Botë

Kremlini: Përspektivat e paqes s’janë përmirësuar nga ndryshimet evropiane në planin e paqes

Yuri Ushakov

Foto: Associated Press

Ndihmësi kryesor i politikës së jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, Yuri Ushakov ka thënë të dielën se ndryshimet e bëra nga evropianët dhe Ukraina në propozimet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk i kanë përmirësuar perspektivat për paqe.

Propozimet e hartuara nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare, të cilat u publikuan në media muajin e kaluar, ngritën shqetësime mes evropianëve dhe ukrainasve se ato ishin shumë të anuara në favor të Rusisë dhe se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump mund ta shtyjë Kievin të bëjë shumë lëshime.

Që atëherë, negociatorët evropianë dhe ukrainas janë takuar me të dërguarit e Trumpit në një përpjekje për të shtuar propozimet e tyre në draftet e SHBA-së, megjithëse përmbajtja e saktë e propozimit aktual nuk është zbuluar.

Ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, u ka thënë gazetarëve në Moskë se ndryshimet evropiane dhe ukrainase nuk do të përmirësojnë shanset për paqe.

"Ky nuk është një parashikim," u citua të thoshte Ushakov nga agjencitë ruse të lajmeve, megjithëse tha se nuk i kishte parë ende propozimet e sakta në letër.

"Jam i sigurt se propozimet që evropianët dhe ukrainasit kanë bërë ose po përpiqen të bëjnë definitivisht nuk e përmirësojnë dokumentin dhe nuk përmirësojnë mundësinë e arritjes së paqes afatgjatë."

Ushakov i bëri këto komente pasi i dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, u takua në Florida të shtunën me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

Dmitriev ka bërë të ditur se bisedimet do të vazhdonin të dielën.

Takimi në Miami pasoi bisedimet e SHBA-së të premten me zyrtarë ukrainas dhe evropianë.