ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, e cila u transmetua nga agjencia shtetërore e lajmeve, thotë se ekuipazhet nga avioni i rrëzuar u evakuuan dhe u transferuan në spital dhe ishin në gjendje të qëndrueshme. Ajo shtoi se reagimi u krye në koordinim me forcat amerikane.

Media shtetërore e Iranit citoi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të thoshte se forcat e armatosura iraniane goditën një aeroplan amerikan që u rrëzua në Kuvajt.

Një video që po qarkullon online dhe e verifikuar nga Reuters si e kapur në zonën Al Jahra të Kuvajtit, tregonte një avion ushtarak që binte nga qielli dhe një person që hidhej me parashutë në të njëjtën pamje.

Droni iranian godet bazën ushtarake britanike në Qipro

15 o. më parë / 2 mar 2026 11:02
Dron

Photo: Associated Press

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ka konfirmuar të hënën se një dron iranian i tipit Shaheed ka shkaktuar "dëme të vogla materiale" në instalimet ushtarake brenda bazës ajrore RAF Akrotiri të Mbretërisë së Bashkuar në bregdetin jugor të ishullit.

Christodoulides ka thënë se droni ka goditur pak pas mesnatës së së hënës.

Ai ka thënë se të gjitha autoritetet përkatëse janë vënë në gatishmëri dhe se ka thirrur një takim të këshillit të sigurisë kombëtare të vendit për të vlerësuar situatën.

Ai ka shtuar po ashtu se është në kontakt me udhëheqës të tjerë evropianë.

Sipas tij, Qiproja mbetet e përqendruar në rolin humanitar që luan në rajon dhe se kërkon të jetë "pjesë e zgjidhjes dhe jo problemi", duke shtuar se shqetësimi i tij kryesor mbetet siguria dhe mbrojtja e vendit dhe popullit të tij.

Sulmi i dyshuar me dron ndodhi pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmonte SHBA-në në luftën kundër Iranit. 

Izraeli nuk përjashton operacione tokësore në Liban

16 o. më parë / 2 mar 2026 10:27
Liban

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite nuk ka përjashtuar të hënën mundësinë për operacione tokësore në Liban. 
Një zëdhënës i ushtrisë ka thënë se "të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Hezbollahu "do të paguajë një çmim të lartë" për sulmin ndaj Izraelit, ka thënë ai.

"Kemi mobilizuar afër 100,000 rezervistë, dhjetëra batalione, brigada, divizione, të vendosura në mbrojtje të kufirit verior dhe të përgatitura për të gjitha mundësitë, në mbrojtje dhe në sulm. Po bëjmë vlerësime të situatës dhe të gjitha opsionet janë në tryezë”, ka deklaruar zëdhënësi. 

Të paktën 31 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, pasi Hezbollahu ndërmori një sulm ndaj Izraelit, ndërsa konflikti është zgjeruar me përfshirje të milicive të mbështetura nga Irani në Lindje të Mesme.

Irani lëshoi raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe të hënën, duke thelluar përshkallëzimin e luftës. Hezbollahu kreu një sulm ndaj Izraelit, i cili u kundërpërgjigj me bombardime në Liban, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën objektiva në territorin iranian.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë qenë në luftë gjatë kohës së luftës në Gazë. Grupi militant libanez, i mbështetur nga Irani, sulmonte atëkohë veriun e Izraelit, në hakmarrje për luftën e tij në Rripin e Gazës. 

Luftimet Izrael – Hezbollah janë ndërprerë pas një marrëveshjeje armëpushimi që ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2024. 

Të paktën 555 persona të vrarë në Iran që nga e shtuna

16 o. më parë / 2 mar 2026 10:03
Iran

Photo: Associated Press

Të paktën 555 persona janë vrarë në Iran që prej nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit  ndaj Iranit.

“Iranian Red Crescent Society” raporton se sulmet ajrore kanë shkaktuar të paktën 555 të vrarë deri më tani brenda Republikës Islamike, ku 131 qytete janë goditur gjatë konfliktit të përshkallëzuar. Autoritetet iraniane përshkruajnë këto të dhëna si pasojë e bombave dhe raketave që synojnë objektiva brenda territorit të Iranit në valën e ofensivave ajrore të nisura nga aleatët perëndimorë.

Ngjarjet ndodhin në një kontekst shumë më të gjerë të luftës që po përfshin edhe sulme dhe kundër-sulme në gjithë Lindjen e Mesme.

Izraeli i mbyll pikat kufitare me Gazën, organizatat paralajmërojnë mungesë ushqimi

17 o. më parë / 2 mar 2026 09:11
Gaza

Photo: Associated Press

Izraeli ka bërë të ditur se pikat kufitare me Gazën, përmes të cilave kalon ndihma e domosdoshme humanitare, do të mbeten të mbyllura për aq kohë sa vazhdon lufta me Iranin.

COGAT, organi izraelit që mbikëqyr hyrjen e ndihmave në Gaza dhe funksionimin e pikave kufitare, ka njoftuar se ato nuk mund të operojnë në mënyrë të sigurt për shkak të kërcënimit nga raketat.

Autoritetet izraelite kanë udhëzuar qytetarët të qëndrojnë pranë strehimoreve kundër bombave, ndërsa objektet që ndodhen në distancë më të largët nga strehimoret, janë mbyllur.

“Masat e ndërmarra janë të përkohshme dhe  bazohen vetëm në një vlerësim të sigurisë”, thuhet  në deklaratën e COGAT-it.

Megjithatë, pretendimet se në Gaza ka rezerva të mjaftueshme ushqime për një “periudhë të zgjatur” janë vënë në pikëpyetje nga organizata të ndryshme humanitare. Ndër to është edhe World Central Kitchen, që operon me kuzhinë popullore në mbarë Gazën, e cila ka paralajmëruar se po i mbarojnë furnizimet.

“Ne kemi nevojë për dërgesa ushqimore çdo ditë për të ushqyer familjet e uritura që nuk janë pjesë e kësaj lufte”, ka shkruar në rrjetin social X, themeluesi i saj, Jose Andres,.

Të paktën 31 të vrarë nga sulmet izraelite në Liban pas sulmit të Hezbollahut

18 o. më parë / 2 mar 2026 08:26
iran

Të paktën 31 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, pasi Hezbollahu ndërmori një sulm ndaj Izraelit, ndërsa konflikti është zgjeruar me përfshirje të milicive të mbështetura nga Irani në Lindje të Mesme.

Irani lëshoi raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe të hënën, duke thelluar përshkallëzimin e luftës. Hezbollahu kreu një sulm ndaj Izraelit, i cili u kundërpërgjigj me bombardime në Liban, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën objektiva në territorin iranian, shkruan AP.

Teksa sulmet ajrore amerikane dhe izraelite vazhdonin, zyrtari i lartë iranian i sigurisë, Ali Larijani, deklaroi në rrjetin social X se “nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili një ditë më parë kishte inkurajuar iranianët “të marrin në dorë” qeverinë e tyre, sinjalizoi të dielën se është i hapur për dialog me udhëheqjen e re të Iranit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit sugjeroi më herët se disa njësi ushtarake po vepronin në mënyrë të pavarur nga kontrolli qendror i qeverisë, pasi u pyet për sulmet ndaj vendeve arabe, të cilat në të kaluarën kanë shërbyer si ndërmjetës për Teheranin.

Sipas autoriteteve iraniane, mbi 200 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve, përfshirë udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe drejtues të tjerë të lartë.