Botë

Macron bisedon me Trumpin: Duhet të punojmë pa u ndalur për armëpushim në Ukrainë

macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Për këtë bisedë ai ka shkruar në rrjetet sociale dhe ka thënë se duhet punuar pa ndërprerë për arritje të një armëpushimi në Ukrainë, transmeton The Guardian.

Mesazhi i tij është pak a shumë i ngjashëm me atë të kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz, i cili të premten deklaroi se duhet të shtohet presioni ndaj Rusisë, në mënyrë që ajo të ndalë pushtimin e saj në Ukrainë.

Macron ka thënë se e afirmon thirrjen e presidentit amerikan për armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor në Ukrainë.

“E përshëndesë thirrjen e fuqishme për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, siç bënë edhe partnerët tanë britanikë dhe nordikë mëngjesin e sotëm”, ka thënë Macron.

Sipas presidentit francez, tashmë është radha e Rusisë të pranojë armëpushimin e plotë, pasi që Ukraina ka shprehur pajtim rreth atij të paktën dy muaj më parë. 

“Ukraina ka shprehur mbështetjen për këtë lloj të armëpushimit afërsisht dy muaj më parë. Tani pres që Rusia të veprojë njësoj”, ka vazhduar ai.

E nëse kjo dështon të materializohet, Macroni ka paralajmëruar se shtetet evropiane janë të gatshme të reagojnë, porse të rreshtuara dhe në bashkëpunim me SHBA-të.

“Në rast se kjo nuk ndodhë, ne jemi të gatshëm të reagojmë me vendosmëri, së bashku me të gjithë evropianët dhe në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar presidenti francez.