Botë

Kurthi i vdekjes në objektet e rrëmbyera në Johanesburg

Presidenti Cyril Ramaphosa ka vizituar vendin e zjarrit në “80 Albert Street”. Ai bëri thirrje për një hetim të plotë për të siguruar që nuk do të ketë tragjedi në të ardhmen. Megjithatë, ai nuk përmendi ndonjë hap konkret që do të ndërmarrë qeveria. Pra, ndërkohë që hetimi i asaj që shkaktoi zjarrin vazhdon, do të vazhdojë edhe loja e fajit se pse kaq shumë nga banorët e Johanesburgut jetojnë në kushte kaq të paimagjinueshme

Distrikti Qendror i Biznesit në Johanesburg është i mbushur me ndërtesa që duken në prag të kolapsit. Dritaret janë të izoluara dhe muret janë të mbuluara me mbishkrime.

Rrugët janë të mbushura me mbeturina - mbështjellës ushqimesh, shishe birrash bosh, cigare të konsumuara - dhe një erë e keqe e ushqimit të kalbur e kombinuar me urinë kundërmon.

Është i mbipopulluar, i rrezikshëm dhe ka pak mundësi pune.

Kurse tash është sfondi i një prej katastrofave më të rënda të ndërtesave në Afrikën e Jugut, ku 76 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan në një zjarr që shpërtheu në rrugën “80 Albert”, të enjten.

Kompleksi i rrënuar tashmë ishte një nga dhjetëra që janë “rrëmbyer” - marrë nën kontroll nga kriminelët dhe bandat e pronave, të cilat më pas i japin me qira në mënyrë të paligjshme për njerëzit që nuk mund të përballojnë asgjë tjetër. Shpesh nuk ka pajisje, as kanalizim.

Molly, një 21-vjeçare nga Afrika e Jugut, e cila jeton në rrugën “80 Albert” në një ndërtesë tjetër të “rrëmbyer”, thotë se është si të jetosh në burg.

“Nuk do të kem ujë për të bërë dush për periudha të gjata”, ka treguar ajo për BBC-në. "Dhe ne jetojmë në errësirë. Shumë prej nesh, në një dhomë".

Ajo nuk e zbulon emrin e saj të plotë nga frika se autoritetet do ta arrestojnë për jetesën ilegale aty.

Ndërtesa ku jeton Molly është një nga 57 që janë rrëmbyer në brendësi të qytetit, ku deri në 2000 njerëz mund të jetojnë në një kompleks të vetëm.

Dhe pas zjarrit të fundit vdekjeprurës, njerëzit pyesin veten se si u lejohet kaq shumë personave të qëndrojnë aty.

Image
76 persona humbën jetën nga zjarri në “80 Albert Street”

Të drejtat e rrëmbyesve

Akti i Parandalimit të Dëbimeve të Paligjshme të Afrikës së Jugut (Akti PIE) është një pikënisje. Aty thuhet se asnjë person nuk mund të largohet nga shtëpia e tij pa urdhër të gjykatës.

Dhe kur një person vendoset në një ndërtesë dhe mund të provojë se nuk ka ku të shkojë tjetër, ai nuk mund të dëbohet.

Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë pastrimin e ndërtesave të rrëmbyera.

Angela Rivers, menaxherja e përgjithshme në Shoqatën e Pronarëve dhe Menaxherëve të Pronave të Johanesburgut, thotë se ligji kundër dëbimit është rrënja e problemit.

“Ju nuk mund ta dëboni askënd nëse nuk ka strehim alternativ, i cili duhet të sigurohet nga avokati”, ka treguar ajo.

“Dhe këtu nis rrëmuja. Sepse avokati nuk është në gjendje të ofrojë ndonjë strehim, sepse strehimi i tyre është rrëmbyer”.

Kompleksi në “80 Albert” ishte në pronësi të qytetit të Johanesburgut, që do të thotë se qyteti do të ishte përgjegjës për gjetjen e strehimit alternativ për të dëbuarit.

Ndërtesa u lëshua në përdorim në vitin 1954 si zyrë, e cila kontrollonte lëvizjen e njerëzve me ngjyrë në qytet gjatë kohës së aparteidit.

