Botë

Lufta në Ukrainë do të marrë fund brenda një viti, thotë i dërguari i Putinit

Kirill Dmitriev

Foto: Associated Press

I dërguari i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ka thënë në një konferencë investimesh në Arabinë Saudite se lufta në Ukrainë do të ndalet brenda një viti nga tani.

Dmitriev ka bërë këtë deklaratë pas takimeve të tij me zyrtarë të administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara fundjavën e kaluar. Vizita e tij pasoi një njoftim se sami i planifikuar midis Trumpit dhe Putinit ishte shtyrë, raporton Reuters.

"Jemi të sigurt se jemi në rrugën e paqes dhe si paqebërës duhet ta bëjmë atë të ndodhë", ka thënë Dmitriev, i cili është gjithashtu drejtor ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte, para audiencës në kryeqytetin saudit, Riad.

I pyetur nëse paqja në Ukrainë ishte e mundur brenda një viti, Dmitriev ka thënë: "Unë besoj se po".

Ndërsa ishte në SHBA, Dmitriev ka deklaruar se Rusia dhe SHBA-ja ishin afër “zgjidhjes diplomatike” për luftën.

Dmitriev vlerësoi bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Rusisë si mbajtësit kryesorë të burimeve natyrore në botë dhe ka shtuar se një bashkëpunim i tillë do ta bëjë botën më të sigurt.

"Njerëzit tani janë të përqendruar në konfliktin rajonal që ekziston rreth Rusisë, por ne nuk duam që ai të përshkallëzohet në një konflikt më të madh. Dhe për këtë duhet të bëjmë më mirë nga sa kemi bërë deri më tani, jo më keq", ka shtuar Dmitriev.