Kremlini ka minimizuar urdhrat e presidentit amerikan, Donald Trump, për të lëvizur dy nëndetëse bërthamore më afër Rusisë, duke thënë se Moska nuk dëshiron të përfshihet në polemika.
Në reagimin e parë zyrtar që nga komentet e presidentit amerikan të premten e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, është shprehur se nëndetëset amerikane ishin gjithsesi në detyrë luftarake dhe ka hedhur poshtë idenë se ka një përshkallëzim.
"Po diskutohen çështje shumë komplekse dhe shumë të ndjeshme, të cilat, sigurisht, shumë i perceptojnë shumë emocionalisht", ka thënë Peskov megjithëse ka shtuar se të gjithë duhet të jenë "shumë të kujdesshëm" me retorikën bërthamore.
Javën e kaluar presidenti Trump ka urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të "pozicionohen në rajonet e duhura" në përgjigje të asaj që ai i ka quajtur komente "shumë provokuese" nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Trump nuk ka thënë nëse ato ishin nëndetëse me energji bërthamore apo të armatosura me armë bërthamore.
Medvedev, i cili vitet e fundit ka pasur një retorikë gjithnjë e më ekstreme në internet, e ka akuzuar Trumpin se "po luan lojën e ultimatumit" me Rusinë, pasi presidenti amerikan i vendosi një afat të ri Vladimir Putinit për t'i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë u përmirësuan ndjeshëm pasi Trumpi mori detyrën në janar - megjithëse në muajt e fundit presidenti amerikan ka sinjalizuar se dyshon se Putin mund të mos jetë vërtet i përkushtuar për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila filloi kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Tani Trumpi ka vendosur një afat për Rusinë për të arritur një marrëveshje paqeje, duke kërcënuar Moskën me tarifa të ashpra që synojnë naftën dhe eksportet e saj të tjera nëse nuk arrihet një armëpushim deri të premten, 8 gusht.
I dërguari amerikan, Steve Ëitkoff do të vizitojë Rusinë të mërkurën, sipas mediave ruse.