Kremlini ka thënë të enjten se Rusia pajtohet me presidentin amerikan, Donald Trump, se është presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe jo ai rus Vladimir Putin, ai që po pengon një marrëveshje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Vlerësimi i Trumpit, i bërë në një intervistë për Reuters, bie ndesh me qëndrimin e aleatëve evropianë, të cilët kanë argumentuar vazhdimisht se Moska ka pak interes për t’i dhënë fund luftimeve dhe synon të marrë sa më shumë territor, ndërsa përpiqet të shmangë sanksione të mëtejshme perëndimore.
“Mendoj se ai është gati të bëjë një marrëveshje”, ka thënë Trumpi për Putinin gjatë bisedës me Reuters në Zyrën Ovale të mërkurën.
“Mendoj se Ukraina është më pak e gatshme të bëjë një marrëveshje”, ka shtuar ai.
I pyetur pse negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja nuk e kanë zgjidhur ende konfliktin tokësor më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Trumpi është përgjigjur: “Zelensky.”
“Jam dakord, kjo është vërtet kështu. Presidenti Putin dhe pala ruse mbeten të hapur (për bisedime).
Qëndrimi rus është i njohur mirë. Ai është i njohur për negociatorët amerikanë, për presidentin Trump dhe për udhëheqjen e regjimit në Kiev”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të enjten.
Rusia kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në vitin 2014. Moska dëshiron që Kievi të tërheqë trupat e tij nga pjesë të rajonit të Donetskut që Rusia nuk i kontrollon, por i ka shpallur si territor të vetin.
Ukraina, e cila ka hedhur poshtë idenë e dhënies së territorit Moskës, dëshiron që luftimet të ndalen përgjatë vijave aktuale të frontit. SHBA-ja ka propozuar krijimin e një zone të lirë ekonomike nëse Ukraina tërheq trupat e saj.
Negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja janë përqendruar javët e fundit te garancitë e sigurisë për një Ukrainë pas luftës, pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje, megjithëse disa zyrtarë evropianë kanë paralajmëruar se Putini ka shumë pak gjasa të pranojë disa nga këto kushte.
Bisedimet janë penguar edhe më tej pasi Rusia akuzoi Ukrainën muajin e kaluar se kishte tentuar të sulmonte një rezidencë të Putinit, një pretendim që Kievi e ka quajtur gënjeshtër.