Jugafrikanët aty shkonin për të marrë librezë ose një “dompas” siç quhej, për udhëtime.

Ndërtesa më vonë u bë Shtëpia e Strehës së Grave Usindiso, përpara se të braktisej dhe të merrej nga bandat kriminale.

Johanesburgu ka mungesë të banesave që nga përfundimi i sundimit të pakicës të të bardhëve në vitin 1994. Shumë banorë afroamerikanë dhe të racave të përziera që jetonin në fshatra jashtë qytetit u zhvendosën në qendër për të qenë më afër vendit ku punonin.

Autoritetet kanë njoftuar se nuk janë në gjendje të përballojnë koston e banesave të reja që nevojiten dhe duart e tyre janë të lidhura nga ligjet e dëbimit.

Kritikët, si Rivers, thonë se qyteti thjesht refuzon ta trajtojë problemin.

“Akti PIE ekziston qe 25 vjet. Ka 20 vjet që na jep probleme. Kështu që nuk mund të zgjoheni papritur 20 vjet më vonë dhe të thoni: ‘Epo, ne jemi të detyruar nga ky akt’.

Ajo ka theksuar se zyrtarët mund të fillojnë duke bërë inspektime të ndërtesave publike dhe duke përdorur edhe ato pak kompetenca e akte nënligjore që kanë për të përmirësuar jetën e njerëzve që jetojnë në këto ndërtesa.

Kenny Kunene, anëtar i Aleancës Patriotike të opozitës, i cili kaloi një fundjavë si kryebashkiak në detyrë i Johanesburgut në maj, thotë se ligji kundër dëbimit “mbron kriminelët”.

“Sa herë që qeveria vepron, OJQ-të pastaj shkojnë në gjykatë në mënyrë urgjente për ta ndaluar qeverinë që të dëbojë njerëzit.

“Pra, në rrënjë të përhapjes së rrëmbimit të paligjshëm të ndërtesave nga emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët e Afrikës së Jugut, është ligji i pronës që i mbron ata”.

Ai gjithashtu kërkon deportim masiv të emigrantëve që jetojnë në ndërtesa. Ai i sheh rrëmbyesit dhe “qiramarrësit” e tyre si i njëjti problem.

Grupet e të drejtave thonë se pikëpamjet e Kunenes janë shembull tjetër i rritjes së ksenofobisë në vendin që ka rreth 2.9 milionë emigrantë.

Si ekonomia më e industrializuar në rajon është destinacion tërheqës për ata që kërkojnë mundësi më të mira pune nga aq larg si Nigeria dhe Somalia.

Viktima, jo kriminelë

Rivers pajtohet se ka një “problem” me emigrantët e paligjshëm.

“Por nuk janë emigrantët e paligjshëm ata që e lanë pas dore atë ndërtesë”, ka shtuar ajo. “Shumë nga këta qiramarrës janë njerëz të dëshpëruar që do të paguajnë para për të vetëm për të pasur një kulm mbi kokën e tyre. Ata janë po aq viktima sa edhe pronari i pronës që ka humbur ndërtesën e tij”, është shprehur ajo.

Dhe meqenëse shumë prej tyre janë pa dokumente dhe punojnë në punë joformale, ata nuk kanë gjasa të vijnë deri te sigurimi i banesave.

Presidenti Cyril Ramaphosa e ka vizituar vendin në “80 Albert Street” menjëherë pas zjarrit. Ai bëri thirrje për një hetim të plotë për të siguruar që nuk do të ketë tragjedi në të ardhmen.

“Është thirrje zgjimi për ne që të fillojmë të trajtojmë situatën e banesave në brendësi të qytetit”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai nuk përmendi ndonjë hap konkret që do të ndërmarrë Qeveria.

Pra, ndërkohë që hetimi i asaj që shkaktoi zjarrin vazhdon, do të vazhdojë edhe loja e fajit se pse kaq shumë nga banorët e Johanesburgut jetojnë në kushte kaq të paimagjinueshme.

Përktheu: Blerta Haxhiu